Fëmijëria, përpara se ne të bëheshim adoleshentë dhe të fillonim përgatitjet për jetën tonë si të rritur, ishte një kohë e çmuar, e bazuar në imagjinatë dhe argëtim. Ishte koha për të vegjlit, koha vetëm për të përdorur imagjinatën, koha për të luajtur, kohë për të qenë vetëm një fëmijë.
Fatkeqësisht, kjo kohë e çmuar e fëmijërisë është në rrezik të humbasë. Përdorimi i imagjinatës së tyre për vetëargëtim nuk është më opsion. Shumë fëmijë nuk mund të argëtojnë veten, nëse nuk kanë bashkangjitur një kompjuter, duke luajtur lojëra në ekran. Për fat të keq fëmijët sot po humbin një pjesë shumë të rëndësishme të jetës së tyre, fëmijërinë e tyre.
Ne kemi parë në një hapësirë të mrekullueshme kohore, një transformim të qëndrimeve më themelore të shoqërisë ndaj fëmijëve. Aty ku prindërit ndiheshin dikur të detyruar të strehojnë fëmijët e tyre nga peripecitë e jetës, sot një numër i madh veprojnë sipas një besimi të ri: që fëmijët duhet të ekspozohen herët në përvojën e të rriturve për të mbijetuar në një botë gjithnjë e më pak të kontrolluar.
Vetëm 20 vjet më parë, pjesa më e madhe e fëmijëve qëndronin për të luajtur jashtë gjithë ditës, duke hipur në biçikleta, duke krijuar lojëra sportive, duke ndërtuar kala, pra duke e lënë veten të jenë kështu zotërit të lojërave aktive dhe imagjinare. Ata krijuan formën e tyre të lojës së argëtueshme, e cila nuk kërkonte domosdoshmërisht pajisje të kushtueshme apo kontroll të rreptë prindëror. Fëmijët lëviznin shumë, dhe bota e tyre ndijore ishte e bazuar në natyrshmëri dhe thjeshtësi. Tryeza e ngrënies për një pjesë të konsiderueshme të familjeve, ishte një vend qendror ku anëtarët e familjes mblidheshin për të ngrënë dhe për të folur për ditën e tyre. Fatkeqësisht, rëndomtë familjet e sotme kanë ndryshuar. Ndikimi i teknologjisë në familjen e shekullit 21-të është thyerja e themelit të saj, duke shkaktuar kështu një shpërbërje të vlerave thelbësore që shumë kohë më parë ishin pëlhurat që mbanin së bashku familjet. Anëtarët e familjes e nisin komunikimin nëpërmjet teknologjisë për ta bërë jetën më të shpejtë dhe efikase.
Rrjedhimisht ka perënduar koha e bisedave në tavolinat e ngrënies, e këto biseda janë zëvendësuar me një ekran të madh televiziv, nga ku mund të shijosh ushqimin duke u argëtuar me programet në vazhdim. Në këtë formë, dalëngadalë, fëmijët po humbasin artin e bisedës. Në daljet në park, në restorante, në ambientet e shtëpisë askush nuk e angazhon fëmijën në bisedë. Është më e lehtë për ta argëtuar me një lodër të teknologjisë sesa me një anëtar të familjes. Tashmë “dado” është bërë teknologjia.
Fëmijët kanë nevojë për një ekuilibër të aktiviteteve që duhet të ushtrojnë gjatë ditës, me kohëzgjatje të planifikuar. Asnjë lojë nuk mund të konkurrojë me një libër të mirë kur bëhet fjalë për përdorimin e imagjinatës. Kjo mënyrë jetese që fëmijët po zhvillojnë sot, nuk i lejon ata të jenë ëndërrimtarë dhe mendues kritikë. Ata mësojnë, por nuk shprehen apo dëgjojnë. Ata ndërveprojnë me makina në vend të njëri-tjetrit. Ata nuk janë lexues, janë vëzhgues. Në sjelljen e tyre të përditshme, gjuha që përdorin, gjërat që dinë dhe mbi të gjitha në marrëdhëniet e tyre me botën e rritur, fëmijët kanë ndryshuar.
