Dashuria nuk lind në boshllëk. Ajo mësohet, ushqehet dhe formësohet që herët, në mënyrën se si rrisim një fëmijë dhe në vlerat që i transmetojmë pa zhurmë, përmes shembullit. Ajo që i mëkojmë fëmijës kur është i vogël, respektin për rregullat, disiplinën, komunikimin e qetë, të kërkuarit e gjërave me mirësjellje, është në thelb edukim etik. Dhe etika është forma më e pastër e dashurisë.

Një fëmijë që mëson të thotë “të lutem” dhe “faleminderit” nuk po mëson thjesht fjalë, por po ndërton mënyrën si do të sillet më vonë në shoqëri. Sepse më pas, në jetën e përditshme, në një radhë shërbimi apo në një ambient shoqëror publik, pikërisht këto fjalë janë ato që mungojnë më shpesh. Jo për mungesë njohurie, por për mungesë kujtese morale se përballë kemi një tjetër njeri.
Në procesin e rritjes, fëmija mëson se sjelljet kanë pasoja, se respekti sjell respekt dhe se qëndrimi korrekt shpeshherë shpërblehet. Por shpërblimi më i madh nuk është material. Ai qëndron në momentin kur arrijmë ta bëjmë tjetrin të ndihet mirë nga fjala jonë, nga veprimi ynë, nga prania jonë. Ashtu si në marrëdhëniet e punës, ku një drejtues që dëgjon dhe korrigjon pa fyer, krijon besim dhe përkushtim, ndërsa një fjalë e ashpër, edhe kur është “e drejtë”, lë plagë që nuk shërohen lehtë.
Sot, gjithnjë e më shpesh, vërejmë mungesë empatie. Ka një ftohtësi në marrëdhënie, një ashpërsi në komunikim, një indiferencë që është bërë pothuajse normë. E shohim këtë në shërbimet publike, në dyqane, merkato, qendra tregtare, linjat urbane, ku mungon përkujdesja në përshëndetje, faleminderit apo mirupafshim, ku personi trajtohet thjesht si një numër dhe jo si një individ. E njëjta gjë ndodh edhe në komunikimin profesional, ku një email pa përshëndetje, pa sqarim dhe pa një mbyllje njerëzore është konsideruar “normalitet”. Por kjo nuk është eficiencë, është varfëri etike. Mungesa e empatisë vjen, padyshim, nga boshllëqet në mënyrën se si e kemi lidhur dashurinë me etikën. Dashuria pa etikë kthehet në interes, në imponim, në konsum emocional. Në bisedat e përditshme, ndërprerja e tjetrit, mosdëgjimi apo gjykimi i shpejtë janë shenja të kësaj mungese. Nuk është se nuk dimë të dëgjojmë, por kemi harruar se të dëgjuarit është një akt respekti. Marrëdhëniet e ngurta e flasin këtë çdo ditë, në familje, në punë, në hapësirat publike. Edhe në situata të vogla, si mënyra si sillemi në trafik apo si reagojmë në një konflikt të parëndësishëm, shihet qartë se sa etikë kemi në raport me tjetrin. Respektimi i rregullave nuk është thjesht një bindje, por një formë bashkëjetese. Ka gjithnjë e më pak vëmendje për respektin dhe, për rrjedhojë, etikë të mohuar në dashuri. Kjo sjell ndjesi që nuk na bëjnë mirë dhe e vështirëson komunikimin social. Pa etikë nuk ka dashuri, sepse dashuria e vërtetë është përgjegjësi, aftësia për të menduar për tjetrin, për të vepruar me ndërgjegje dhe për të ndërtuar marrëdhënie që nuk lëndojnë, por mbështesin. Në një shoqëri që ka nevojë urgjente për më shumë empati, rikthimi tek etika nuk është luks moral. Është domosdoshmëri njerëzore.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

