I.T. u paraqit në ambulancë për një rikontroll pas të papriturës që i bëri zemra një javë më herët. Frika nga ndonjë kapriço e radhës, e bën tani më të ndjeshëm, aq sa ka edhe panik se mos diçka tjetër luan pabesisht në trupin e tij. I. i ka kaluar të 70-at. Është normale për moshën e tij të përballet me tekat e shëndetit. Pandemia ia ka shtuar edhe më shumë alarmin, ndërsa vetë mosha e tij kërkon ndjeshmërinë, përkujdesjen dhe mbështetjen e veçantë, kryesisht atë emocionale.
I.T hasi ngërçin e paparashikueshëm. Ndonëse u detyrua i pafuqishëm të shkonte vetë pranë ambulancës ku është i regjistruar, përcjellja për një konsultë klinike pas ndërhyrjes koronare, e bëri të përjetonte një ngarkesë të padëshiruar psikologjike, për më tepër kur kohë u kish marrë edhe familjarëve të punësuar për t’i qëndruar pranë. Kjo sorollatje e padenjë për një pensionist, një qytetar, një prind, një gjysh, një bashkëshort, i kalonte caqet e qytetarisë që duam. Me gjithë ngarkesat e mbishtuara nga pandemia globale, civilizimi dhe humanizmi janë të vetmet mburoja që kemi për të mbajtur gjallë shoqërinë. Janë tipare që jo vetëm nuk duhen mohuar, por duhet përpjekje për t’i pasur e për të përballuar situatën e përkeqësuar. Të gjithë jemi të shqetësuar se si do të shkojë e gjitha, por kjo nuk do të thotë të dorëzohemi apo të presim diçka nga qielli për t’u përmirësuar. Të gjithë për njëri-tjetrin do të ishte ajo që duhet të na bëjë bashkë, për të qenë më të fortë për të kapërcyer bashkërisht situatën.
Thyerja ndikon keq në secilin prej nesh. Shëndetësia është fronti me më vështirësi në këto kohë. Arsimi gjithashtu. Njëra mban përsipër ecurinë e shëndetit të njerëzve, tjetra formimin dijesor të brezave të rinj. Është gjithashtu krejt e natyrshme që këtyre dy shtyllave të rëndësishme të shoqërisë t’u bjerë barra më e madhe e përgjegjësive. Por, në kushte të tilla, askush nuk duhet të pendohet pse ka zgjedhur të jetë në këtë anë apo në anën tjetër.
N.J që është veç një fëmijë u kthye nga kopshti pa hedhur hapin për të hyrë brenda. Grupi i saj ishte mbyllur. Corona kishte prekur mësuesen kujdestare. Vetëm kaq. Asnjë lajm apo njoftim më shumë. Stafi i reduktuar i edukatorëve nuk e mirëpriti atë mëngjes të hëne vogëlushen. “Kthehu mbrapsht!”, dhe kaq ishte i gjithë diskutimi i përfaqësueses së kopshtit me prindin e N.J. Një ditë e nisur aspak këndshëm në gjithë amullinë që ka shkaktuar jo veç pandemia, por edhe paniku abuzues mes të punësuarve shtetërorë. Në vend të një njoftimi në formë qytetarie përmes telefonit apo një mesazhi etik, mohimi në përballjen e fillimditës dhe përcjellja, ishte gjuha aspak e këndshme për vazhdimësinë e ditës.
Prindi humbi ditën e punës, fëmija qëndrimin më bashkëmoshatarët, gjyshërit qetësinë. Sikur e gjitha të kishte nisur me një thirrje telefoni a një mesazh, me një ndjesë shoqëruese për pamundësinë, me një mirëpritje shpresëdhënëse për rikthim të shpejtë, a fjalë të tjera mirësjelljeje, vogëlushja nuk do të lëndohej, prindi do t’i kishte marrë masat për të sistemuar fëmijën, gjyshërit do të ishin përgatitur që do të kalonin një ditë ndryshe me mbesën.
Sikur të gjithë bashkë, në pozicionet ku gjendemi të japim maksimumin tonë të qytetarisë dhe humanizmit në kuptimin e sjelljes, nuk do lëndonim as veten, as të tjerët. Në këtë situatë globale, të gjithë jemi të prekshëm, të cenueshëm nga fenomeni Covid-19, por kjo nuk duhet të na bëjë më të egër, në vend që të ruajmë qetësinë dhe të përpiqemi të menaxhojmë ngarkesën e të padëshirueshme. Njerëz, gjykoni me dashuri dhe me zemër, do t’ju lehtësojë sjelljen, do t’ju bëjë të përjetoni paqen më shumë se sa ankthin dhe stresin që dominon më të dobëtit.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 161
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.