Gjithmonë e kam një revoltë brenda vetes, të cilën herë-herë nuk e frenoj dot. Kur përpiqem të përmbahem e të gjej arsyetime për ta mposhtur atë, një zë i brendshëm ma thyen heshtjen e më del i pabindur mes fjalësh. Unë nuk jam për urrejtjen, jam për mëshirën. Gjithçka më del para syve si problematikë, kërkoj t’i jap zgjidhje, të ndihmoj apo të shpëtoj. Kurrë nuk hezitoj të zmbrapsem e t’i kthej shpinën.
Në thelb nuk e dua konfliktin. Por ja që, në disa situata edhe unë e kam të pamundur heshtjen e plotë. Është nga ato çaste kur liria ime cenohet. E kjo ndodh pikërisht nga të ngjashmit, bashkëkombësit tanë. Po ju tregoj një histori që më ka prekur, e për pasojë e kam vuajtur në periudhën që ndodhi. Me dashamirësi u pajtova me nismën për të dhuruar gjak për fëmijët në nevojë. As që e kalova nëpër mend të kundërtën. Humanizmi na ndihmon si shoqëri. Kjo dhe sepse është shtresa më problematike e shoqërisë, ku duhet bërë shumë më shumë.
T’i rikthehem ngjarjes. Pas një seance disa minuta, ku u mor jo pak gjak, por 200 ml, mjekët e shërbimit spitalor na njoftuan se brenda disa ditësh do të na dërgonin dhe analizat përkatëse të vlerësimit të gjakut. Kaluan dy javë e zarfet na erdhën në duar. U trondita! Para syve kisha një gjendje jo të mirë shëndetësore. Hepatit B, lexohej në fletë. Mendova dy fëmijët, asgjë tjetër. M’u errën sytë e nisa të aludoj se ku mund të isha infektuar. Ndoshta në lindje?! Mblodha veten dhe mendova mikun të parin. Po, po. Një njohje në gazetari, që mund të më ndihmonte të kryeja analiza të sigurta në Institutin e Higjienës e Kujdesit Shëndetësor atë kohë. Pas një vështirësie në marrjen e gjakut, kryesisht te fëmijët, dhe pritjes së daljes së analizave brenda ditës, arritëm më në fund një përgjigje të paqtë. “Nuk keni asgjë. Të gjithë jeni të pastër. Jua përsërita katër herë për merak. Rri e qetë tani”.
U lumturova. Por ndërkohë mendova dhe për analizat e tjera, të cilat nuk dihet të kujt ishin e si ishin bërë. Papërgjegjshmëri totale. Të vësh duart në kokë e të shkulësh flokët. Se gabime të tilla pa dyshim kanë dhe shumë kosto. Por ne jetojmë në Shqipëri, ndaj dhe njerëzit janë mësuar t’ia mohojnë vetes më të mirën me një: “varja”.
Prej asaj dite pasazhe të tilla ende përsëriten, në mos te vetja, tek të afërm e të njohur, të cilëve halli u bie të përplasen me dyer shërbimesh të ndryshme. Media është bërë më e hapur, rrjetet sociale gjithashtu, e për pasojë, reflektohet qartë gjithçka ndodh në realitet. Ky hap është nxitës, por mendoj se kemi ende shumë punë drejt ndërgjegjes qytetare. Unë jetoj në Tiranë. Problematikat më të mëdha qytetare këtu janë. Ky është risku i një qyteti në zhvillim. Sado që ky mesazh është shndërruar në refrenin e jetës sime, ndodh një çast mosbindjeje për ta pranuar këtë. E mendoni, ky është kulmi.
Jetojmë në një pallat me 14 kate, me katër hyrje banimi secili kat. 52 hyrje gjithsej, duke hequr dyqanet e katit të parë. E ndajmë hapësirën edhe me qiraxhinjtë që ndërrohen herë pas here. Por ç’e do?! Sa hyn në shkallë acarohesh. Xhami i derës është thyer se u teket ca fëmijëve të luajnë me top në hyrje. Plehrat, komshiu i të gjithëve ne, e ka të pamundur t’i çojë te hapësira e duhur, dhjetë metra larg, e kështu i bie shkurt: i hedh në korridorin e përbashkët sapo del nga ashensori.
Në autobus, dikush nuk pajtohet me faturinon. Nuk ka gjetur abone, e për pasojë nuk do të paguajë as biletën për xhiron e radhës. 7 stacione dialog për të drejtën, me tone të larta sa të zhurmojnë veshët. Një tjetër e ka të udhës që për xhiro kaq të gjatë, t’i shtrohet një bisede ofertë me celular, me nuanca nga më të ndryshmet, që nga bërja e gjellës ku mund të njihesh dhe me masën e kripës e të rigonit, e deri te problemet me vjehrrën dhe shefin. Në rrugë edhe më keq. Njerëz të çartur nga nxitimi, që nuk njohin norma etike, që lëshojnë ku të mundin shfryrjet gripale, sepse përveç një shamie dore u mungon më së shumti dëshira për të bërë një gjest qytetar. Pastaj vijnë të tjerët, që në asnjë rast nuk dinë të thonë: “të lutem, a mundem”, por të shtyjnë në radhë për të dalë para teje e të mbarojnë punë sa më shpejt, pasi… koha është flori.
Njerëzit e bëjnë vendin, dhe jo vendi njerëzit!
Këtë sentencë duhet ta kemi më të qartë, edhe pse në realitet nuk na ndodh kështu. Viti 2018. Bota po mendon si ta ndërtojë jetën në planetin Mars. Ca të tjerë thonë se ka shpresa jete dhe në planete të tjerë. Ne nuk po rregullojmë dot jetën në planetin Tokë, edhe pse kemi mijëra vjet evolucion. Kjo është çështja!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.