“A është normal?”… Nuk ka kaluar kohë e gjatë kur prindër të merakosur për fizikun e fëmijës së tyre shtronin këtë pyetje duke marrë përgjigje standarde: “Është normale që me rritjen e fëmijës të ndodhin edhe ndryshimet fizike”. Zhvillimi fizik i fëmijëve pa dashje injorohej, duke përdorur thënie se “fëmija është në rritje”. Po kështu injorohej edhe veprimi i fëmijës në rast se tërhiqte këmbën e djathtë gjatë ecjes pak më shumë se të majtën, apo nofulla e fëmijës që gjatë çdo përtypjeje shkaktonte zhurma…. e shumë e shumë raste të ngjashme si këto.
Nëse këto defekte fizike të fëmijëve që në moshë të vogël do të injorohen deri në moshë të rritur, atëherë fëmijët do të mbeten me një fizik të gjymtuar apo difektos përgjatë të gjithë jetës. Shumë prindër përqendrohen vetëm në zhvillimin psikik të fëmijës, duke anashkaluar atë fizik. Ashtu si psikoterapia, edhe fizioterapia është një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm në zhvillimin e fëmijëve.
Ku duhet të tregoheni të vëmendshëm për zhvillimin e fizikut të fëmijës?
Kur fëmija diagnostikohet me dëmtime të zhvillimit psikomotorik
Në shoqëritë e sotme moderne, pothuaj të gjithë janë të përqendruar tek pamja e jashtme. Një fenomen që ka prekur pothuaj të gjitha shtresat e shoqërisë. Po kështu edhe tek shumë prindër me standarde dhe mirëqenie të lartë ekonomike.
Por, për fat të keq, jo të gjithë prindërit jetojnë në kushte të mira ekonomike. Jo të gjithë janë në gjendje të ushqehen dhe të jetojnë shëndetshëm. Në vendet e zhvilluara janë ndërtuar dhe konsoliduar strukturat shtetërore, që i kushtojnë kujdes të posaçëm zhvillimit fizik dhe psikik të fëmijëve. Aty ku prindërit nuk janë në gjendje të garantojnë një zhvillim të mirë të fëmijëve të tyre, ndërhyjne strukturat psikosociale përmes identifikimit të këtyre rasteve dhe trajtimit, mbështetjes së këtyre fëmijëve.
Roli kryesor i punës së punonjësve socialë është pikërisht identifikimi, mbështetja dhe trajtimi i fëmijëve edhe me fizik të dëmtuar përmes fizioterapisë, e cila nuk kufizohet aspak nga mosha. Ashtu si të rriturit që për një arsye apo një tjetër, i drejtohen fizioterapisë edhe për fëmijët është njësoj.
Përmes fizioterapisë i vihet në ndihmë zhvillimit psikomotorik të fëmijës. Shumë prindër, të cilët ende mendojnë se fizioterapia është vetëm për të rriturit, duhet të çlirohen nga këto klishe dhe sapo të vënë re që fëmija i tyre ka dëmtime apo kufizime motorike, duhet t’i drejtohen mjekut të fëmijës për të diagnostikuar dhe planifikuar fizioterapinë e nevojshme po sipas diagnozës.
Përkujdesi prindëror ndaj fëmijës fillon që me lindjen e tij. Pothuaj të gjithë prindërit përqendrohen në vizitat e rregullta në konsultore, pesha, gjatësia, vaksinimi, ushqimi etj. Por ajo që shumë nuk e dinë ose anashkalojnë, është vëzhgimi i kujdesshëm, për arsye se shumë dëmtime fillojnë dhe vërehen lehtësisht që gjatë vitit të parë të jetës.
Ku duhet të përqendrohen prindërit tek bebet e porsalindura?
Tregoni kujdes nëse fëmija juaj i porsalindur:
1.Trembet shumë shpejt: dhe kjo ndodh si reaksion auditiv ose vizual përmes teshtimës, kolles, kur dikush në mënyrë të papritur futet në dhomën e fëmijës.
