Editorial

March 7, 2023 | 9:01

Nga Orjona Tresa / Për nënat dhe mësueset tona të pashembullta!

Janë dy figurat për të cilat datat simbolike, ato që ne i quajmë festa a përkujtimore, krijojnë veç një numeracion absurd e të papërfillshëm, dhe jo aq me vlerë në shprehje të mirënjohjes tonë ndaj tyre. Asnjë rrotullim i plotë toke rreth vetes dhe as dy të tilla, – që teknikisht cilësohen si 48 orë, – sdo të mund të kufizojë shenjtërinë e tyre në një kohë ekstremisht të ngushtë. Janë ato që na kanë bërë të kuptojmë rëndësinë e jetës, ndaj ne duhet ta themi gjithmonë e në çdo kohë dhe jo vetëm një herë në vit.

Nga Orjona Tresa, gazetare

E gjitha kjo merr një vlerë të pakrahasueshme kur kontributi i tyre nuk ka shkuar kot dhe është i virtytshëm për vlerat e së nesërmes, në shërbim të ndërtimit të një komuniteti dinjitoz. Jo pa shkak dua të ndalem në këtë dimension, sepse realisht ka një ndalesë, – që duket si i qëllimshëm në pavetëdije, – shkaktuar nga neglizhenca për të përçuar edhe më tej vlerat me të cilat një brez fort i mençur na edukoi më herët.

Ndoshta mund të duket disi arkaike ti mëshosh idesë se dikur nënat, – edhe pse të rropatura në punë, me orë të stërzgjatura turnesh, pa një ditë pushimi për veten, – e gjenin kohën të merreshin me fëmijët, po aq sa një mësues që nuk ngurronte të ngryste ditën, duke zgjedhur të mësonin fëmijë të veçantë pas të ashtuquajturit orarit zyrtar. Ata shkonin në çdo shtëpi ku kishte fëmijë me probleme, ku kishte nevojë për mbështetjen e mësuesit. Sepse veç të tjerash ishte dhe një pasion profesional i një brezi që duket se nuk është më në modë. Sot ky aspekt duket si film bardhezi. Disa e marrin me të qeshur altruizmin e një kohe të ikur, këtë shprehje humaniteti. Disa të tjerëve mund të duket edhe utopi.

Ndoshta sepse në ditët e sotme gjithçka matet me para. Por asokohe nuk kishte të tilla, por edukimi i gërshetuar mes nënave dhe mësuesve ecte në mënyrë lineare e të pandërprerë. Sot ka një altruizëm pas modeleve të gatshme, modernizmave të informacioneve shkurt, përmes fotosh apo videosh disasekondëshe nga vip-at e botës rozë, të postuara në një mekanizëm teknologjik, i cili e ka çoroditur shoqërinë tonë. Dhe kjo nuk prek vetëm misionin e nënës, por edhe të edukatorit, mësimdhënësit, që mund të jetë edhe grua njëherësh.

Tendenca e reflekton këtë dinamikë rolesh gjithkund, duke na ndihmuar të kuptojmë shumë mbi trasenë ku po lëviz sot komuniteti ynë. Ka ekstremitete sjellore, herë shumë agresive dhe herë krejt pasive. Duket sikur e ndërmjetmja, ai mesi i artë të cilin e duan të gjithë, në këtë rast dërgon sinjale të zbehta. Ndërkohë, me gjithë ngarkesat e një brezi të ndryshëm nga dikur, nënat por edhe mësuesit duhet të bëhen faktorë sigurie, ekuilibri, vlerash. Serioziteti dhe autoriteti i tyre duhet të jetë flaka e mendimeve revolucionare, për ta latuar një degëz të re që më vonë të mund të bëhet pasardhëse e denjë. Duket si një lojë e ftohtë e pa nerva, si një skenar i lodhur të cilin e lexojmë vit pas viti, në të njëjtën datë a orë, sepse vijmë rreth e rrotull mbyllur në rrethin vicioz e dalje nuk gjejmë dot.

Prindërimi, por edhe mësimdhënia ka pësuar një transformim të madh. Herë-herë duket si një tolerancë e pakuptimtë që tejkalon çdo lloj mase, – moskërkese llogarie, iniciativë e vetëveprim pa drejtim, – por që është pikërisht kjo çfarë e dëmton brezin e ri, i cili për momentin është i fokusuar në produktin fast food. Ndaj duhet ta kthejmë vështrimin nga nxënia dhe dituria, sepse kjo do të të japë adrenalinën që do të shërbejë për të shëndoshur mendjen e tyre. Dhe për ta konkretizuar të gjithë çfarë thashë e shkrova më sipër, në mbyllje të këtij shkrimi, do të perifrazoja një sentencë të psikiatrit dhe shkrimtarit italian Vittorino Andreoli, i cili thotë: Nuk kemi nevojë vetëm për njohuri racionale, por edhe për diçka të çuditshme, magjepsëse, madje edhe misterioze, pasi misteri mbetet brenda mendimit njerëzor…

Si prindërit, por edhe mësuesit, burra apo gra, me detyrën të rrisin një grup njerëzish, duhet të jenë dirigjentë orkestre dhe duhet të veshin, qoftë edhe materialisht, një fustan që ka shije ceremonie, që i përshtatet pjesës tuaj. Prishini të gjitha formalitetet dhe do të kuptoni që nuk ishte fshirja e zbukurimeve të thjeshta por shenjtëria e jetës.

 

 

 

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.177, muaji Mars

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top