Pika referimi

February 14, 2018 | 7:43

Nga Rea Shundi: Si studentët mbeten të papunë dhe pa perspektivë?!

 

Kalimi në universitet është një etapë themelore në formimin e individit-qytetar. Institucioni i arsimit ka përgjegjësi të formojë profesionistët e së ardhmes për tregun e përshtatshëm të punës. E nevojshme është që profesorët dhe lektorët të plotësojnë kualifikime të tilla që të kompensojnë për mungesën e eksperiencës së universiteteve tona.

Rea Shundi, Vëzhguese dhe mendimtare kritike, analizuese, punuese në grup dhe e udhëhequr nga aftësive e veta; Certifikata: Diplomacia Globale – Universiteti i Londrës, Nëntor 2017

Rea Shundi, Vëzhguese dhe mendimtare kritike, analizuese, punuese në grup dhe e udhëhequr nga aftësive e veta; Certifikata: Diplomacia Globale – Universiteti i Londrës, Nëntor 2017

Duke hedhur sytë në simbolet e arsimit europian, ne kemi minimalisht dhe natyrshëm nevojë për më shumë kohë. Periudha e tranzicionit gjithashtu nuk ka mbaruar e nuk do të mbarojë ende, përderisa vazhdimisht tronditen themelet e muret e ndërtuara në vite. Pakënaqësi vazhdojnë të ngrihen për probleme si pagat e pamjaftueshme (ose të munguara), e deri tek vizionet jo transparente të drejtuesve për të ardhmen tonë. Studentët nga ana tjetër janë qytetarët me potencialin më të madh, por me përvojën më të vogël. Çdo gjë është e re dhe zë vend më me peshë tek ta. Nëse universitet fillojnë të lëkunden, perspektiva dhe motivimi i tyre pëson kolizion.

Mungesa e theksuar e përgjegjshmërisë dhe ndjeshmërisë qytetare nga ana e drejtuesve, ka bërë që si studentët, ashtu dhe punonjësit e institucioneve arsimore të ndjehen të braktisur.

Por kjo braktisje ka ndodhur me kohë (duke pranuar se më parë ishin në bashkëpunim). Kapitalizmi për ne është një sistem  i vështirë për t’u përballuar shëndetshëm. Ai bazohet në lirinë e njeriut dhe në marrjen e fatit të tij në dorë, në shfrytëzimin e resurseve për të ndërtuar të ardhmen e tij.

Por ne vijmë nga një periudhë intensive izolimi dhe robërimi të verbër. Papritur dikush na hoqi fashën që na ishte lidhur përreth syve dhe filluam të shihnim dritën e diellit me të gjithë spektrin e tij të ngjyrave. Të tjerëve mund t’u vinte keq për ne, sepse një traumë e tillë – sado të aftë që kemi treguar që jemi për t’u përshtatur – nuk kalohet pa pasojat e saj të shëmtuara.

Pasojat prekin të ardhmen e fëmijëve. Të tashmen e studentëve dhe aftësinë e tyre për largpamësi.

student

Brezat e dyta dhe të treta s’mund ta marrin veten mjaftueshëm për të ruajtur hapin e kohës. Një pjesë duket të jetë dorëzuar për të rivënë fashën rreth syve, e madje dhe tapat e veshëve. Kaq shumë nuk mund të pritet nga një njeri: kalimi nga një lloj lufte në tjetrën dhe trajtimi i njerëzve ende si ushtarë, kur kohë më parë duhet të kishin marrë titullin e veteranëve.

Ne po luftojmë me ushtarë të vjetër, kurse ushtarët e rinj radhiten në baraka duke pritur armëpushimin.

Nuk mund të pretendoj kurrsesi që udhëheqësit e trupës sonë nuk janë të vetëdijshëm për strategjinë e tyre vdekjeprurëse. Kërkohet njëlloj inteligjence dhe dinakërie për të mbërritur aty ku ata qëndrojnë. Trauma e lëvizjes së pushtetit ata i ka rënduar dhe vazhdon t’i rëndojë më shumë. Dikujt do t’i vinte keq për ta po ashtu.

Por a nuk është ky një mëkat, një gabim fatal, çuarja dëm e batalioneve të tëra kadetësh të rinj për hir të fatalitetit të drejtuesve?

Në fund të fundit, studentët punojnë për potencialin e mendjes së tyre. Shumë do të dallonin e shkëlqenin në fusha që ne kemi vërtetë nevojë t’i zhvillojmë. Por ata janë të detyruar të përtypin zymtësinë dhe konfuzionin që s’e kuptojnë nga i vjen, pasqyrim i fatalitetit të “udhëheqësve” tanë.

E gjitha sepse refuzojmë të pranojmë që, komunizëm apo kapitalizëm, jemi një komunitet i përbashkët. Kur dikush sëmuret, të gjithë të tjerët ndikohemi po ashtu.

Studentët nuk e dinë përse të mësojnë e punojnë. Mos duhet të luftojnë të arrijnë majat për veten e tyre? Kjo përflitet të sjellë mirëqenie ekonomike. Por shihet gjithashtu se për moralin është rrënim. Pra, kush do t’i udhëzojë ata drejt moralitetit e prosperitetit?

Dhe, për sa kohë do të pretendojmë që lulet të rriten në një shtrat të kalbur…?

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top