Editorial

October 7, 2025 | 8:30

Nga Orjona Tresa: Tetori rozë, vigjilencë që duhet të jetë përtej një muaji

 

 

Tetor. Një muaj që vishet me rozë. Por nën atë ngjyrë, fshihet një dhimbje e thellë. Një realitet që nuk është më larg nesh, por është mes nesh. Në familjet tona, në lagjen tonë, në punën tonë, në heshtjen e një shoqeje që ka filluar të mungojë.

orjona-foto-editorial-okKanceri i gjirit nuk është më thjesht një sëmundje që kemi dëgjuar diku larg. Sot, është çdo ditë më afër. E kam dëgjuar pafund: “Pas pandemisë, u duk sikur shpërtheu. Një familjar, një të njohur, një mikeshë…, dhe lista nuk ka fund. Mosha e rrezikut është ulur. Vajza 28-vjeçare, gra 35-vjeçare, por edhe nëna 70-vjeçare.

Në dyert e spitalit onkologjik të Tiranës, i vetmi në gjithë vendin, shohim një realitet të zymtë: flukse, pritje të gjata, salla të mbushura përtej kapaciteteve, njerëz që mbajnë radhë jo vetëm për shpresë, por edhe për një vend ku të rrinë, një fjalë që të mos thyejë shpirtin, një përqafim që të mos ndihesh vetëm. Pacientë të rinj e të moshuar, në faza të para e të avancuara, të gjithë bashkë, në një rrugëtim të gjatë, të lodhshëm dhe të pasigurt.

E dini çfarë është më e rëndë se diagnoza? Qëndrimi në radhë për të marrë të drejtën për t’u kuruar. Mungesa e ajrit të pastër, shtretërit e konsumuar, tualetet që rrallë janë funksionale, mungesa e filtrimit për ata që janë në terapi të dobësuar, janë plagë të sistemit, por edhe të ndërgjegjes sonë kolektive. Sepse ky spital, ky realitet, është pasqyra jonë. Dhe jo, nuk janë fajtorë mjekët që përballen me dhjetëra pacientë në ditë, që i mbajnë të dhënat në regjistra të vjetruar e i shkruajnë me dorë në sistemet online që shpesh nuk funksionojnë. Ata janë në vijën e parë, ndonjëherë më të ekspozuar se vetë pacientët.

Por le të flasim për një të vërtetë tjetër.

kanceri-gjirit

Kjo sëmundje është e lidhur me jetën që jetojmë, me stresin e përditshëm, me mungesën e ushqimit të pastër, me ndotjen e ajrit dhe të ujit, me ankthin e ekzistencës, me peshën që gratë mbajnë në heshtje. E megjithatë, jo gjithmonë mund t’i kontrollojmë këta faktorë. Por ka diçka që mundemi të bëjmë, të ndërgjegjësohemi dhe të veprojmë herët. Të shkojmë për kontroll. Të flasim. Të informojmë. Të ngremë zërin për më shumë mbështetje. Zbulimi i hershëm është mundësia më e mirë për shërim. Një mamografi. Një vetëkontroll. Një vizitë çdo vit. Këto nuk janë lukse, janë shpëtim.

Dhe për ata që tashmë po luftojnë, le të mos i lëmë vetëm. Sepse nuk është sëmurë vetëm ajo apo ai që merr diagnozën. Sëmuret familja. Sëmuren prindërit, fëmijët, bashkëshorti, motra, shoqja. Dhe të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin.

Ndaj këtë Tetor, mos e përkufizoni këtë muaj me një shall rozë! Jepini një kuptim të vërtetë! Jepini zë atyre që nuk kanë fuqi të flasin! Bëhuni dritë për dikë që është në errësirë! Sepse kanceri i gjirit është një plagë që s’e shëron vetëm mjekësia. E shëron edhe kujdesi. Edhe pranimi. Edhe dashuria. Edhe solidariteti. Dhe më e rëndësishmja, e shëron ndërgjegjësimi, përpara se të bëhet vonë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top