Nga Raimonda Dervishi Shundi
Ishte 11 vjeç kur krijoi poezinë e sajë të parë për gjyshen, e cila tashmë është në qiell. E vogla nis të krijojë raportin me librin dhe me të shkruarin për ta kanalizuar drejt detit të emrave inspirues. Një vajzë e thjeshtë nga një familje e thjeshtë, nis të organizojë botën e sajë për atë çka do bëhej motivi dhe ankthi i viteve në vazhdim.
Në fakt e ftuara jonë është vetëm 24 vjeçe dhe prej katër vitesh ka nisur një nga aktivitetet më ambicioze dhe unike për të rinjtë shqiptarë, konkursin mujor “Pena e re”. Një konkurs jo shumë i komentuar në zhurmat e kronikave bombastike televizive. Është konkursi i vetëm ku prioritet janë të rinjtë e lidhur dhe të dashuruar me të shkruarin. Çdo muaj është një përballje moshatarësh e krijuesish. Në aktivitet lexohen dhe ballafaqohen vetë konkurrentët me krijimet e tyre. Ata ndjejnë se si priten krijimet e tyre nga moshatarët, shohin se si është krijimi i shokut, ambientohen me të qenit dominues i situatës e momentit të tyre. Kjo i përfshin në magjinë e krijimit dhe i shtyn më tej për të vazhduar në rrugën letrare. I shoh dhe mundem të prek suksesin e Gertës, Marjana Breçanit, Besart Tafajt, Lediona Brahos, Liridon Mulajt dhe Ivana Hoxhës, e më pas për të kaluar tek fituesit e fundit që janë: Migena Gashi, Desara Allmeta, Rea Shundi dhe Erti Poka.
Gerta gjithçka e nisi vetë, megjithëse ishte vetëm 20 vjeç. Mbështetja ekonomike ishte njëra nga sfidat jo pak të vështira për t’u kaluar, por ajo kishte Gertën dhe ajo nuk e pengoi ta krijojë e drejtojë këtë aktivitet, që tashmë po kalon të katër vitet e ballafaqimeve.
Rreth 400 të rinj me krijimet e tyre janë parë e seleksionuar, rreth 30 emra janë veçuar për të shkuar përpara me krijimet e tyre. Emra të cilët kanë një të përbashkët: të qenit pjesë e konkursit të klubit letrar “Pena e re”. Disa krijues, pjesë e këtij klubi, muaj pas muaji kanë mundur të bëhen edhe pjesë e stafit. Kufiri i moshës për pjesëmarrje është 26 vjeç. Por edhe pas këtij numri të lejuar, disa janë sërish aty, në ndihmë të prurjeve të reja.
Kur u ndesha për të parën herë me njoftimin për konkursin, me kuriozoi fakti se si funksiononte dhe se si ishin të rinjtë pjesëmarrës. Shpejt u përballa me emocionin e stilit, e pasionit që mosha bujarisht ua sugjeron natyrshëm. Tema, gjetje, trajtime mbresëlënëse dhe sy vezullues teksa lexojnë krijesat e tyre. Më pas të njëjtët sy që presin mbylljen e perdes, pasuar nga pushimi pritës. Aktiviteti zgjat rreth një orë. 4 çmimet janë tashmë në duart e krijuesve, shumë herë më të motivuar se dita kur ata i paraqitën materialet. Ndërsa unë do të doja të jepeshin shumë më shumë çmime. Edhe asaj vajzës që shkroi aq bukur për qytetin ku kishte jetuar, me nota kaq të natyrshme si uji i pastër. Edhe vajzës tjetër e cila teksa lexonte prozën mbi dhunën e gruas, emocioni nuk e la ta çonte deri në fund; edhe asaj… edhe atij… Një mal me çmime do të duheshin për këta të rinj kaq të bukur. Por klubi sigurisht kaq mundet.
Krijimet seleksionohen nga stafi prej rreth 6 vetash, ku Flogerta megjithëse në Gjermani, nuk e lë t´i shpëtojë asnjë detaj pa e kontrolluar e ndjekur. Buxheti për shpenzimet është i gjithi i mbuluar nga ajo, çdo muaj, sot katër vite. Përfitimi më praktik është mundësia e publikimit dhe kurimi i emrave të seleksionuar. Jo pak për një nisje kaq të gjatë e të bukur. Ja një alternativë më shumë për Shqipërinë tonë të varfër në buxhetet për krijuesit e rinj. Emrat si Ergi Bregasi, Erti Poka, Renaldo Salianji, Adrian Zalla, Klodiana Naka, Fari Musta, Artiola Ndoj, Eraldo Breshani, Xhesika Gjeci, Xhemile Hoxha, tashmë janë modele frymëzuese për atë çka mundën të arrijnë. Janë emrat për të cilat “Pena e re” ndjehet krenare; janë emra të cilat forcohen së bashku me ambicien e krijueses Flogerta për një strehëz libri; një vend ku moshatarët të trokasin në portën e letërsisë dhe t’u mundësohet vazhdimi i aventurës së tyre letrare. Ata ia dolën ta kthejnë në një event mujor, sistematik. Asnjë nga shtëpitë botuese nuk ofrohet për të ndërmarrë kësoj iniciativash me të rinjtë e frymëzuar; askush nuk lexon krijimet e tyre për të rrugëtuar në eklipset letrare.
Askush në Shqipëri nuk ka kohë të humbasë me këta 16-26-vjeçarë, të cilët fluturojnë së bashku me Kafkën, Sartrin, Heminguein, Dostojevskin, Kadarenë, Poradecin apo miksimin e emrave të sipërpërmendur, bashkangjitur emrit të tyre. Miksim perfekt deri në momentin kur ata të jenë vetëm ATA.
