Editorial

July 3, 2025 | 17:30

Nga Orjona Tresa: Sa më shumë rritemi, aq më shumë u ngjajmë prindërve tanë

 

Nuk ka vetëm një çast të shkëputur kur e kupton. Nuk ka një dritë që ndizet befas e pastaj zhduket. Por një ditë, në mes të një veprimi të vogël, të zakonshëm, një fjalë që shqipton, një mënyrë reagimi, një përqafim mbrojtës, dhe ti e kupton që po bëhesh si prindi yt. Dhe pas kësaj: e ndjen. Nuk është çështje moshe. Është çështje përvoje. Përvoje që grumbullohet ngadalë, përmes sfidave dhe dashurive, dhimbjeve dhe shpresave.

familja123

Kur mbajta për herë të parë vajzën time në krahë, – që ishte dhe fëmija e parë, – provova një ndjesi që nuk kishte emër. Ishte një përzierje gëzimi, frike dhe përgjegjësie. Por mbi të gjitha, ishte diçka thellësisht e njohur. Një ndjesi subkoshience që nëna ime duhej ta kishte përjetuar dikur për mua. Dhe aty kuptova se, cikli kishte nisur sërish.

Psikologjia e brezave na mëson se modeli prindëror nuk trashëgohet vetëm përmes gjakut, apo ADN-së, por përmes emocioneve, mënyrave të përballjes, heshtjeve dhe shprehjeve. Rritja e një fëmije nuk është vetëm detyrë, por edhe pasqyrë e vetes, aty ku shfaqen gjurmët e kujt na ka rritur, shpesh edhe pa vetëdijen tonë.

Kur fëmija sëmuret dhe ti qan, je ti në pamje, por brenda teje është prindi yt që dikur ka qarë për ty. Kur fëmija përjeton dështimin e parë, e ti ndihesh fajtor pse s’mund ta mbrosh nga jeta, atë faj e ka ndier edhe nëna jote, ndoshta pa mundur ta shprehë dot me fjalë. Kjo ndodh sepse në sendërtimin e modeleve ne jo vetëm trashëgojmë mënyrën si duam, por edhe si frikësohemi, si vendosim kufij, si sakrifikojmë. Dhe psikologjikisht, ky është një zinxhir i gjatë formësimi, ku secili brez i jep të ardhmes një version të vetin të dashurisë dhe mbrojtjes.

Më ka ndodhur që kur kam qortuar fëmijën tim, më pas jam ndalur dhe pse jo, e pohoj, jam ndjerë në faj. E këtë e kam parë edhe më herët, në sytë e nënës sime. Edhe ajo është ndier fajtore kur i është dashur të më thotë “jo”, sepse nuk kishte rrugë tjetër. Ashtu siç nuk kam pasur dhe unë në një çast të veçantë të prindërimit. Sepse prindërimi është një fije e hollë ndërmjet dashurisë dhe disiplinës, dhe të dyja duan guxim.

Në psikologji flitet për “skriptet familjare”, modele sjelljeje që përsëriten brez pas brezi. Disa janë të dukshme, si për shembull, mënyra si përqafojmë, si ruajmë distancën, si komunikojmë ndjenjat. Të tjerat janë të heshtura, siç mund të jetë mënyra si përballojmë humbjen, si menaxhojmë dështimin, si flasim për suksesin. Të gjitha këto janë gurët mbi të cilët ndërtohet personaliteti i fëmijës, i yni teksa rritemi.

Ne jemi vazhdim i heshtur i brezit që na parapriu. Jemi ata që kemi mbajtur mbi shpinë ëndrrat dhe frikërat e prindërve tanë, pa e kuptuar ndoshta. Por jemi edhe ata që kemi të drejtën, dhe detyrën, të përcjellim një model më të shëndetshëm, më të ndërgjegjshëm. Të shndërrojmë plagët dhe vuajtjet e trashëguara në mençuri. Të ruajmë dashurinë, por të ripërkufizojmë kufijtë. Të jemi një brez më pranues, më i hapur ndaj ndjenjave.

Nëse ka një mësim të madh që sjell prindërimi, është ky: nuk jemi kurrë vetëm. Brenda nesh flasin breza. Dhe përmes fëmijëve tanë, zëri ynë do të flasë nesër. Si një jehonë që nuk shuhet, por ndryshon formë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top