Dhaskalina Bubulina (1771-1825) prishi të gjitha kodet gjinore në lëmin e politikës dhe në fushën e betejës. Gjatë rrjedhës së jetës së saj u bë pronare e suksesshme e një flote detare, një diplomate e pavarur, ishte një nga gratë e rralla që krijoi shoqatën e fshehtë të miqve (Heteris) ku organizonte grekët në luftën kundër otomanëve, e cila nën shembullin e revolucionit francez, i pranonte me dëshirë gratë në lëvizjen shoqërore revolucionare.
Dhaskalina Bubulina u lind e u rrit në një ambient arvanitas me këngët, mitet dhe ritet e tyre, të njëjta me ato të Shqipërisë së jugut. Ishte shumë e re kur u dashurua me një grek nga Specaj, të quajtur Jonuzas, edhe ai, si burrat e ishujve përreth, rrihte detet e Greqisë dhe të Mesdheut. Në historinë e atyre ishujve, Bubulina do të ishte e para grua që do të thyente zakonet e vjetra. Ishte e para që e ndoqi të shoqin nëpër dete. Krah për krahë me të, ajo shkeli nëpër shumë porte si në atë të Italisë, Dalmacisë, në Smirnë (Izmir) në portet e Spanjës, ku blinin armë prusiane dhe angleze. Në Marsejë të Francës shisnin grurë dhe blinin mëndafshet e Lionit apo verën “Bordo”. Ndërsa në Kartagjenë shisnin kaviar dhe blinin verën “Malaga”. Tregtia u shkonte mbarë, edhe pse shpesh u duhej të luftonin me piratët “korsarë” apo doganierët turq. Jonuzas dhe Dhaskalina trime luftuan në det kundër otomanëve. Dhaskalina trime e shoqëroi në momentet më të vështira të jetës. Marinarët e thërrisnin “kapetanica”, sepse ajo ishte e fortë si një burrë dhe armët i mbante ngjeshur në brez. Një ditë, në Specaj erdhi trupi pa jetë i Jonuzas, e kishin vrarë në betejë me otomanët në ngushticën e Sicilisë. Laskarina 26-vjeçare mbeti e ve me tre fëmijë, por një trim i quajtur Bubulis (Boboli), miku më i ngushtë i të shoqit kërkoi të martohet me të. Dhaskalina do të vazhdonte aventurën e saj me detin, luftën me otomanët. Por edhe Bubulis ishte trim. Me të ajo do të lundronte Atlantikun, shkoi deri në Veracruz e Buenos-Aires, Lisbonë, Kartagjenë dhe Detin e Zi. Por pas vrasjes së Bubulis dhe të djalit të saj në betejat detare, emri i saj do të bëhej simbol i luftës për liri. Gjithçka ajo e vuri në shërbim të revolucionit.
Përballë burrave në luftën për pavarësi
Dhaskalina ishte gruaja e parë në botë në historinë e detarisë që mori titullin e madh nga Cari i Rusisë të Admirales, për aftësitë e saj të jashtëzakonshme në betejat detare. Jeta e saj përfaqëson një alternativë historike përballë burrave në luftën e grekëve për pavarësi. Ajo mbetet imazhi radikal i gjinisë dhe identitetit grek të shekullit të 19-të, ku doli në pah edhe kontributi i jashtëzakonshëm i grave në luftën për pavarësinë kundër një pushtuesi të përbashkët. Është shumë interesant fakti që ajo dinte shkrim e këndim, pikërisht në atë kohë ku gratë ishin jashtë arsimimit, flitet për vitin 1800. Ishte zakon për familjet e pasura si ajo e Bubulinës t’i çonin djemtë e tyre për të mësuar nëpër shkollat dhe universitetet italiane, ndërsa vajzat aristokrate duhet të qëndronin në shtëpi, madje as në kishë nuk mund të shkonin vetëm, e kalonin kohën e tyre duke qëndisur. Familja e Bubulinës ishte e pasur dhe trashëgoi fisnikërinë që shumë gra të asaj kohe nuk e kishin.
Duke studiuar luftën e bërë nga gratë shkrimtare si p.sh. Virginia Woolf shkruante: ”Që një grua të ketë pavarësi të vërtetë, së pari ajo duhet të ketë pavarësi ekonomike si dhe një strehë…” Duke e marrë këtë thënie në mënyrë metaforike, pavarësia e Bubulinës ishte një lloji pavarësie monetare, sipas Virginias.
