Asgjë nuk pi më ujë, as një deklaratë e tipit “fatkeqësi natyrore” nuk mban justifikim. Shqipëria është në kaos total. Rrugët, tunelet, energjitika, shëndetësia, drejtësia, arsimi dhe çdo hallkë që mban shtetin po është kurrkund. Ne, shqiptarët po përballemi me krizën më të rëndë funksionale si shtet, duke u përballur me rrezikun, madje duke u shndërruar në viktima të vendit tonë.

Askush nga pushtetarët, drejtuesit e lartë nuk del ballazi dhe të mbajë përgjegjësi për çfarë po ndodh me vendin tonë. Shohim vetëm nëpunës apo vartës që me të drejtë thonë aq sa munden se nuk dinë as ata ç’të bëjnë.
Edhe pse muaji i shenjtë i Ramazanit, (le që kush pyet), as po duket ndonjë drejtues shteti të qetësojë ndopak qytetarët, të cilët enden rrugëve, të rrezikuara nga ndonjë fatalitet i mundshëm. Do kujtohen, për iftarin ndonjë nga këto ditë, t’u hedhin hi syve si gjithmonë. Nuk ka shtet t’i tregojë dhëmbët as kontraktorëve që merren me rrugët e nivelit të lartë në vend, të japin shpjegime se gjithçka po shkon për dreq. Çfarë duhen, viktima, që të bëhet bujë e madhe, apo dhe ata do i fusni në kategorinë “fatkeqësi natyrore”? Turp për besë, dhe turp për cilindo është i përfshirë në këtë maskaradë njerëzore, që pi gjakun e të pafajshmëve. Turp për antihumanizmin dhe verbërinë psikotike të përpirë nga pushteti dhe paraja.
Gjysma e Shqipërisë është bllokuar nga rrugët “e reja”, të shkatërruara pa iu dalë qejfi i inaugurimit. Një butafori e shëmtuar në kurrizin e shqiptarëve.
Akoma nuk u ngopët? Akoma?
Rruga nacionale Librazhd-Përrenjas ka shkuar për dreq. Për fat të keq, ata pak specialistë të hajrit që kanë mbetur, njoftojnë për një tjetër situatë shqetësuese, zhvendosjen dhe fundosjen e bazamentit të shtyllës së tensionit të lartë 110 kV, nr. 15, që lidh HEC Egnatia me nënstacionin e Librazhd. Problematika është konstatuar pas lëvizjeve të tokës në zonë, duke ngritur alarmin për sigurinë e linjës së transmetimit.

Tuneli i Llogarasë shkoi për dreq. Rruga e Kombit me problematika të tjera infrastrukturore, Qukës-Qafë Plloçë në mëshirë të fatit, edhe ajo Korçë-Ersekë si po mbahet e gjora, autostrada Tiranë-Durrës mbeti me arna, edhe ato 5 kilometra drejt Vorës sikur me qenë rrugë transatlantike, nuk po përfundojnë dot. Lëre pastaj deri në Durrës, që je viktimë e çdo segmenti dhe e mungesës së infrastrukturës. Rruga e vjetër e Ndroqit, keq e më keq. 2 vjet për 2 kilometra. Ah sa keq dhe mjerim për derexhenë ku përfunduam!
Shqiptarët i shpërngulën nga shtëpitë e tyre, i mblodhën shumicat brenda një pushteti, në Tiranë, për ta pasur më të lehtë jetëgjatësinë me votë. Të tjerët, moshën më të re, e shtynë të shkonte jashtë kufijve, në emigrim, për të mos i pasur ngatërresë nëpër këmbë. Qytetet i braktisën, i rrënuan. Ku po shkojmë?
O Zot, bëje mirë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

