Prindërimi ka qenë gjithmonë sfida më e madhe e njeriut, por sot, më shumë se kurrë, po e kuptojmë se sa e vështirë është të mbash të sigurt një fëmijë në një botë ku dhuna po bëhet gjuhë e përditshme. Çdo ditë dëgjojmë zënka, përleshje, djem të vegjël që dalin nga shtëpia si fëmijë dhe kthehen, nëse kthehen, si viktima.

Përdorimi i armëve të ftohta është kthyer në një normalitet të frikshëm. Askush nuk trembet nga pasoja, që mund të jetë fatale. Sot, një thikë në duart e një adoleshenti është bërë si një aksesor i zakonshëm, si diçka që e merr me vete “për çdo rast”. Dhe kjo është tragjedia më e madhe, humbja e ndjeshmërisë për vlerën e jetës.
Dy të rinj në zonën e ish-Kënetës në Durrës ranë pre e këtij realiteti të errët. Me të njëjtin skenar absurd: “Hajde sqarohemi!” Sikur nderi dhe e vërteta zgjidhen me grushta e me teh thike. Kemi një brez të brishtë, të hutuar, që shpresën e vendosin në përballje, jo në dialog. Një brez që, fatkeqësisht, nuk e kupton ende se shpirti nuk ushqehet me urrejtje, as me dhunë, dhe se çdo plagë e shkaktuar sot është një barrë që do ta ndjekë gjithë jetën.
Edhe këtë herë, gjithçka nisi aty ku nis shumë dhunë e sotme në rrjetet sociale. Shkëndija virtuale u kthye në zjarr real. Dy grupe adoleshentësh u përplasën fizikisht në rrugën “Laguna e Karavastasë”. Debatet me tone të ashpra degjeneruan në gjak. Një 14-vjeçar, ende fëmijë, ngriti thikën dhe goditi katër herë një 15-vjeçar , moshatarin e tij, një fëmijë si vetja, duke e lënë mes jetës dhe vdekjes.
Sot një nënë po lutet në Spitalin Rajonal të Durrësit, pranë shtratit të djalit të saj, që ai të mbijetojë. Një tjetër nënë nuk po e kupton se si fëmija i saj 14-vjeçar po përballet me akuza të rënda për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe për mbajtje të armëve të ftohta. Dy familje të shkatërruara. Dy jetë të thyera. Një shoqëri e tërë që rrëshqet poshtë, dhe askush nuk po e ndal këtë tatëpjetë.
Ne si shoqëri dukemi të dorëzuar. Një vend i vogël, por që prodhon gjithnjë e më shumë minorenë të rrezikshëm. Masat mungojnë, ndëshkimi mungon, drejtësia mbyll sytë dhe e justifikon dhunën me moshën. Ndërkohë, vargu i 15-vjeçarëve të plagosur, të sakatuar, të humbur, po rritet. Dhe ne, prindër me halle, me mungesë kohe, me barrë ekonomike e kulturore, pa dashje po i shtyjmë fëmijët drejt një agresiviteti që nuk di ta ndalojë askush.
Nuk mjafton një apel shoqëror. As një protestë e vogël. Koha e debatit ka kaluar. Tani duhet reagim i vërtetë, i madh, i ndjeshëm dhe i menjëhershëm. Duhet vendimmarrje e thellë, qendrore. Duhet të zgjohemi, të gjithë, para se një tjetër fëmijë të bjerë, para se një tjetër nënë të qajë, para se kjo plagë të bëhet e pashërueshme.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

