Marrëdhënie

May 6, 2019 | 11:02

Nga Reti Duka: Çfarë ndodh kur fëmijët shkëpusin në mënyrë radikale kontaktet me prindërit?

Ajo që ndodh shpesh te marrëdhëniet shoqërore, po kaq shpesh edhe brenda familjes, është shkëputja e kontakteve mes prindërve dhe fëmijëve të tyre, sikundër dhe ajo mes motrave dhe vëllezërve. Shkaku i kësaj shkëputjeje kaq radikale, shpesh e ka zanafillën në konflikte të hershme.

retiNë librin e saj “Shkëputja e kontaktit”, psikoterapistja gjermane Claudia Haarmann shkruan: “Fatkeqësisht nuk ka të dhëna të sigurta, por sipas numrit online të grupeve që këmbejnë përvojat e tyre të ngjashme me njëri-tjetrin për këtë temë është shumë i lartë. Familjet me këto dinamika negative nuk kanë arritur të kapërcejnë hendekun e ndërprerjes së kontaktit nga fëmijët e tyre. Për këtë arsye, shumë të prekur kanë krijuar grupet online ku përmes komunikimit me njëri-tjetrin fitojnë atë që nuk u ka dhënë familja: siguri, të ndihen të kuptuar, të respektuar. Me fenomenin pasiv-agresiv që mbartin të prekurit më vete, merren jo vetëm psikoterapistët, psikologët, por kohët e fundit edhe filozofët, të cilët kërkojnë faktet empirike si edhe problematikat e përditshmërisë.

Siç shkruan edhe filozofja zvicerane Barbara Bleisch në traktin provokues, “përse ne fëmijët nuk u jemi prindërve borxhlinj” ndër të tjera, ajo studion rastet e përkujdesjes së fëmijëve ndaj prindërve të tyre në moshë të thyer si një rregull që duhet të zbatohet. Sipas saj, asnjë fëmijë nuk është i detyruar ta bëjë këtë. Kjo nuk është përgjegjësi, ligj apo rregull, por thjesht një dëshirë e lirë, e vendosur nga fëmijët. Koha e tezave të forta të periudhës së katolicizmit të natyrave të tilla si: “Ti duhet të respektosh nënën dhe babain, sepse ata të kanë bërë kokën”, ka kohë që ka ikur.

5

Psikoterapistja Haarmann në qendrën këshillimore të saj thekson se: “Pothuajse në të gjitha rastet ku fëmijët kanë ndërprerë radikalisht kontaktin me familjet e tyre, i kanë rrënjët në fëmijëri, ku kanë ndodhur shumë përvoja negative. Por këto përvoja që ata i kanë të fshehura në nënvetëdije, dalin në dritë vetëm kur ata drejtohen për ndihmë profesionale. Kontakti në shumicën e rasteve ndërpritet për situata banale si: zënka mes motrave, harresa e festimit të ditëlindjes, etj.

Haarmann ka krijuar një forum online ku ajo u është drejtuar personave që prej shumë vitesh nuk kanë kontakt me prindërit e tyre. Për një kohë shumë të shkurtër asaj iu lajmëruan me dhjetëra raste, kryesisht vajza të cilat nuk kanë kontakt me nënat e tyre.

Themi vajza si term biologjik, sepse këto vajza tashmë janë në moshë madhore. Për shembull, rasti i një gruaje 53-vjeçare, e cila tregoi për marrëdhënien me nënën e saj 91-vjeçare, e cila jeton në qendrën e të moshuarve. Ajo u lidh vetëm para një viti me nënën e saj. Edhe pas një mungese kontakti prej shumë vitesh, ajo provoi përsëri të njëjtën sjellje nga nëna e saj, mungesë empatie, ftohtësie si më parë. “Mendova se pas kaq shumë vitesh dhe në një moshë kaq të vjetër, nëna nena ime do të kishte ndryshuar, por jo, ajo ka mbetur e njëjta si më parë. U pendova që i telefonova. Më mirë të mos kem kontakt”, thotë ajo. Në këtë mënyrë te këta persona aktivizohet mekanizmi i vetëmbrojtjes.

