Eksperienca e Vasia Barka dhe Aleksia Barka nga shkollat shqiptare, në fitimin e bursës prestigjioze të Universitetit të Pensilvanisë mbi “Shkencat Molekulare të Jetës”
Brezi i ri, brezi i nxënësve dhe studentëve, është ai me eksperiencën më të vogël, por me potencialin më të madh. Sido që realiteti i sotëm të jetë, nuk mund të ndryshojë pa ndihmën e mendjeve të reja, por këto mendje, që të arrijnë potencialin e tyre, kanë nevojë për përkushtim të vazhdueshëm.
Familja e shëndetshme dhe shkolla janë baza e individit. Por nëse familjen nuk e zgjedhim dot, shkollën duhet të na e mundësojë vendi ynë si më të mirën e tij. Kështu çdo vit do të rezultonte detyrimisht në progres. Por faktet flasin pak ndryshe. Ose më mirë, shqiptarët po ikin.
Nuk duan të qëndrojnë këtu për të pritur, nuk duan as të punojnë për të mirën e vendit (sepse nuk munden, dhe në fund mbase as nuk do të vlerësoheshin denjësisht). Por ata që munden të largohen, janë edhe ata që potencialin e tyre më të madh e njohin, dhe e kanë përdorur për t’i hapur rrugën vetes drejt më të drejtës e frytdhënëses.
Unë pata mundësinë të takohem me dy motrat binjake, Vasia dhe Aleksia Barka, pasi kisha dëgjuar mbi projektin e tyre humanitar “Fëmijët për fëmijët”. Takimi rastësor që rezultoi në një kafe dhe biseda mjaft interesante, më bëri të kuptoja se eksperienca e tyre do të ishte e vlefshme dhe për shumë të tjerë shqiptarë. Të dyja në vitin e fundit të gjimnazit, në një kolegj për vajza në Toronto, Kanada, u pranuan dhe fituan mbas punës së dedikuar në Universitetin e Pensilvanisë, bursën e studimit “Vagelos Scholars Program in the Molecular Life Sciences” (Programi i Dijetarëve të Vagelos në Shkencat Molekulare të Jetës). Pranimi në një degë të tillë i ofrohet vetëm 50 studentëve, kurse bursën mund ta fitojnë 5 nga studentët e pranuar. Dega përfshin kurse të avancuara në kimi, matematikë dhe fizikë. Ajo u hap rrugën mjekëve dhe shkencëtarëve me të shquar e plotësuar të së ardhmes.
Personalisht mësova të reja të vlefshme, të cilat jam e bindur se çdo shqiptar, por jo vetëm, do t’i shihte si një derë e re drejt njohjes së një realiteti të ri, e shpresimisht, drejt përmirësimit të vetes së tyre.
Vasia dhe Aleksia kanë dhënë shpesh intervista, duke u ftuar në emisione e programe televizive. Në mediat shqiptare disa herë kanë folur mbi projektin e tyre “Fëmijët për fëmijët”, një organizatë jo-fitimprurëse, e filluar vullnetarisht para 4 vitesh në ndihmë të atyre fëmijë të prekur nga tumori. Me iniciativën e tyre, rritën e prenë flokët për t’ia dërguar si dhuratë. Gradualisht lëvizjen vendosën ta zhvillojnë në një organizatë, thirrje për bashkëpunim, dhe seminare ndërgjegjësuese në mbarë Shqipërinë. Deri më sot janë bërë plot 4 vite nga themelimi i parë, dhe çdo ditë e më shumë të rinj njihen e vendosin të dhurojnë po ashtu pjesën e tyre.
Familja, njëra nga sukseset
Njohja me të dy motrat nuk mund të plotësohej më mirë dhe pa praninë e prindërve të tyre. Modestia, pararendëse e fuqisë e seriozitetit, buronin duke vendosur kornizën e familjes Barka. Të shihje Vasian dhe Aleksian në sy, përballeshe me një vijë mendimi dhe disipline të brendshme, të pasuruara e ushqyera ndër vite me mund, punë dhe shumë kënaqësi. Thjeshtësia e tyre nuk mund të ngatërrohej kurrsesi me asnjë lloj inkopetence.
Përpara se të bisedoja konkretisht me motrat, doja të kuptoja zanafillën: të njihesha me burimin dhe shtratin e formimit. Si pyetje të parë bëra se çfarë vlerësonin prindërit tek rritja e vajzave, dhe cilave vlera u kishin mëshuar me vetëdije. Të dyja ishin të një mendjeje se, nga vlerat më të mëdha që mund t’i përçonin ishte “njerëzillëku”. Nuk ma thanë këtë menjëherë, por më shpjeguan se si Vasia dhe Aleksia janë rritur në një familje tre-brezore, me shumë gjyshër, secili pjesëtar, duke respektuar me përkushtim vendin e tij dhe traditat më bazore të familjes. Mbi këtë themel, kanë shtruar dashurinë për dijen e librave.
