Editorial

June 17, 2022 | 7:45

Nga Orjona TRESA / Një kuptim i ri i suksesit

Nuk ka një recetë absolute suksesi. Edhe jeta është e tillë. Të gjithë duam të kemi më shumë, të jemi më mirë, të ndihemi të lumtur, të vishemi më mirë, të jemi të shëndetshëm, të dukemi më të bukur,… se të tjerët.

Nga Orjona TRESA, gazetare

orjona

Përpiqemi me të gjitha mënyrat tona, huazojmë sjelljen e atyre që ia kanë dalë t’i kenë ato kënaqësi të jetës, dhe sërish nuk ia dalim t’i bëjmë tonat. Autorë të shumtë, studiues të fushave të ndryshme, me vite janë përpjekur t’i japin një shpjegim gjithë kësaj ambicjeje të shfrenuar që kanë njerëzit në vetvete, por që në fund jo të gjithë arrijnë ta realizojnë.Rëndom njerëzit hedhin sytë nga inteligjenca, formimi intelektual, si një përvojë që të dikton suksesin. Një pjesë e tyre besojnë tek intuita. Dhe të tjerë akoma mendojnë se kjo është thjesht çështje fati. Ndërsa studiuesit ndalen tek një sekret më i prekshëm.

“Sekretet e suksesit”, që është një libër i shkruar nga Malcolm Gladwell, dhe sjellë në shqip nga botimet Pegi, gazetari dhe shkrimtari merr në shqyrtim histori autorësh të vjetër që analizojnë sjelljet e suksesit. Po ndalemi në një prej tyre. Bëhet fjalë për periudhën e viteve 1880. Rasti konkret sjell këndvështrimin e mjekëve Stjuart Ulfi dhe Xhon Bruhni mbi mbarëvajtjen dhe zhvillimin e një qyteti të ri amerikan në Pensilvaninë Lindore. Fillimisht lindi pyetja: çfarë kishte ky vend që nuk regjistronte vdekshmëri nga sëmundje që u merrnin jetën moshave nën 60 vjeç, apo edhe problematika të tjera shoqërore si vrasje, depresion e me radhë. I quajtur fillimisht Italia e Re, por që më pas u pagëzua si Rozeto, kjo zonë u popullua herët nga disa banorë të një fshati jugor italian, të cilët rendën pas lajmit se në tokat e përtej oqeanit mund të bëhej një jetë më e mirë. Pak nga pak, në një periudhë të shkurtër, të gjithë rozetanët u shpërngulën në tokën e re. Krijuan komunitetin e tyre. Ndërtuan shtëpitë e para, punuan tokat, ngritën punishtet artizanale të zejtarisë, ndërtuan vendet e argëtimit, shijonin të mbjellat e tyre dhe respektonin kodet zakonore të bartura nga vendi i origjinës.

Studiuesi Stjuart Ulfi filloi të kuptojë se sekreti i Rozetos nuk qëndronte te dieta ose tek ushtrimet, te gjenet apo te vendnndodhja. Sekreti duhej të ishte Rozetoja vetë. Teksa Ulfi dhe Bruhni i erdhën rrotull qytetit, ata e kuptuan përse. Ata mësuan për klanet e zgjeruara familjare të strukturës shoqërore të qytetit. Studiuesit vunë re se shumë familje kishin tre breza që jetonin nën të njëjtën çati dhe se gjyshërit gëzonin shumë respekt. Ata ndoqën meshën te Zonja Jonë e Malit Karmel dhe panë efektin qetësues të kishës. Ata numëruan njëzet e dy organizata qytetare të pavarura në një qytet me më pak se dy mijë banorë. Atyre u bëri përshtypje etnosi i veçantë e madhështor i bashkësisë, i cili i dekurajonte të pasurit që të valëvitnin sukseset e tyre dhe i ndihmonte ata që nuk kishin pasur sukses t’i fshihnin dështimet e tyre. Duke transplantuar kulturën fshatare të Italisë Jugore në kodrat e Pensilvanisë Lindore, rozetanët kishin krijuar një strukturë shoqërore të fuqishme, mbrojtëse, të aftë për t’i izoluar ata nga tensionet e botës moderne. Rozetanët ishin të shëndetshëm për shkak të origjinës së tyre, për shkak të botës që kishin krijuar në qytetin e tyre të vogël në kodër.

Sipas urtësisë konvencionale të asaj kohe, jeta e gjatë varej shumë nga ajo që ne jemi, pra nga gjenet tona. Varej nga vendimet që marrim, çfarë vendosim të hamë, si zgjedhim që të ushtrohemi dhe se sa trajtohemi nga sistemi mjekësor. Askush nuk mendonte për perspektiva të jetës në bashkësi. Ulfi dhe Bruhni duhej ta bindnin institucionin mjekësor që të interesohej për shëndetin dhe atakët kardiakë në një mënyrë të re: të kuptonin përse një individ ishte i shëndetshëm. Ata duhej të shikonin përtej individit. Duhej të kuptonin kulturën ku ata bënin pjesë, cilët ishin miqtë dhe familjarët e tyre dhe nga cili qytet e kishin origjinën familjet e tyre. Ata duhej të vlerësonin idenë se vlerat e botës ku banojmë dhe njerëzit që na rrethojnë ndikojnë në atë që ne jemi.

 

 

Përgatiti: Orjona TRESA  |  Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 168

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top