2.Kur fëmija qan, grindet ose bërtet pa asnjë shkak të jashtëm dhe kur nuk qetësohet menjëherë, fle keq.
3.Kur fëmija emija ka ndryshim të menjëhershëm dhe të shpejtë të humorit, herë qesh dhe pas disa sekondash bërtet.
4.Kur fëmija nuk mund të të ndryshojë pozicionin e trupit gjatë gjumit, atë anësor dhe me bark. Duke ditur që fëmijët e porsalindur pas gjashtë muajsh janë në gjendje në mënyrë të pavarur, të ndryshojnë pozicionin e trupit gjatë gjumit.
5.Kur fëmija pështyn shpesh, konkretisht kur ka probleme me gëlltitjen, vjelljen ose kur vjell menjëherë pasi ka pirë qumësht.
6.Kur pozicioni i kokës gjatë fjetjes është shtrembër, konkretisht kur e mban kokën vetëm në një anë.
7.Kur forma e kokës formohet nga ana e pasme si një dërrasë e drejtë ose e njëjta formë krijohet në të dyja anët e kokës.
Fëmijët e moshës 2 deri në 4 vjeç: Fëmijët në këtë moshë kanë zhvilluar disa aftësi motorike, përmes të cilave ata kanë mësuar të ecin, të kërcejnë, të balancojnë ekuilibrin, të kacavirren nëpër pemë, dhe për çdo veprim të kësaj natyre, ata kërkojnë vëmendjen e prindërve.
Shenja të një kufizimi apo vështirësie të lëvizjeve motorike në këtë moshë janë:
1.Rrëzime të shpeshta
2.Rrëzim i shpeshtë, duke u mbajtur me të dyja duart
3.Kur ecin me vonesë
4.Pengime të shpeshta
5.Kur përplasen shpesh me mobilje apo kur u bien shpesh gjërat nga duart
6.Kur ecin me majë të gishtave
Për të gjitha këto shenja, mjeku i fëmijës rekomandon fizioterapi, e cila është tepër e rëndësishme që në këtë moshë. Sipas këtyre shenjave, të cilat e kanë zanafillën që pas lindjes (sipas shenjave të cekura më lart si: pozicionimi i gabuar i kokës etj.,) në mënyrë që të eliminohen pasojat fizike në të ardhmen.
Fëmijët prej moshës 6 deri 9 vjeç. Në këtë moshë është tipike rritja e shpejtë e trupit të fëmijës, ku strukturat sociale jashtë ambientit familjar (shoqëria, shkolla) kanë një domethënie të madhe për fëmijën. Nëse fëmija juaj nuk ka zhvillim motorik sipas moshës, ai ose ajo bëhet objekt i talljeve apo ngacmimeve qesharake në shkollë. Për këto shkaqe, fëmija përpos mbylljes në vetvete përpiqet të kufizojë defekte fizike që ka si: p.sh: ecjen e gabuar, lëvizjet etj.
Për këto raste duhet konsultuar me mjekun e fëmijës atëherë kur vërehen këto shenja:
1.Qëndrim i gabuar i trupit
2.Ecje e njëanshme
3.Kur me ndihmë të duarve mundohet të mbajë pozicionin e kokës në një drejtim
4.Kur shkruan shtrembër duke e mbajtur fletoren e shkrimit shtrembër
5.Kur mundohet të mënjanojë aktivitetet fizike si biçikletën, lojëra me top, etj.
Metodat fizioterapike janë:
1.Gjimnastikë e posaçme sipas diagnozës
2.Bobath – terapi
3.Vojta – terapi
4.Trajtim medicinal
5.Edukim fizik
6.Marrje njohurish të reja të qëndrimit trupor në shkollë
Dhe këtu, duke përfunduar, veçanërisht për ata prindër që fatkeqësisht nuk janë në gjendje ekonomike dhe akademike të përqendrohen dhe të përkujdesen siç duhet për fëmijët e tyre të porsalindur, të gjithë punonjësit socialë, edukatorët, mësueset, psikologët duhet t’i kushtojnë kujdes të veçantë përpos zhvillimit psikik edhe atij fizik të fëmijës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.