Të gjendur në mes të një informacioni të shumëllojshëm, të pakontrolluar,e ndoshta në një përputhje aspak koherente me moshën që fëmijët aktualisht janë, iu jep atyre një barrë të rëndë të dijes, për të cilën nuk e kanë arritur akoma aftësinë për ta asimiluar siç duhet. Rezultatet ndaj këtij lloj ekspozimi të pakontrolluar, mund të jenë pikërisht ato shenja shqetësuese që prindërit dhe mësuesit po vëzhgojnë tek fëmijët sot: konfuzion, frikë apo ndjenja të paaftësisë. Nëse ata do të rriten duke qenë të ekspozuar ndaj problemeve më të mëdha se etja, nuk do të jenë në gjendje që të përballojnë vështirësitë dhe do të mësojnë se mënyra më e mirë për t’u marrë me problemet është të arratisja nëpërmjet drogës, alkoolit apo çfarëdo sjelljeje tjetër devijante. Pafajësia fëmijërore, dikur e konsideruar si karakteristikë e fëmijëve, sot mund të shihet thjesht si mungesa e peshës dhe barrës që ata përjetojnë gjatë zhvillimit të vet. Ndërkohë, pjekuria mund të përkufizohet si aftësia për të mbajtur me sukses një barrë kaq të madhe informacioni të nevojshëm ose jo.
Një prind i mirë i viteve ’60-’70, shpenzoi kohë të konsiderueshme duke i shpjeguar me durim gjërat fëmijës së tij. Por ishin rrugët e botës që prindi sqaroi – bota e natyrës, e politikës, e marrëdhënieve shoqërore. Një numër i madh i shpjegimeve të mundimshme prindërore të sotme, nuk i referohet vetëm fenomeneve natyrore apo sociale, por edhe ndjenjave, anktheve dhe pasigurive. Prindërit po kuptojnë se kohët kanë ndryshuar dhe se ata çdo ditë po gjenden përballë problemeve që jo vetëm prindërit e tyre, por as vetë ata nuk i kishin hasur ndonjëherë. Po kuptojmë se Mosha e Mbrojtjes ka përfunduar. Ka ardhur koha e përgatitjes për jetën dhe fëmijët kanë pësuar një humbje. Rëndomtë ata janë të integruar në një moshë të vogël në botën e rritur, e në këtë mënyrë jetët e tyre janë bërë më të vështira, më konfuze – shkurt, më shumë si jetë të rriturish. Mosha e Mbrojtjes nuk mbaroi për shkak të një vendimi të qëllimshëm për të trajtuar fëmijët në një mënyrë të re. Ajo përfundoi nga nevoja.
Trazirat e mëdha sociale në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970 krijuan ndryshime në jetën e të rriturve që kërkonin mënyra të reja të prindërimi. Si rrjedhojë e kësaj, shumë prindër përpiqen që t’iu imponojnë sjelljet apo dëshirat e tyre fëmijëve të vet, duke bërë në këtë mënyrë as më shumë dhe as më pak një konfuzion në mendjen e fëmijës mes asaj që do dhe duhet të bëjë. Ndonjëherë ne si të rritur nuk arrijmë të kuptojmë nevojat e reja të fëmijëve , por përpiqemi që ti represojë nevojat e tyre dhe të imponojmë tonat, pa marrë parasysh moshën apo kapacitetin e fëmijës. Është njëlloj sikur ne të na shijojë shumë një biftek i sapo gatuar dhe për këtë arsye ne kemi të drejtë ti japim dhe fëmijës tonë. Problemi është se fëmija nuk ka dhëmbë dhe nuk mund të hajë biftekun. Ky lloj “ushqimi” ia merr frymën atij.
