Po, ti mundesh! Mundesh ta ngresh kokën lart dhe të rifillosh çdo herë nga e para. Mundesh, sepse brenda teje gjithmonë ka një dritë që asnjëherë nuk shuhet. Ajo qëndron aty kur emocionet e tua rrëzohen, kur të duket se errësira të ka pushtuar dhe nuk ka shpresë. Por jo, është ajo dritë e vogël që kemi të gjithë brenda vetes dhe duhet t’i gëzohemi pse e kemi. Sepse ajo dritëz, sado e vogël, na shërben pikërisht atëherë kur nevoja është e madhe.
Asnjëherë nuk është vonë. Sfidat dhe vështirësitë na e bëjnë më të kuptueshme rëndësinë e të parit jetës edhe përmes një dritëze. Ajo i shërben mosdorëzimit, i cili çon në hendeqe të pazgjidhshme. Ajo dritëz është optimizmi, i cili na kthjellon e na sjell me këmbë në tokë, për të na shërbyer si një mësim jete dhe jo si një dështim. Ajo dritëz është zgjimi, zgjimi letargjik i shkaktuar nga problemet, të cilat na pengojnë të shohim dhe kërkojmë lirinë e të jetuarit.
Sa e shndritshme bëhet ajo dritëz kur ti arrin të kapësh fitoret, të gjesh udhën e shpëtimit, të kapërcesh vuajtjet, të rilindësh me dëshirën për jetën.
Le ta konsiderojmë të tillë çdo fillim viti. Një mundësi për të parë thellësisht brenda vetes, për të konsideruar çdo mundësi që na jepet, për të mos u dorëzuar përballë sakrificave që na lipset të bëjmë, të gjejmë kohën për veten dhe të dashurit, të mos e kursejmë apo të tërhiqemi se nuk ka energji për të marrë. Përkundrazi, energjinë na e jep ajo dritëza e vogël, e cila na bën të lëvizim malet nëse duam më të mirën për veten.
Asgjë nuk ka vlerë më shumë se sa shpirti i lirë, i gëzuar, plot dritë shprese dhe i motivuar për ta bërë jetën të jetueshme bukur, dhe jo peng të vështirësive.
Kërkoni dritën brenda vetes, dhe ajo do t’ju ndriçojë jo vetëm juve në udhën tuaj, por të gjithë ata që me zgjedhje apo jo, ndriçohen nga ndriçimi juaj. Dhe aty ku ky shkëlqim vezullon, atmosfera dhe gjithçka përreth, kudo ku do të gjendeni, do të sjellë harmoninë e dëshiruar.
Nise vitin jo thjesht me urimin klishe, “qoftë i mbarë…”, po përpiquni që brenda tij të përçoni dritën tuaj të mirësisë, dhe në vend të përcaktoni llojin e dëshirës, përpiquni ta konkretizoni me qenësinë tuaj.
Sido që të kenë qenë vitet që lamë pas, le të gjykojmë për mirë veten, t’i japim vëmendjen që i takon, të përqafojmë dhimbjet dhe t’i vazhdojmë betejat për t’i dhënë kuptimin e merituar jetës.
Besoni tek vetja, energjia juaj! Ti vlen!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.