Njerku i Bubulinës e inkurajoi atë që fëmijë të lidhet me detin dhe ta dashurojë lundrimin. Megjithëse ishte e ndaluar për gratë dhe normat e sjelljes të asaj kohe, por ajo e theu tabunë gjinore, duke qenë një nga femrat e rralla të arsimuara dhe të emancipuara. Në shtëpinë e saj kishte një bibliotekë shumë të pasur që ekziston edhe sot në disa gjuhë. Ka vepra të shkruara nga mendimtarët iluministë si Voltaire etj. Veprat e këtij iluministi të madh kanë qenë burim frymëzimi për Bubulinën. “Njeriu është i lirë që nga momenti që dëshiron të jetë i tillë”. Nuk ka dyshim që këto libra ndikuan në idetë e saj revolucionare dhe i forcuan akoma më shumë bindjet e saj politike të edukuara dhe ushqyera nga familja e saj. Bubulina është gruaja e vetme që organizoi kryengritjen, duke grumbulluar për këtë qëllim 1,093 anëtarë të organizatës së fshehtë, ku luajti një rol shumë të rëndësishëm në kryengritjen kundër një armiku të përbashkët. Dhaskalina u bë subjekt i shumë legjendave. Nën komandën e saj anijet e Specjes luftuan me trimëri. Vetë ajo i udhëhoqi marinarët trima edhe në Greqinë jugore.
Shumë fitore të kryengritësve grek kundër pushtuesve turq kanë lidhje me zgjuarsinë, strategjinë dhe trimërinë e saj. Tregojnë që në një betejë shumë të ashpër pasi i armatosi luftëtarët e saj arvanitas dhe përgatiti anijet, mori drejtimin e anijes më të madhe, ndërsa anijet më të vogla i la nën komandën e djemve të saj Janit dhe Gjergjit. Si fillim bllokoi Nafion, zbarkoi në Milos dhe furnizoi me ushqime ushtrinë e këtij qyteti. Më pas Bubulina mori pjesë në rrethimin dhe çlirimin e Tripolicës dhe Monemvasit që ndodhet në Peloponez. Por fatkeqësitë e ndoqën. Në betejën e fundit iu vra i biri, Jani. Në të gjitha betejat ku ajo luftoi dolën në pah aftësitë dhe talenti i saj i rrallë si një ushtarake e vërtetë. Historianët tregonin se në Tripolicë, ajo hyri e para hipur mbi një kalë, në krye të ushtrisë. Bubulina trime mori pjesë edhe në luftën për çlirimin e Naflios, i cili më vonë u caktua edhe kryeqyteti i përkohshëm i Greqisë. Kapedanen e tokës dhe deteve e gjeje kudo mes luftëtarëve të saj si edhe me Kollokotronin.
Historia e saj është e rrallë, arvanitasja, kapedania, grua e rrallë, ka legjendën më të veçantë e të rrallë mes Greqisë dhe Shqipërisë. Jeta e Bubulinës është një luftë legjendare e jetuar në detet e Greqisë së Mesdheut. Shkrimtari francez Michel de Gece përshkruan me vërtetësi betejat historike të Bubulinës e të revolucionit grek. Arvanitasja që kishte ardhur në Hidra në këtë ishull së bashku me shumë emigrantë të tjerë shqiptarë afërsisht tre shekuj më parë, siç kishin bërë në ishujt e tjerë të Greqisë, atje pranë si në Specaj, Psaros, në Peloponez dhe Eubë.
Është vërtet shumë interesant fakti që në muzeun Zhan D’Arka në Rouen në Francë. Krahas figurave gra luftëtare më të vlerësuara nga bota e kulturuar dhe historia botërore, qëndron krenare edhe Bubulina jonë.
Laskarian Bubulina, po kush ishte ajo?
