Në fokus

April 25, 2018 | 14:20

Nga Raimonda Dervishi Shundi / Tek Rea, nën një qiell pa re!

“Cili jam unë që të ndikoj dhe influencoj te lexuesi me idetë dhe krijimet e mia?!” Thotë në një nga intervistat e tij Anton Chekhov. Dualizëm të cilin çdo krijues duhet ta bëjë para se të nis shkrimtarinë e tij. Kjo është dhe një nga këshillat që aktori Shundi ua ka sjellë në vëmendje krijuesve të rinj.  

Prej katër vitesh ka nisur një nga aktivitetet më ambicioze dhe unike për të rinjtë Shqiptarë,  konkursi mujor “Pena e re”.  Një konkurs  jo shumë i komentuar në zhurmat e kronikave bombastike televizive. Është konkursi i vetëm ku prioritet janë të rinjtë e lidhur dhe të dashuruar me të shkruarin. Çdo muaj është një përballje moshatarësh e krijuesish. Në aktivitet lexohen dhe ballafaqohen vetë konkurrentët  me krijimet e tyre. Ata ndjejnë se si priten krijimet e tyre nga moshatarët, shohin se si është krijimi i shokut, ambientohen me të qenurit dominues i situatës e momentit të tyre. 

Kjo i përfshin në magjinë e krijimit dhe i shtyn më tej për të vazhduar në rrugën letrare. Por nuk mbaron me kaq. Në fund të muajit 23 Prill u organizua eventi më i rëndësishëm i Penës “pentarët e vitit”; çmimi  më i madh u shkon tre kategorive, poezi, prozë dhe ese, ku krijimet fituese bashkohen në një antologji. Aktiviteti final dhe më i rëndësishëm i klubit, bëri bashkë shumë miq të penës, kritikë, pedagogë, artistë dhe të rinj të përfshirë në magjinë e shkrimit. Mimoza Ahmeti, Agim Baçi, Rudina Cupi, Dr. Erenestina Halili, aktori dhe regjisori Naun Shundi.

“Erdh’ koha të dehemi me letërsi!” Ndoshta, kështu do të kishte thënë Bodler, nëse do të ishte i ftuar nderi në mbrëmjen e organizuar nga klubi letrar “Pena e Re”, më 23 prill 2018, në Ditën Botërore të Librit, kujton Lediana Braho, vajza karikuese e grupit. Psikologjia dhe shkrimi janë dy rrymat shkarkuese paralele të sajat. Ngjarja më e rëndësishme letrare e Penës finalizoi një vit të frytshëm krijimtarie, pune dhe përkushtimi të klubit letrar.

Për rreth dy orë, te “Reja” pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, në Tiranë, u zhvillua Mbrëmja e Çmimeve “Pena e Re 2017”. Shpallja e shumë çmimeve vijon edhe çmimin e madh “Pena e Re 2017”. Antologjia “Frymë në vargje”, ku janë 67 krijime me 60 autorë të rinj të moshave 16- 26 vjeç. Janë 35 krijime fituese në konkurset e përmuajshme të Penës, nga janari në dhjetor 2017 dhe 35 të tjerat, të përzgjedhura si krijimet më të mira nga juria. Një përmbledhje motivuese dhe nxitëse për ta.

Edhe stafi i emisionit radiofonik “Scriptum n Sonus” ishte në këtë festë libri pasi promovimi i disa nga krijuesve të Penës së re ka qenë bashkëpunimi më sistematik: Altin Sulaj, autor emisioni, Xhoana Sulaj, regjisore dhe Elsa Hajdari, interpretuese. Ivana Hoxha është e reja e fundit në stafin e klubit letrar. Por ajo, vajza 20 vjeçare që e krijojë (sot 24) Flogerta Krypi, është virtualisht në aktivitet, pasi emigrimi mundëson largesa të dhimbshme.

  • Çmimi i parë në Ese u dha nga kritiku Agim Baçi për Adrian Zallën, me krijimin “A mund të jesh Lysien në këtë vend?”
  • Çmimi i parë në Poezi u dha nga poetja Mimoza Ahmeti për Edona Haklaj, me poezinë “Zotni, m’thuej”.
  • Çmimi i parë në Prozë u dha nga stafi i emisionit “Scriptum n Sonus” për Eraldo Breshanin, fitues me dy proza “Treni” dhe “Llustra e këpucëve të grisura” gjatë vitit 2017.
  • Çmimin “Pena e Re 2017”: Franc Bregu dhe Renaldo Salianji. Renaldo Salianji, fitues katër herë gjatë vitit paraardhës, me dy poezi “Të mjerët na për vedin” dhe “Pa titull”, si dhe dy proza “Militanti” dhe “O çuna, o çuna! Erdhi akullorja!”.

Ky event gëzoi 4 krijues me çmime, por inkurajoi 70 të tjerë për të vazhduar, si dhe u hapi alternativat një numri shumë-shifrorë të rinjsh që e duan letërsinë dhe të shkruarin në veçanti. “A janë çmimet motivuese apo jo?!” kjo është çështja. E sigurt është se si për ata që vlerësohen, si për ata më pak të tillë….  sfida dhe ballafaqime të tilla sjellin emra në qiellin e madh të krijuesve të rinj. Dhe ja tek jemi në kohë të shohim dhe shijojmë ylberet pas këtij shiu krijues.

 “Ishte bashkëpunimi te gazeta Mapo që më bëri të njihem me ekzistencën e këtij klubi”, – rrëfen Ahmeti, “kam shumë besim se ky brez do ia dalë me gjithë kaosin indiferent Shqiptar. Janë të rinj të talentuar dhe mosha është ndihmesë në këto çmendurira krijuese; janë në kohën e duhur”.  Rudina Cupi ofron redaktimin si dhe predispozitën për të korrektuar materialet e paraqitura, ndërsa të rinjtë kanë shpirtin e lirë për në fletët e shkruara.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top