Dëshmi

January 15, 2020 | 8:04

Nga Raimonda Shundi: Gjeje zemrën!

 

Kancer në zemër nuk ka.

Zemra nuk është thjesht organ. Është frymë. Është ajo që na mban gjallë me ndihmën e Zotit. Dhe kanceri, sado i fuqishëm qoftë, sado jetë njerëzish merr,  e ka të humbur luftën me ata që besojnë në të, dhe në Zot. Ne me zemër dashurojmë, emocionohemi, me zemër urrejmë dhe vuajmë. Me zemër shohim tej… dhe pranë.

Raimonda Dervishi Shundi, gazetare

Raimonda Dervishi Shundi, gazetare

Magjia na mbron nga e keqja, ku “lehtësia e kollajllëqeve që kjo kohë” ofron,  na ka transformuar, shëmtuar përpara pasqyrës të së vërtetës. E vërteta jonë është diku aty, strukur në zemrën e pamanipuluar. Duhet ta kërkosh, ajo është thesari ynë i çmuar që na mban ende gjallë dhe njeri. Edhe në shkencë, suksesi që mban larg zemrën nga mutacioni i qelizave, është pikërisht  mos ndarja e qelizave.

Ky prag festash na kujton se ekziston fryma e shenjtë, ekziston mendimi i pastër, i pamanipuluar, mendimi fillestar. Predikimet fetare, historia jonë familjare kur shohim një foto të shkuar, na bën t’i kthehemi pas asaj çka ishim  dhe të prekim emocionet tona fillestare. Na bën të kërkojmë paqen brenda vetes. Na bën të shkarkojmë barrat që nuk janë tonat, duke i flakur diku tej, nëse mundemi. Është koha ta gjejmë atë!

Tërmeti la në zgrip, pa shtëpi shumë familje, shumë jetë njerëzish. Si kompensim i tragjedisë, ne përballemi me spektaklin e neveritshëm të  solidaritetit fallco. Sot ku janë solidarët? Të dëmtuarit janë në kaosin e tragjedisë personale në asgjë. “Ti nuk do të jesh kurrëëëëë… vetëëëmm”,  është slogani i turpit që kancerigjon gjithkënd që është pjesë e atij skenari. Tragjedia ka edhe fundin e vet, dhe ky sipar po mbyllet turpshëm. Ideatorët dhe praktikuesit e këtij turpi, tashmë zemra i ka pushuar së funksionuari, madje ata turpërojnë brutalisht  edhe njëri-tjetrin përpara dritës së kamerave personalizuese. “Nesër ti do lyesh shkallën”, ishte njëra nga të shpëtuarat  ERTV –iste. Gangsteri që deklaron rishtas se do shembë teatrin, duken një asgjë. Shkërmoqur përpara syve të gjithkujt, zhveshur nga titujt, forca, pushteti që na demonstronte “non stop” me lopatën e artë në dorë, kur mbjell e shkul pemë.  Shpejt  do ja dëgjojmë krismën pas kësaj, por ato krisma janë klithje zemëratë që po zemra, përpiqet të funksionojë duke gulçitur.

“Jam këtu, më përdor, të lutem”.

Kanceri ka zaptuar organet e tjera jetësore nga ku zemra tashmë është në terr. Është  larguar fryma e shenjtë dhe besimi i ka lënë vend kaosit. “Djalit tim i pëlqejnë lojërat me forcat e errëta”, i thotë Kryeministri i vendit në vizitën e lojës së solidaritetit, teksa rehatohet në shtëpinë e vogëlushes që humbi gjyshërit dhe banesën nga tërmeti i fundit. Vogëlushja mahnitur nga përballja e përrallës me realitetin, pra kur u ndesh sy më sy me kryeministrin, preku për të parën herë personin që gjyshi i saj, kur ishte në jetë, bëhej shkaku kryesor i  shkëputjes nga kukullat e preferuara. Vetë Perëndia i shkoi në shtëpi dhe ajo nuk dinte nga t’ia niste me listën e kërkesave dhe kënaqësive.  Madje, refuzoi edhe të largohej nga ajo shtëpi pritëse e momentit. Por, fillimisht, vogëlushja donte gjyshërit të ishin aty, në këmbë, jo në qiell, më pas vijnë të tjerët. Zemra aty e çoi. Po atë, ku vallë?

Në qoftë se kryeministri ynë nuk ka zemër, të lënduarit jo vetëm nga tërmeti por edhe unë bashkë me ta, i bëjmë thirrje ta gjejë zemrën e vet për t’u bërë njeri. Gjeje zemrën o njeri!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top