Fillojnë me “na ishte një herë…” për të përfunduar me “jetuan të lumtur e të gëzuar përgjithmonë”. Përrallat , përveçse një burim i gjallë i pasurisë së çdo vendi, janë një pasqyrim i figurave të shumta me tensione e konflikte të ndryshme psikologjike, si dhe me rrugë për t’i përballur ato. Përrallat janë shprehje simbolike të mendjes njerëzore dhe përvojës emocionale. Përrallat nuk iu drejtohen vetëm fëmijëve. Absolutisht, ato janë shumë të rëndësishme për të vegjlit, që nga roli që luajnë, për zhvillimin e imagjinatës, fjalorit, kreativitetit, të kuptuarit, deri te fuqia e jashtëzakonshme e krijimit të lidhjes prind-fëmijë.

Nga Renisa Beqiri, Psikologe Klinike
Ndërkohë që, historia rrëfehet nga njëri brez tek tjetri. Por, fuqia e përrallave është e jashtëzakonshme. Ato kanë edhe rol terapeutik, ku identifikimi me heronjtë, çon në identifikimin me klientin, tejkalimi i vështirësive është shpresë për gjetjen e drejtimit të duhur në pyllin e errët. Çdo përrallë ka një personazh kryesor.
Në këtë shkrim, do të fokusohem në dy prej princeshave më të njohura, Borëbardhës dhe Hirushes. Nuk do të bëj një përshkrim të tyre, por do të jap një këndvështrim kritik të rolit që kanë dhe sesi modeli i tyre mund të përçohet.
Përtej kuptimit të parë, që janë thjesht përralla, studiues të ndryshëm janë futur në kuptimet më të thella të këtyre personazheve, duke ngjallur debate dhe duke hapur dritare të reja të kuptimit . Për më tepër, këto tregime janë thumbuese të historisë. Duke studiuar përrallat në thellësi, ato provojnë se, funksionet e miteve përbëhen nga krijimi i një personazhi imagjinar që na mundëson të kuptojmë kulturën tonë nga jashtë-brenda. Këto histori komentojnë të vërtetat abstrakte të ekzistencës sonë të përbashkët njerëzore. Përrallat informojnë audiencën rreth temave të rëndësishme dhe ngjarjeve historike.
Figura e princeshës së Borëbardhës është një figurë që ka ngjallur debate. Kritikat feministe ka qenë shumë e forta. Ajo ka kërkuar ripërcaktimin e identitetit të gruas, pasi jeta e Borëbardhës në shtëpinë e shtatë xhuxhëve është një mësim se si duhet shërbyer dhe sakrifikuar. Vetëm në këtë mënyrë një grua mund të jetë e denjë për jetën familjare. Borëbardha, rri e pret princin ta shpëtojë, si dhe është aq naive dhe nuk arrin t’i rezistojë dot mollës së shtrigës. A mund të pranohet modeli i vajzës së urtë, të bukur, të nënshtruar, në pritje, si një model i gruas dhe aspiratave të saj? Dyshoj nëse përgjigja mund të jetë po.
Personazh shumë interesant është edhe Hirushja. Përveç tablosë psikologjike, përralla përfaqëson edhe luftën e ashpër të klasave, të domosdoshme për të mbijetuar. Kështu, vajza është duke u shfrytëzuar nga të afërmit e saj, në kuadër të statusit dhe të mirave që zotëronin. Nga ana tjetër, Hirushja nuk ka pasuri, dhe shpresa e saj e vetme për pushtet është të martohet me princin. Përralla ka një strukturë klasore të qartë. Kështu, Hirushja (e varfër) bën gjithë punët e shtëpisë, motrat (klasa e mesme) synojnë të martohen me princin (klasa e lartë) që ka kontrollin e gjithë mbretërisë.
Në legjendën origjinale, kafshët iu nxjerrin sytë motrave të Hirushes dhe i dëbojnë nga qyteti, gjë që simbolizon përleshjen e dhunshme mes të pasurve dhe të varfërve. Sipas lëvizjes feministe, autorët në rrëfimet e tyre kanë përfshirë paragjykimet gjinore që poshtërojnë gratë. Pasqyrimi i mashkullit dominant, të fortë dhe femrave pasive e të nënshtruara, është pasqyrim i steriotipeve negative për gratë dhe seksualitetin. Në një luftë për pushtet mes grave dhe burrave, gratë përpiqen që të mbijetojnë. Lumturia e Hirushes varet nga meshkujt. Kur i ati i vdes, ajo bie në mjerim dhe jeton me njerkat e liga. Ajo mund të bëhet e lumtur vetëm nëse martohet me princin dhe në këtë mënyrë duhet ta impresionojë me paraqitjen e saj. Pra, princi njeh nga Hirushja vetëm bukurinë dhe këpucën prej xhami.
Psikanaliza ka dhënë një ndër këndvështrimet më interesante, që fokusohen në luftën e brendshme që ndodh tek çdo individ. Nëse një psikanalist lexon Hirushen, do të kuptojë se fillimisht ajo drejtohet nga Superegoja , sepse mohon dëshirat për të kënaqur njerkën dhe motrat. Kur zana ia plotëson dëshirat, shpëton nga dominanca e Superegos. Hirushja drejtohet nga Idi kur lë punët dhe shkon në ballo, diçka që e kishte të ndaluar. Rënia në dashuri dhe martesa me princin tregon daljen e egos në sipërfaqe dhe balancimin e psikikës, pasi martesa është diçka e pranueshme shoqërisht.
Heroinat e përrallave zakonisht portretizohen si karaktere të dobëta dhe të nënshtruara. Hirushja është e abuzuar në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë historinë nga njerka e saj kontrolluese, dhe ajo e merr abuzimin pa ankesa dhe protestë. Në këtë mënyrë, ajo është duke iu bindur një autoriteti më të lartë moral në vend, autoritetit njerëzor, por në përrallë.
Këto përralla u mësojnë lexuesve se bindja është tipari më i rëndësishëm që gratë mund të kenë. Madje, dhe kur një karakter femër duket se po përpiqet të bëjë diçka për veten e saj. Në fakt, ajo nuk mundet, por thjesht i nënshtrohet një autoritetit të lartë. Në këto përralla mësohet se çdo të thotë të jesh një grua e nënshtruar dhe e bindur dhe si shpërblehen këto atribute. Nga ana tjetër, princi i Hirushes e ka bindur veten se të gjitha gratë janë të pabesueshme dhe mashtruese. Madje, madje edhe gratë me nderin më të lartë, ishin në të vërtetë “armike mizore” ku ambicia e pa shkatërruar e të cilave ishte, të fitonin zotërim mbi atë që njeriu i pakënaqur mund të dorëzojë. Princi është kaq i bindur për këtë saqë do të martohet me një “bukuroshe të re, pa krenari, të bindur, me durimin për të provuar dhe për të provuar”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.