Editorial

September 27, 2025 | 8:30

Nga Orjona Tresa: Turizmi në Shqipëri, mungesa e qytetarisë, dobësia më e madhe

 

Çdo vit, më 27 shtator, bota feston Ditën Botërore të Turizmit, një ngjarje që nuk është thjesht simbolike, por përfaqëson një reflektim të thellë mbi ndikimin e turizmit në zhvillimin socio-kulturor, ekonomik dhe psikologjik të shoqërive moderne. Data është zgjedhur për të përkujtuar një moment kyç në historinë e turizmit botëror, miratimin e Statutit të Organizatës Botërore të Turizmit më 27 shtator 1970, një akt që hodhi themelet për institucionalizimin dhe orientimin e politikave globale në këtë fushë.

tirana-1

Po Shqipëria, në ç’nivel të turizmit ndodhet? Në fakt, si qytetare, pushuese dhe turiste, në fund të çdo sezoni turistik, bëj një bilanc të asaj çfarë trumbetohet mbi turizmin dhe një realiteti që e prek vetë nga afër. Shqipëria është një vend me potencial padiskutueshëm të shkëlqyer sa i takon natyrës. Kemi det dhe male, por çfarë na mungon? Përgjigjja është e thjeshtë dhe njëkohësisht e hidhur: mungesa e qytetarisë. Ky nuk është një problem i ri, por një plagë që përsëritet vit pas viti, duke ia zbehur bukurinë asaj që duhet të ishte një eksperiencë e këndshme për vizitorët vendas dhe të huaj.

foto-orjona-8-1

Kur shkon me pushime, natyrisht që zgjedh një vend për ambientin, ushqimin, çmimin dhe akomodimin. Pret që ajo që paguan të justifikohet nga shërbimi që merr. Por përtej pritshmërive financiare, më e rëndësishmja është sjellja e atyre që e bëjnë turizmin funksional: njerëzit. Në shumë raste, mungesa e mikpritjes dhe e mirësjelljes bëhet pengesa më e madhe. Nuk po flas për çmime, aty pronarët dinë të jenë “të mençur”, por për respektin dhe mënyrën e të shërbyerit. Ja për shembull, ti prenoton (për t’i shpenzuar dhe kontribuuar njëherësh) në vendin tënd, zgjedh një bujtinë apo një vilë, ose garsoniere për të kaluar 5 ditë plazh (nuk ka më pushime dyjavore, t’i harrojmë) dhe çfarë ndodh. Imazhi i prenotuar sipas rrjeteve sociale nuk përkon me realitetin. Uji është me kontroll, shtretërit janë mizerje, (dyshekut i numërohen rrathët e sustave), mushkonjat të grijnë, energjia është si me të dalë sytë dhe… mos guxo të gatuash se ia kanë bërë dermanin, e kanë çaktivizuar që çdo vakt ta konsumosh si “boss” jashtë. Por kjo situatë nuk na bën vetëm neve përshtypje, turistëve vendas, por edhe atyre të huajve. Iku kjo.

foto-orjona-10-1

Në vitin 2025, pavarësisht hapjes së syve se ç’bëhet andej nga perëndimi në kohë reale, Shqipëria mbetet ende peng i një kulture shërbimi që shpesh nuk ekziston. Punonjës a pronarë lokalesh, restorante apo agroturizme nuk e kanë kuptuar ende se turizmi nuk është vetëm ushqim, shtrat e natyrë, por mbi të gjitha komunikim dhe sjellje. E gjithë vlera e një vendi mund të zhbëhet brenda pak sekondash, se minutash vete gjatë shumë, nëse kamerieri bën batuta banale me kolegun e tij ose kur vizitorët lihen të presin pa asnjë arsye, thjesht sepse personeli ka vendosur të shijojë drekën bashkë. Kulmi, doni të dini? Kur të pyesin se çfarë do të porositësh, ushqimi nëpër dhëmbë dhe pamjaftueshmëria apo mosmbarimi i të përtypurit zgjat, dhe të pengon ta vijosh kërkesën. Shumë fyese. Ka akoma situata. Zgjedh të reflektosh pak mbi menunë. Ajo premton produkte bio, por përballesh që në fillim me një shishe uji të zakonshëm me pagesë. Kërkon një porosi të thjeshtë? Prit kur të të vijë një pjatë e varfër që nuk i afrohet asaj që është reklamuar. Ky more “të dashur” nuk është turizëm, është mungesë respekti. Dhe mbi të gjitha është mungesë qytetarie.

Është e vërtetë që nuk mund t’i fusim të gjithë në të njëjtin kallëp. Ka biznese shembullore, ku mikpritja është pjesë e ADN-së së shërbimit. Por, për fat të keq, në shumicën e rasteve dominojnë sjelljet që i bëjnë turistët të mos duan të kthehen më. Një vend i bukur nuk mjafton për të bërë turizëm. Një det i kristaltë, një mal i gjelbër apo një agroturizëm në majë kodre humbasin gjithë magjinë, kur klienti largohet me ndjesinë e mosrespektimit. Dhe, kjo situatë nuk zgjidhet me dekorime, menu të pasura apo reklama pompoze. Zgjidhet me trajnim, me kulturë shërbimi dhe me një ndërgjegjësim se turizmi është pasuria më e madhe që kemi. Nëse nuk mësojmë të sillemi me qytetari, do të vazhdojmë të humbasim atë që na jep natyra me bujari.

foto-orjona-5-1Për turistët, këshilla është e thjeshtë, mos pranoni asgjë më pak se çfarë ju premtohet. Nëse menuja thotë diçka dhe tavolina juaj ofron diçka tjetër, ngrihuni dhe ikni! Unë kështu bëj! Mos lejoni që mungesa e qytetarisë të bëhet pjesë e normales. Turizmi nuk është vetëm shërbim ekonomik, është pasqyrë e kulturës sonë kombëtare. Dhe për aq kohë sa qytetaria të mbetet e munguar, Shqipëria nuk mund të pretendojë se po bën turizëm modern.

Të mos harrojmë, një nga çelësat më të rëndësishëm të zhvillimit turistik është turizmi kulturor. Këtu nevojitet vëmendje e veçantë. Jo të gjithë turistët vijnë vetëm për t’u larë në det. Shumë prej tyre janë të interesuar të vizitojnë qytete antike, kalatë dhe trashëgimi historike. Ky lloj turizmi shpesh ka më shumë vlerë dhe ndikim afatgjatë sesa aktivitetet si hiking-u apo xhirot me motor në ujë.

Turizmi është një formë moderne e ndërveprimit social që forcon lidhjet mes komuniteteve të ndryshme, jo t’i zhbëjë ato. Ndaj, në këtë ditë Botërore për Turizmin le të reflektojmë kolektivisht mbi rolin e turizmit në ndërtimin e një bote më të drejtë, më të barabartë dhe më të bashkuar. Atëherë, çdo udhëtim do të bëhet një mundësi për rritje personale dhe ndërtim shoqëror.

foto-orjona-3-1  foto-orjona-4-1 foto-orjona-5-1 foto-orjona-6-1 foto-orjona-7-1 foto-orjona-11-1 foto-orjona-2-1 foto-orjona-12-1

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top