Të gjitha këto janë dhënë si shembuj nga prindërit, aspak si teori këshilluese. Besoj që justifikon edhe jetëgjatësinë e peshën e tyre.
Mamaja, konfidentja jonë. Vajzat e moshës sonë flasin për telefona dhe veshje
Vasia dhe Aleksia ishin në fund të vitit shkollor, në kolegjin Kanadez “Branksome Hall”, dhe ardhja në Shqipëri për pak kohë po i shërbente si periudhë pushimi. Po atë ditë në darkë do t’i ktheheshin studimit, e të nesërmen shkollës. “Kur kemi provime, aq më tepër në muajin maj në sezon, flemë mbase 3 orë çdo natë”.
I pyeta se cilat gjëra i bënin përshtypje kur ktheheshin në Shqipëri, duke i lënë vend të flisnin qoftë për shkollën, shoqërinë, mjedisin apo mentalitetin tonë.
“Është e vështirë të kesh shoqëri këtu” – më thanë. “Vajzat e moshës sonë duan të flasin për telefonat, për të tjerët, për veshjet, kurse neve s’na kanë intriguar shumë temat e këtij lloji.”
Po me kë bisedoni atëherë, dhe për çfarë?
“Me mamin mund të flasim për të gjitha.” (qeshin) Dukej se të dyja, kur i drejtohesha, mendonin në sinkron, dhe përgjigjet e para dilnin njëzëri. Por në vazhdim e sipër, me po aq përmbajtje sa entuziazëm, ia linin radhën njëra-tjetrës për të folur për ato që i përfshinin më shumë.
Kur bëhej fjalë për të shprehur pakënaqësi, si për shembull mbi papastërtinë apo mungesën e qytetarisë në marrëdhëniet rastësore, nuk mbanin asgjë përbrenda. Nuk i linin t’i shqetësonin, sepse në fund të fundit nuk ishin në dorë të tyre.
Çfarë ju ka mbetur në mendje këto vite studimi në Toronto, që do të donit ta dinin edhe më shumë nxënës Shqiptarë ?
“Në Kanada, u njohëm me studimin e Carol Dweck, profesoreshës së Universitetit të Stanford-it. Më saktë, me teorinë e saj mbi mendësinë njerëzore. Growth mindset dhe Fixed Mindset” Filluan të kërkonin fjalët Shqip tek njëra-tjera, dhe duke i ardhur keq për mungesën e ndonjë shpjegimi më të mirë, më thanë “Mendësia në rritje dhe mendësia fikse.”
“Njohja me këtë na bëri shumë përshtypje, dhe në njëfarë mënyre na ndryshoi, për më mirë.”
Pa i hyrë studimit të teorisë, vetë fjala më bëri t’i pyesja. “Pra ju mendoni që vijmë nga një mendësi fikse, dhe se ju mundët të zbulonit e zhvillonit mendësinë në rritje në Kanada?”
“Besoj se shumë në Shqipëri kanë këtë lloj mendësie fikse.” – më tha Aleksia.
Si sinonime mund të vijnë fjalët “mendjengushtë” dhe “mendjehapur”.
Në një përkufizim, nëse dikush ka mendësi fikse (është mendjengushtë), ka prirjen të besojë se suksesi i tij bazohet në aftësitë e lindura. Njerëzit e tillë kërkojnë të “dokumentojnë” talentet e tyre, në vend që të punojnë për to. Pra bëhen skllevër të fjalëve të të tjerëve, dhe kanë nevojë për aprovim të vazhdueshëm, gjë që s’mundet kurrsesi të mjaftojë. Gabimet e dështimet për ta janë rrënuese, sepse përkthehen si mangësi në aftësi e inteligjencë.
Nga ana tjetër, njerëzit mendjehapur, me mendësi në rritje, besojnë se suksesi I tyre bazohen tek të punuarit fort, të mësuarit, të praktikuarit dhe të qenit këmbëngulës në këto. Ata dinë se aftësitë dhe inteligjenca e tyre mund të rritet me kohë dhe eksperiencë, dhe kështu derdhin mund dhe orë më shumë në përpjekje për t’u përmirësuar, sepse do të përkthehet në arritje më të mëdha më vonë.
“Mendoj se shumë i rëndësishëm është rrethi shoqëror. Në shkollë atje kemi shoqe të ngjashme me ne dhe bisedat që zhvillojmë janë gjithmonë interesante e konstruktive.” – tha Vasia. “Sigurisht që ka njerëz të ndryshëm, dhe ne e zgjedhim me kë rrimë, por shumica gjatë mësimit janë të interesuar për atë që thuhet. Marrëdhëniet me mësuesit janë të atilla që të ndjehemi mirë dhe të shprehim lirshëm mendimin tonë. Në fund, mbasi ora e mësimit ka mbaruar dhe bëhemi të dalim nga klasa, themi ‘Uau, mësova shumë gjëra të rëndësishme’ dhe na pëlqen. Këtë e vëmë re edhe tek të tjerët.”