Lindi në një burg të Stambollit i quajtur “Kështjella e shtatë kullave”, në mëngjesin e 11 majit të vitit 1771. Nëna e saj Shqevo, kishte shkuar të takonte burrin e saj Kapiten Pinotis, që mbahej i burgosur nga turqit. Ai ishte një luftëtar i rezistencës greke, që luftonte për çlirimin e Greqisë. Ajo kishte shitur gjithçka kishte, vetëm që të shkonte e ta takonte në burgun e tmerrshëm. Rruga për në Stamboll kishte qenë shumë e gjatë. Më kot kishte kërkuar ta ndihmonin në dyert e Fanarit, por më në fund kishte mundur të siguronte një leje që të shihte bashkëshortin e saj. Fatkeqësisht kur kishte arritur në qelinë e burgut ajo e gjeti të vdekur. Nga trishtimi i madh, gruaja fatkeqe e lindi fëmijën para kohe. Burzino, shoku i Pinois-it ishte në një qeli me të shoqin, e ndihmoi Shqevon gjatë lindjes dhe i vuri emrin Dhaskalina, në kujtim të nënës së tij. Më pas bashkë u kthyen në Hidra, në shtëpinë e saj. Edhe Specaj ishte populluar me arvanitas, por më të butë e më të dashur se ata të Hidrës që ishin edhe rivalët e tyre. “Në Specaj flisnin arvanitika, pra shqip”, shkruan Michele de Grece nëpërmjet gojës së Bubulinës. “Në fakt nëna, ati im dhe unë, ishim grekë pa qenë të tillë. Ishim grekë me shpirt e me zemër, me fe dhe me ideale dhe sigurisht grekë të sakrificës, sepse ne jepnim edhe jetën tonë për Greqinë. Por jo grekë nga gjaku. Unë jam një arvanitase, me një fjalë shqiptare. Që prej kohësh tepër të largëta, raca e jonë ka patur emra tepër të ndryshëm. Vallë a janë pellazgët, Ilirianë. Di që Hidra është shqiptare dhe Specaj gjithashtu.
Shkrimtari i madh rus Gogol-i e përshkruanin Bubulinën si një sokoleshë të vërtetë, truplidhur, të hijshme, të fortë si lisi, guximtare, e pajisur me një mençuri natyrale, stratege e vërtetë. Historiani grek, Filimoni jepte këtë përcaktim për Bubulinën: “Frikacaku përpara saj turpërohej, ndërsa trimi tërhiqej”. Kjo figurë e spikatur historike u quajt “heroinë” nga poetët dhe shkrimtarët e asaj kohe. Këtë grua trimëreshë e gjen të përshkruar tek poeti arbëresh Zef Serembe, Zhyl Verni, tek historiani grek Kosta Biri, Michael Kokkinaris etj.
Ajo tashmë është një legjendë nga gojëdhënat, poezia popullore, ka hyrë në pikturë, skulpturë, mbetet e tillë si në Greqi dhe Shqipëri. Kështu i këndonte Naim Frashëri asaj dhe trimit arbëresh Kanarit: “… Bubulina dhe Kanari shqiptar dhe bij shqiptari…” Dhaskalina ishte e ashpër dhe e rrëmbyer në beteja kundër armiqve, dhe aq e urtë dhe me shpirt humanist ndaj njerëzve të pafajshëm. Por në majin e vitit 1825 Bubulina vdiq, e vranë në Specia tradhtisht, jo në fushëbetejë. Një nga historianët e shumtë grek, Diege Seria, shkruante për humbjen e saj: “Duart e një vrasësi e derdhën atë gjak, që gjatë betejave, hekuri i armikut e kishte “respektuar” për t’iu kushtuar lirisë”.
Ndërsa italiani Periviane Xekini theksonte: “Bubulina ishte aq guximtare, sa në det ashtu edhe në tokë, i njihte rreziqet dhe vetëm i përbuzte, ajo luftonte vetëm për lirinë. Edhe pse kanë kaluar shekuj që në kohën kur stërgjyshërit e saj kishin lënë Arbërinë, Bubulina nuk e harroi atdheun e saj të dashur, Shqipërinë. Historianët dhe biografët e saj thonë se Bubulina u jepte urdhra detarëve të saj trima nëpër beteja vetëm në gjuhën shqipe. Ishte kjo gjuhë që i ngriti në këmbë fshatarët arbëresh të Buas, të Spatës, të Lalës, të Laskës, Lopësit, Muzaqit. Ajo mbetet një personalitet i rrallë në Gadishullin Ballkanik dhe në botë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.