Një letër drejtuar ty dhe të gjithëve ju që nuk rrini dot pa kopjuar punën e tjetrit, për të shpëtuar të ndenjurat e palëvizura nga dobësia dhe dembelizmi për të qëndruar ngjeshur pas karriges a kolltukut.
Në periudhën kur unë preka nga afër gazetarinë, zhvillimi i motorit kërkues google ishte në një fazë gati fare të panjohur për shqiptarët. Atëherë ekzistonin veç kompjutera, e ku punohej me sistemin DOS apo me programet fillestare të windows-it. Ja, vetëm këto përdoreshin për kronikat televizive dhe lajmet e shtypit të shkruar, dhe gjithsesi ishim të lumtur që kishte ikur koha e makinave të shkrimit “Olivetti”, e nëpër zyrat tona modeste ishin shfaqur ordinatorët.
Të duhej një kurs i mirëfilltë studimi për të kapur fillin e hapjes së dosjes, një faqeje word pad, e më larg se kaq, sfida për t’u njohur me botën e madhe të internetit. Faqja më popullore e asaj kohe ishte Internet Explorer, e cila më shumë ngecte se tregonte çfarë ty të hynte në punë për ta përdorur. Pavarësisht kësaj ambicieje që gazetaria kërkonte t’i përvetësoje, brezi im, për fat ishte besnik i lapsit dhe letrës. Kjo praktikë që sot duket se po del gjithnjë e më shumë jashtë mode, na ndihmonte dhe shërbente kaq mirë për të praktikuar gazetarinë e merituar. Çdo gazetar kish ndërtuar profilin e vet, natyrën e vet të të përcjellit të lajmit, e më shumë se kaq, kishte tabanin për ta bërë punën ashtu siç duhej, me këllqe.
Në ato kohë, – gati 20 vjet më parë, – nuk kishte punëtor të medias të mos plotësonte dhe përmbushte kërkesat e gazetarisë, që janë ato pesë pyetjet e famshme që fillojnë me “W”, e që mësohen që në leksionet e para për këdo që ndjek një fakultet apo një kurs plotësues mbi gazetarinë. E përveç kësaj, ishin burimet apo zërat që duhej të përmbushnin një lajm, për të përcjellë vërtetësinë e tij bazuar në fakte konkrete.
Media është pushteti i katërt, mund të të ngrejë ashtu siç mund të të rrëzojë sa të mos kesh fuqi të kthesh kokën pas. Media është ai zëri i fuqishëm që përhap me të shpejtë jehonën e një ndryshimi radikal, të një revolucioni progresist apo dhe të vetë regresit. Ndikimi i saj ka një rol të pamatshëm. Në kohët që flasim, në vendin tonë, media ka marrë një zgjerim të pamatshëm. Nuk ka më një, dy apo tri stacione televizive. Sot ka një zgjerim gjithnjë e më të pakufishëm të saj. Gjithkush mund të bëhet pjesë e gazetarisë, sepse përcjell një lajm nga vendngjarja, qoftë ky një intelektual me bachelor e master, apo dhe një njeri krejt i thjeshtë që ka marrë vetëm arsimimin bazë.
E ndërkohë, ky zhvillim, ky raport i ri mes palëve, ndikon në shoqëri. Dua të ndalem më së shumti te media sociale, e cila e ka kthyer me kokë poshtë këtë raport, duke u përhapur në masë, si një mjet sa informativ, por edhe aq baltues për interesa të fshehura dhe aspak etike të asaj që mban në thelb gazetaria. E këtu ka plot subjekte të paregjistruara dhe në shkelje me ligjin, që abuzojnë në kurriz të atyre që kanë mbetur, e bëjnë gazetari mirëfilli.
E konstatoj prej shumë kohësh mungesën e etikës në prodhimin apo riciklimin e një lajmi në mediat sociale. Një mercenarizëm i shëmtuar që nuk bën gjë tjetër veçse kopjon pikë për pikë, ashtu siç është një lajm, pa i ndryshuar as presjen, i cili për fat të keq fabrikohet në mënyrën më të shëmtuar, duke krijuar neveri për syrin që e sheh në dhjetëra media interneti në të njëjtën stampë. Shkrime pa cituar autorin, burimin, punën e lodhjen e një të ngjashmi që përpiqet, ngulet dhe bën të pamundurën për të plotësuar normën e shkrimeve në formën më
të ndershme. Është veprim i pashembullt dhe nuk mund të anashkalohet. Nuk mund të mbijetosh me mediat sociale dhe as të përdorësh makinacione për të rritur marzhin e fitimit. Disa e kanë humbur rrugës, për shkak të abuzimit. E në këtë zallamahi, gjithsesi ka një postulat bazë: nuk mund ta shndërrosh plagjiaturën në art, është e pabesë, dhe po aq të lë zbuluar një ditë më pas!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 140
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.