Makabriteti i radhës u regjistrua sërish. Një monstër, sepse njeri nuk mund ta quash, përveçse tentoi në fillim t’i përçudnonte jetën, një fëmije, vajzë 11-vjeçare, shkoi deri aty sa kafshërisht i mori jetën dhe e hodhi tutje në kanal. Këta individë, me keqformim ADN-je, janë prodhuar si zombi, qenie jo të natyrshme, për vetë ekzistencën e tyre. Dhe më e keqja nuk qëndron vetëm pas këtij akti fatal, por mbi gjenezën e lidhjes së këtij përbindëshi me vogëlushen. Ajo ishte mbesa e tij.
Në ç’botë jetojmë vallë?
Raste të tilla, fatkeqësisht regjistrohen gati çdo ditë. Një shifër alarmante për aq sa raportohet në media. Pa menduar se sa të tjera e të tjera fshihen pas turpit prej humbjes së nderit apo marrjes vesh në publik.
Në vitet e fundit, rastet e krimeve të kryera brenda familjes kanë shënuar një rritje të frikshme. Dëgjojmë për ngjarje ku një i afërm mashkull përdhunon dhe vret vajzën, gruan, mbesën, vëllai vret vëllanë, babai vret vajzën, djali vret nënën apo burri vret gruan, ndjejmë një goditje të fortë në shpirt. Këto janë skena që tregojnë se shoqëria është në krizë të thellë, se familja ka humbur themelet e saj bazike, ndërkohë që beteja me shëndetin mendor ka trazuar edhe më fort ujërat drejt çuarjes në ngjarje tragjike.
Për psikologët dhe sociologët, natyrisht që këto fenomene ndodhin për disa arsye, faktorë që ata i ndërlidhin me prishjen e strukturave tradicionale të familjes, mungesën e edukimit dhe stresorëve të tjerë si injoranca, papunësia, varfëria dhe mungesa e mbështetjes sociale. Të gjitha këto sipas tyre ndikojnë në këtë gjendje alarmante, ku krimet brenda familjes shtohen dita-ditës. Por ka dhe një faktor që ndikon po kaq fort në shtimin e përbindëshave vrasës, që është, vuajtja nga çrregullime të thella të shëndetit mendor.
Para disa vitesh OBSH paralajmëroi se deri në vitin 2050 sëmundjet e shëndetit mendor do të kryesonin listën e sëmundshmërive më të mëdha botërore. Por kjo po ndihet fort që sot.
Në një botë gjithnjë e më të urbanizuar dhe të teknologjizuar, luftërash dhe pasigurish ekonomike, shëndeti mendor është më i sulmuari drejtpërdrejtë. Stresi thonë mjekët është shkaktari kryesor i sëmundshmërive të rrezikshme, siç është dhe dëmtimi psiko-neurologjik i trurit. Dhe më e keqja, në vendin tonë stigma apo turpi se vuan nga çrregullime të tilla dhe se ke nevojë për trajtimin e duhur tek specialisti përkatës konsiderohet ende një tabu. Po, po. Dhe kjo nuk ndodh vetëm mes shtresave në nevojë, ku analfabetizmi apo varfëria sociale nuk i lejon të ndriçohen dhe të kërkojnë ndihmë, por edhe mes intelektualëve, ku raste të tilla ka plot. Frika se vuajnë nga çrregullime mendore dhe adresimi tek mjeku psikiatër i bën edhe më agresivë. Atyre mjekimi nuk u duket shpëtim, por varje në litar. Në fakt, viktimat në këtë rast bëhen vetë familjarët. Ata që me gjithë vullnetin dhe dashamirësinë për t’i shpëtuar, bëhen vetë laku i fundjetës së tyre.
Mungesa apo heshtja e trajtimit të problemeve të shëndetit mendor çon në shpërthime të dhunës dhe kriminalitetit brenda familjes. Sepse janë vetë familjarët ata që jetojnë me ta.
Po çfarë duhet bërë?
Qeveritë duhet të investojnë në shërbimet e shëndetit mendor dhe të sigurojnë që këto shërbime janë të aksesueshme dhe të përballueshme për të gjithë. Nëse ka një nevojë për frenimin e këtyre ngjarjeve, ajo duhet të jetë emergjente. Në formën e një censusi me target shëndetin mendor, që të vërë në gatishmëri strukturat e mjekut të familjes të cilët kanë rënë në gjumë, ku as stetoskopin nuk ngrenë dot më që prej pandemisë, të ndërgjegjësojë radhët e vullnetarëve, studentë të mjekësisë, për të dhënë kontributin në depistimin dhe marrjen e masave për zgjidhjen e kësaj emergjence.
Por nuk mbaron me kaq.
Familjarët duhet të bëhen gjithnjë e më shumë bashkëpunëtorë, të tregojnë dhe të mos fshehin sëmundjen mendore që mund të ketë një i afërm në familje, sepse heshtja nuk të shpëton në këtë rast. Edhe shoqëria duhet të ndërgjegjësohet, të jetë më aktive dhe mbështetëse, jo përbuzëse dhe tallëse përmes keqpërdorjes së individëve që publikojnë në rrjete të ndryshme sociale. Vetë shoqëria duhet të edukojë dhe të ndërgjegjësojë për rëndësinë e shëndetit mendor, duke luftuar stigmat dhe duke promovuar kërkimin e ndihmës profesionale. Pra, nevojitet një zinxhir vetëbesimi, koordinimi dhe shpëtimi për aq sa të jetë e mundur për të shpëtuar jetë njerëzore. Jo të gjithë janë “viktima” të shëndetit të tyre mendor. Shkenca dhe kurat kanë avancuar në bërjen e një jete më të përshtatshme. Kjo kërkon një përpjekje kolektive për të adresuar dhe trajtuar problemet e shëndetit mendor në mënyrë të hapur dhe me ndjeshmëri. Vetëm atëherë mund të shpresojmë për një të ardhme më të sigurt dhe më të ndritshme për të gjithë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.