Një kohë e paprecedentë, me bilanc vrasjesh e vetëvrasjesh gati të një lufte, do të mund të konsiderohet ajo që po jetojmë. Pafund raste dhune, keqtrajtimi, përdhunimi, bullizimi, abuzimi, marrje jete brenda familjes dhe jashtë saj, si dhe plot raste vetëflijimi. Numra që shtohen çdo ditë, një fenomen krejt i jashtëzakonshëm për ditët që jetojmë.
Nuk ka ditë të mos e gdhijmë apo ta ngrysim duke dëgjuar lajme të tilla. Në Shqipëri, me shqiptarë në botë, brenda familjes.
“Dhunoi babain/nënën”, “Abuzoi me vajzën/nënën/motrën”;… e sa e sa të tjerë që duket se po na bëjnë edhe më fatkeqë si popull. Drama shqiptare e kudondodhur na shkundi sërish edhe këtë fillimjave, ku një 26-vjeçar, në Fier, kishte dhunuar nënën dhe kishte tentuar të kryente marrëdhënie me të motrën. Mjerisht, nuk ka më ku të ndalesh apo të referosh mbi atë se çfarë po ndodh me këta njerëz, të cilëve edhe nëse u gjen diagnozën për çrregullime mendore, i ke rrugëve, sheshit dhe mund të jesh papandehur i rrezikuar sepse nuk duan apo nuk munden të marrin ilaçet.
Po të ecësh nëpër rrugë, sikur dhe një individ normal, me aq sa ka lexuar dhe dëgjuar, mundet të përcaktojë dikë që ka probleme të çrregullimit mendor. Unë personalisht shoh mjaftueshëm çdo ditë nëpër rrugë, kryesisht të rinj dhe mosha mesatare, të cilët vuajnë por edhe bëjnë të tjerët të vuajnë. I hasim edhe nëpër mjediset ku jetojmë, në pallat, në kafe, gjithandej. Disa për fatin e keq janë aktivë, të tjerë për fatin e mirë, janë pasivë.
Mesa duket Forca e Shëndetësisë/Ligjit duhet të përgatitet të nisë seriozisht dhe pa kushte një mision të tillë, tejet të domosdoshëm në gjendjen ku ndodhemi. Duhet marrë edhe më shumë seriozisht gjithçka pasi ky numër vrasësish, abuzuesish, përdhunuesisht me probleme të theksuara të shëndetit mendor po shtohet dita-ditës.
Duhen gjetur mënyrat e menjëhershme për të frenuar këtë fenomen të frikshëm, nga i cili nuk duhen gjetur vetëm fajtorët psikikë. Pavarësisht se jemi një shtet ku dëgjojmë shpesh të thuhet se jemi i vogël, që nuk kemi burime të mjaftueshme njerëzore, infrastrukturë apo nuk di më çfarë, duhet të ngrihemi vullnetarisht dhe të japim kontributin njerëzor, me çmimin për Jetën.
Dhe pavarësisht se sa i mbrojtur mund të të duket vetja nga njerëz të tillë, me deformime psikike, që gjithashtu vuajnë në veten e tyre rrathët e ferrit, duhet sidomos mjekët e fushës të mbështetin me profesionalizmin e tyre për ndalimin e këtij tmerri. Dhe nis që nga mjeku i familjes, i cili është aleati i parë.
Natyrshëm, edhe mësuesit, të cilësuar si të trajnuar në këtë drejtim, duhet të japin kontributin e tyre për të parandaluar të keqen më të madhe.
Por edhe prindërit, të pamundur për të pranuar të vërtetën, sepse ka shumë të tillë që mohojnë që fëmija e tyre të ketë çrregullime, duhet të përpiqen me mish e me shpirt për të mirën e fëmijës së vet në radhë të parë, për t’ia lehtësuar jetën atij dhe ne të tjerëve.
Shëndeti mendor është konsideruar si sëmundja e shekullit, si kanceri, por vallë a duhet t’i japim dorën dhe ta lëmë të na shuajë përpara? Pse të mos përdorim mekanizmat e duhur në kohë dhe sa më shpejt, në vend që të na bëjë viktima?
T’ia nisim të gjithë nga vetja, të konsiderojmë çdo ushtrim të mundshëm, qoftë edhe përmes faqeve online falas, për të përcaktuar nevojat që mund të kemi në drejtim të shëndetit mendor.
Psikologët dhe psikiatrit nga ana tjetër, të japin dorën e tyre të shpresës dhe të mos rendin të zgjerojnë vetëm hapësirat për metër katrorë për të ushtruar profesionin e tyre, por të bëhen palë ndihme për identifikimin e rasteve. Sepse kujdesi për jetën fillon nga kujdesi për shëndetin mendor më së pari.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.