Një askush po ashtu deri para 4 vjetësh, tani është bërë një derë ku trokitet dhe shumëkush dëgjon, stimulon, dhe pse jo promovon. Në fakt Flogerta është emri të cilit i detyrohemi shumë miq lexues. Një vajzë e thjeshtë dhe plot plane e ambicie për librin. Mendon madje dhe aktivizohet edhe për të mbledhur libra t’ua dhurojë bibliotekave me mungesa titujsh, si ajo e Kërrabës së fundmi. I detyrohemi shumë, ju miq që po më lexoni. Sepse ato pak moshatarë të cilët nuk klithin për telefona e makina, munden të shohin një shembull a model që tua ndryshojë programin, planin, perspektivën e vizionin. Është modeli që nënat në veçanti duhet ta stimulojnë dhe tua prezantojnë fëmijëve të tyre. Gëzohem që u njohëm Flogerta Krypi. Quhem mami Raimonda!
Ky është njoftimi model për të interesuarit e aktivitetit letrar.
Klubi Letrar “Pena e Re” është iniciativa për të promovuar të gjithë të rinjtë që shkruajnë. Ky klub do të organizohet një herë në muaj në formën e një konkursi letrar në tre zhanër: poezi, prozë dhe ese ku nga të gjithë dërgimet do të ketë vetëm 30-të punime të përzgjedhura, 10–të punime për çdo kategori. Në datën 26–të çdo muaji të vitit 2017 pjesëmarrësit do të mblidhen së bashku për të interpretuar disa punime të tyre ku në çdo takim do të ketë një të ftuar special. Ky konkurs është plan njëvjeçar, i cili do të mbajë në vend 12 mini konkurse dhe në janar të vitit 2018 do të shpallet fituesi i vitit 2017 për secilën prej kategorive. Çdo pjesëmarrës do të pajiset me një certifikatë, ashtu siç edhe fituesit të cilëve do t’u jepen dhurata simbolike. Në mbrëmjen Gala të Konkursit një vjeçar “Pena e Artë” do të botohet dhe libri me të gjitha punimet e dërguara në një vit si dhe me një biografi të shkurtër nga çdo pjesëmarrës. Për të qenë pjesë e Klubi Letrar “Pena e Re” duhet të respektoni rregulloren e brendshme të klubit që do t’i dërgohet çdo personi që ka dëshirë të bëhet pjesë e këtij konkursi. Në rast thyerje të rregullores do ketë përjashtime të parevokueshme. Pjesëmarrja në këtë konkurs është e lirë. Detyrimet dhe përfitimet e pjesëmarrësve për Klubin Letrar “Pena e Re” Detyrimet: 1. Publikimi i poezive/prozave/eseve duhet të jenë origjinale të autorëve të rinj, çdo plagjiaturë do të dërgojë në skualifikimin e pjesëmarrësit. 2. Çdo autor mund të konkurrojë vetëm me një poezi/prozë/ese në muaj. 3. Çdo autor mund të konkurrojë çdo muaj në një nga kategoritë e lartë përmendura. 4. Çdo poezi/prozë/ese duhet të ketë standardet e gjuhës shqipe letrare duke qenë domosdoshmëri përdorimi i shkronjave “ë” dhe “ç”. 5. Çdo autor mund të konkurrojë vetëm në një nga kategoritë në një muaj, por ka të drejtën që në muajt në vijim të konkurrojë në fushë tjetër. 6. Çdo autor nëse është një nga të përzgjedhurit e 10–shes për çdo kategori duhet të jetë i pranishëm datën e takimit të klubit letrar që do të jetë data 66–të e çdo muaji deri në dhjetor 2017. Përfitimet: 1. Çdo konkurrent përfiton një certifikatë pjesëmarrje për kategorinë që ka konkurruar në çdo herë që ai përzgjidhet. 2. Çdo konkurrent që përzgjidhet fitues në një nga kategoritë merr një dhuratë simbolike dhe është i përzgjedhur automatikisht për të qenë pjesë e natës gala në përfundim të 12–të konkurseve. 3. Çdo konkurrent bëhet pjesë e librit që do të botohet me të gjithë punimet e tyre letrare për vitin 2015. 4. Çdo autori të ri i jepet mundësia të promovojë librat e tij pa pagesë.
Në muajin Mars u mbajt sigurisht konkursi i radhës, kësaj here me akoma më shumë pjesëmarrës për herë të parë. Kur i pyeta, pjesa më e madhe thanë se klubin e kishin zbuluar nëpërmjet faqes së internetit Facebook-ut ose blogut të “Penës së re”. Në po këto faqe është e mundur të lexohen të gjitha njoftimet, duke filluar nga thirrjet për pjesëmarrje, në pjesët fituese, e madje edhe pjesë të përzgjedhura për ditë të veçanta festash. Aty gjenden (dhe do vazhdojnë të shtohen) shkrimet fituese, të cilat përbëjnë një referencë të mirë për ata që shkruajnë për penën e re për herë të parë. Gjithçka është në fund, e bërë vullnetarisht.
Jam e mendimit se janë ndërmarrje të tilla që lindin nga dëshira të sinqerta, që janë aq të forta sa të vazhdojnë përpara, e të nxisin ndryshime të vogla, me pasoja të mëdha, që vendi ynë ka kaq shumë nevojë.
Linku për të parë listën e fituesve nga muaji I shkuar https://penaere.wordpress.com/2018/03/29/fituesit-e-penes-se-re-mars-2018/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.