Pra të mësuarit nuk është aq mund sesa është kënaqësi?
“Pikërisht!” – thonë të dyja. “Kurse në Shqipëri kam parë sesi nxënësve nuk u pëlqen shumë ajo që mësojnë, ose nuk I duket sikur u shërben. Ne jemi njerëz të një botë të përbashkët, dhe çdo gjë e re në lidhje me të është e rëndësishme. Duhet të na interesojë, duhet të na shërbejë.”
“Të shkuarit në një vend të zhvilluar jashtë Shqipërisë, për herë të parë, ishte mjaft mendjehapëse. Në Toronto, në shkollën tonë, krijuam shumë lidhje të rëndësishme me shoqet dhe profesorët. Dhe meqë ishim shumë të përkushtuara ndaj të mësuarit, shkolla na përzgjodhi për një bursë universitare.”
“Kur ishim në Shqipëri si nxënëse, ishim gjithmonë në ankth për të marrë dhjetë. Dihej se ishim nxënëse të mira dhe të gjitha përpjekjet tona shkonin për ta ruajtur atë imazh. Të mësuarit detyrimisht bëhej stresuese, sepse mendonim vazhdimisht për provimin që do të duhej të jepnin mbi ato teori, në vend që t’i kuptonim vërtetë për nga rëndësia e domethënia.”
“Kur shkuam në shkollë në Toronto, gjithë mundi ynë ndërroi kah e u bëmë më produktive.” Dhe dukshëm, më të mençura. “Na pëlqen të ndihmojmë njerëzit, të mendojnë për mënyra më të mira për të jetuar e për t’i ndihmuar. Prandaj dhe krijuam organizatën tonë.”
I gjithë menaxhimi i saj bëhet nga Vasia dhe Aleksia. Me njohjet e tyre, ato ftojnë miq e të njohur për të përhapur idenë e dhurimit të flokëve. Ne dispozicion kanë faqen e internetit, Facebook-un dhe adresat e e-mailit. Deri më sot kanë mbajtur diskutime të hapura në universitete e shkolla si në Tiranë, ashtu edhe jashtë saj në Shqipëri. Kur I pyeta për plane për të ardhmen, u mbushën me entuziazëm e kënaqësi të dukshme. “Do të donim, mbasi të përfundonin provimet dhe të rregulloheshim me shkollën, ta zgjeronim edhe nëpër qytete të tjera. Nëse gjërat shkojnë mirë, pse jo edhe jashtë Shqipërisë.”
Ambicia e madhe, në përputhje me aftësitë,fatin dhe punën e disiplinuar, i ka çuar dhe vazhdon t’i çojë vajzat drejt sfidave akoma më të mëdha e emocionuese. Sido që të shkojë, unë jam e bindur se rruga është mjaft e ndriçuar për to. Dhe kjo sepse ato vetë besojnë tek aftësitë e tyre.
Si nxënëse e shkollave shqiptare, puna e fortë mund të të sigurojë notë të mirë. Dhe nota e mirë mund të të sigurojë një shkollë të lartë me degë edhe më të mirë. Por mbas saj, gjërat fillojnë dhe bëhen sa më të pasigurta, aq edhe të zymta. Potenciale të çuara dëm, mund pa kënaqësi a përfitim të barabartë, mungesë motivimi plotësisht e justifikuar. Nuk ia vlen më as të pyesim se përse nuk po shkojnë gjërat mirë, apo se përse dielli pranveror që prisnim sa vjen edhe kthehen në rrebesh. Lulet, sado farë të mirë të kenë, sado të bukura mund të bëhen, nuk do të bëhen nëse nuk ka tokë pjellore e klimë të përshtatshme. Ato do të mbijetojnë, (disa që do të munden) duke u përshtatur, dhe ne do të vazhdojmë të shohim ngjyra të zbehta, gjethe të thata e kërcej të përkulshëm. Por a nuk është një humbje e madhe të rrisim fryte të atilla, kur mund të mbusheshim me aromë dhe gjelbërim, nga po të njëjtat fara?
Sado rrugë të gabuar mund të kemi bërë gjithë këto kohë, gjithsesi s’do të thotë se kemi dështuar. Mbase kemi humbur orientimin për kaq shumë kohë, por mundemi ta rigjejmë.
Dhe unë jam e bindur se do ta gjejmë, kur të kemi besim tek farat që hedhim në tokë, tek fëmijët tanë, apo tek dielli që papritur mund të dalë. Nëse thellë-thellë të gjithë kërkojmë të jemi të lumtur, është marrëzi ta pretendojmë pa punuar për të. Lumturia është arritje, është çmim, fryt i punës e mundit. Dhe e vetmja punë që mund të bëjë secili nga ne, me bindjen e plotë për sukses, është puna drejt përmbushjes së potencialit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.