Aktualitet

June 25, 2025 | 16:37

Nga Orjona Tresa: Tre fëmijë të përplasur me monopatina në bulevard, a është ky çmimi i lirisë pa rregulla?

Një situatë problematike që e ndeshim çdo ditë. Tepër shqetësuese dhe, ndonjëherë, e frikshme. Jam dëshmitare e këtij realiteti, në çdo rrugë të Tiranës.

femijet-monopatina

Fëmijë në adoleshencë, e jo pak edhe të rritur, ecin në mënyrë të tmerrshme nëpër korridore makinash, në trotuare, e në çdo kryqëzim rrugësh, pa marrë parasysh asgjë: as njerëzit, as automjetet, as makinat e tonazhit të rëndë, e aq më pak semaforët.
Djem e vajza që rrëshqasin me shpejtësinë e një dyrrotakëshi, që të fshikullon në kalim, pa asnjë masë mbrojtëse. Për të ardhur keq është pamja e prindërve që i mbajnë para vetes fëmijët e vegjël, në këmbë, pa kaskë. Ajo që mund të bëj në distancë është thjesht të mbyll sytë nga frika që më kaplon.
Ca të tjerë ecin çift, ngjitur me njëri-tjetrin, sikur kjo mënyrë do t’ua shkurtojë rrugën. Ka nga ata që udhëtojnë mbi taka të larta apo me pandofla. Dhe nuk mungojnë as ata që nuk e heqin celularin nga veshi as gjatë ngarjes.
Jam e pafuqishme përballë këtij kaosi, që duket se është shtuar edhe më shumë muajt e fundit.
Para disa kohësh më tronditi lajmi për një vajzë të re që ishte përplasur rëndë, pasi e kishte tradhtuar monopatina që drejtonte. Përfundoi në koma, në gjendje kritike për jetën. Nuk arrita të mësoj më shumë për fatin e saj, lajmi u përmend në një bisedë të rastësishme. Por mjaftoi të më trondiste.
Në këtë qytet tonin, kaq të vogël në numër, nuk pushojnë alarmet e urgjencave. Një pafundësi aksidentesh, e duket sikur është bërë fatkeqësi kolektive të ruajmë respektin për rregullat, për njëri-tjetrin.
Por mesa duket, askujt, madje as institucioneve shtetërore, nuk po i bëhet vonë. Ka një apati të frikshme, një rënie të lirë të njerëzve, pa asnjë vullnet për vetëpërmbajtje apo vetëmenaxhim.
Kjo liri e shfrenuar është kthyer në një problem serioz, sepse nuk ekziston më kultura e ndëshkueshmërisë.
Rasti i tri fëmijëve të aksidentuar mesditën e 25 qershorit, në mes të bulevardit, është një tjetër fatkeqësi e madhe. Sot, më shumë se për të gjetur fajtorin, duhet të mendojmë për zgjidhje urgjente.
Mbetet media ajo që duhet të ngrejë zërin, që herë pas here ta rikthejë këtë fenomen në vëmendje. Sepse duket se vetëm viktimat, vetëm tragjeditë, arrijnë ta bëjnë një problem vërtet madhor për shoqërinë tonë.
Për mua, ligji duhet të jetë i rreptë. Jo vetëm që të prodhojë përgjegjës, por të krijojë një kulturë ndjekjeje të penaliteteve ekstreme. Sepse jetojmë ende në një realitet ku “mitmarrja”, njohjet e brendshme apo “paraja kap qiellin” janë ende mënyrë zgjidhjeje.
Po jetën… a e blen dot me para?
Një fëmijë mbetet fëmijë. Në adoleshencë, koka merr erë, përgjegjësia shpesh është vetëm një fjalë bosh. Por shteti ka detyrën të reagojë. Të ndërhyjë me forcën e ligjit për të parandaluar rrezikun dhe viktimat.
Dhe kur ligji mungon, kur media bërtet me prova për rëndësinë e tij, shteti hesht. Kur them “shteti”, nuk e kam fjalën për një, dy apo tri individë, por për të gjithë ata ligjvënës që shqyhen për të marrë votën, e pastaj, sapo zënë karrigen komode, harrojnë pse janë ulur aty.
Një thirrje e kam edhe për ju, përdorues të monopatinave: duajeni veten pak më shumë! Kontrolloni shpejtësinë! Respektoni rregullat dhe hapësirën e lejuar! Respektoni këmbësorin, që nuk jua ka për borxh t’i prisni rrugën apo t’i kaloni pranë me një shpejtësi të frikshme!
Kini pak më shumë frikë… sepse rastet po shtohen çdo ditë!
Dhe mos harroni: vdekja po ushqehet çdo ditë me viktima… edhe Sharra e Tufina s’kanë më vend.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top