Shumë prindër sot, ankohen se e shikojnë të pamundur t’i shkëpusin fëmijët e tyre nga TV, iPad apo telefoni. Ata shprehen se janë përdorur të gjitha mënyrat, edhe ato me autoritaret, por problemi nuk po merr zgjidhje dhe prindërit e shikojnë aspak të lehtë të gjejnë motivin që iu duhet fëmijëve t’i kushtojnë më pak kohë teknologjisë. Motivi për të kontrolluar impulsin negativ nuk është një motiv që vjen nga jashtë, si një frikë nga autoriteti i jashtëm dhe një frikë nga ndëshkimi, por ky motiv ndodhet në ndërgjegjen e cilitdo fëmijë. Një prind që ka aftësinë të ndërgjegjësojë nga njëra anë, e nga ana tjetër një fëmijë me ndërgjegje të zhvilluar shëndetshëm, janë kombinimi më i mirë i gjetjes së atij motivi të shumë kërkuar. Fëmija është i aftë të zhvillojë ndjenjat e fajit kur ai mendon se po bën diçka jo të pëlqyeshme/lejueshme. Ai ka një sistem sinjalistik brenda vetes, i cili do ta paralajmërojë dhe pengojë veprimin. Ky fëmijë me ndërgjegje nuk ka nevojë për një polic përreth për të kontrolluar sjelljen. Ai e ka policin e tij brenda vetes. Për çdo prind apo të rritur, është shumë më e këndshme dhe e shëndetshme të jetosh me një 5 vjeçar që nuk ka nevojë për një polic për të kontrolluar sjelljen e tij, por një fëmijë me ndërgjegje të zhvilluar.
• Loja iu jep fëmijëve mundësinë të mësojnë rreth vetes, të krijojnë, të mësojnë si të bëjnë gjykime të pavarura,të krijojnë një respekt reciprok si dhe aftësinë për t’u integruar apo punuar në grup.
• Loja iu jep gjithashtu fëmijëve një ndjenjë kënaqësie që mund të lerë gjurmë në kujtesën e tyre, e vite më vonë të kenë kënaqësinë për ta treguar atë eksperiencë. Çrregullime të tjera psikologjike si ADHD, autizmi, çrregullimi i koordinimit, vështirësitë në të nxënë, çrregullimet e të folurit, ankthi, depresioni dhe çrregullimi i gjumit po rriten me një ritëm alarmues si pasojë e një stimulimi shumë të madh të teknologjisë.
• Është e rëndësishme që të mblidhen së bashku prindër, mësues dhe terapistë për të ndihmuar shoqërinë “TË ZGJOHET” dhe të kuptojë se zënia e pjesës më të madhe të kohës me mjete të teknologjisë është shkatërruese jo vetëm për shëndetin fizik, psikologjik apo të sjelljes, por edhe për aftësitë e tyre për të mbështetur familjen dhe ruajtur marrëdhëniet. Teknologjia është një tren që do të vazhdojë pambarimisht përpara dhe paralelisht me këtë zhvillim duhet të nxiten dhe marrja e njohurive lidhur me efektet e dëmshme të saj, nëse zgjedhim të robërojmë kohën duke ia dedikuar teknologjisë. Duhen ndërmarrë nga secili, hapa drejt balancimit të sjelljeve, duke mos e lejuar teknologjinë të mbetet akoma e më shumë një faktor kritik për zhvillimin. Ne duhet të punojmë për të mbajtur akoma në jetë aktive fëmijët tanë. Nëse askush nuk mund të argumentojë përfitimet e teknologjisë së përparuar në botën e sotme, ajo që mund të argumentohet është se lidhja me këto pajisje ka rezultuar në shkëputje nga shoqëria dhe krijimi i një hendeku të madh të fëmijëve me prindërit e tyre.
• Komunikimi real është i pazëvendësueshëm. Integrimi i fëmijës në familje, në shoqëri, në lojë sportive janë elementet kyç për të pasur një mënyrë jetese të shëndetshme. Në vend që të përpiqemi t’iu sigurojmë fëmijëve më shumë TV, video games, telefona apo iPad, t’i inkurajojmë ata që të përqafojnë më shumë, të luajnë, të gjejnë strehë në familje dhe të bisedojnë me prindërit, familjarët apo bashkëmoshatarët.
• Në vend që të krijojmë një humnerë të thellë e të pakthyeshme për fëmijët tanë, lë të përpiqemi të balancojmë tradicionalen dhe modernen për një stil jetese më të shëndetshme për brezat që po rriten dhe do të lindin në vazhdimësi.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.