2Përmes ndërprerjes së kontaktit mendojnë se e kanë eliminuar dhimbjen, e kanë harruar atë dhe mungesa e kontaktit shihet si shkak për t’u mos përsëritur e njëjta dhimbje. Më pas vazhdon rrëfimi i saj: “Nëna ime ka qenë gjithmonë një person i ftohtë. Nuk më kujtohet asnjëherë një përqafim nga ana e saj. Sapo hyja në shtëpi, fillonte me bërtitjet dhe kërkesat e saj. Gjithmonë më gjykonte, më urdhëronte. Ajo më pranonte mua vetëm atëherë kur bëja siç thoshte ajo. Nëna ime është ekstreme manipuluese. Fatkeqësisht, motrat dhe vëllezërit e mi nuk e kanë parë nga ky këndvështrim. Për këtë mora vendimin që ditën që u largova nga shtëpia, të mos kem më lidhje me të. Dhe tani që provova të kontaktoj për vetë faktin se ajo është shumë e vjetër, e sëmurë dhe që ndodhet në shtëpinë e të moshuarve krejt e vetme. Por jo, ajo përsëri është e njëjta”, e mbaron rrëfimin e saj 51-vjeçarja.
Psikologjikisht është vërtet kështu. Që fëmijët edhe në moshë madhore gjenden në të njëjtin konfrontim njësoj si në kohën e fëmijërisë. E kaluara nuk harrohet, nëse ajo nuk përpunohet. “Më kujtohet kur vija nga shkolla dhe nëna ime fillonte të më bërtiste vetëm se kisha bërë pulovrën pis”, thotë një 45-vjeçare. Ajo është një biznesmene e suksesshme, por ende e vuan mungesën e kontaktit më të ëmën. Shpesh janë vajzat, të cilat pasi kanë arritur një moshë madhore, ndërpresin lidhjet me prindërit e tyre, qoftë nëna ose babai.

Dhe po kaq shpesh, shpjegon psikologia vjeneze Sabine Standenat, këto vajza luftojnë gjatë gjithë jetës së tyre për të marrë dashuri, njohje, vëmendje dhe respekt. Po të njëjta argumente, shpjegon në një mënyrë të detajuar edhe psikologu nga Grazi i Austrisë Louis Schützenhöfer, autor i librit “Si nënat i bëjnë fëmijët e tyrë të palumtur”.
Dhunimi psikik dhe fizik në fëmijëri, si në rastin e Michael Jackson, i cili e përjetoi këtë formë tejet të gabuar përmes rrahjes, dënimeve dhe mosvlerësimit verbal, jeta e tyre ose shkatërrohet totalisht, ose u duhet një mobilizim i jashtëzakonshëm fuqish për të ecur përpara. Të dyja këto fenomene i shohim po tek jeta e Michael Jackson, i cili u bë i famshëm, por nga ana tjetër ai u shndërruar në një njeri të varur nga medikamentet dhe sociopat. Një faktor shumë shqetësues dhe i përhapur në kohët e sotme moderne, përveç rasteve të përmendura më sipër, është edhe mungesa e babait, sidomos në ato raste kur ata lindin fëmijë jashtë martese. Sipas studimeve të fundit të kryera nga Instituti Shkencor i Familjes në Austri, më shumë se gjysma e këtyre rasteve nuk kanë kontakt me babain biologjik. Ky fenomen është tejet shokues, sidomos kur bëhet fjalë për një vend të zhvilluar siç është Austria.
Si shpjegohet ky fenomen nga analiza psikologjike?
Tek meshkujt shihet një tendencë për t’i “harruar” fëmijët e tyre të lindur jashtë martese. Këta persona e shkëpusin këtë pjesë të jetës, duke e mbyllur si kapitull vetëm për të qetësuar shpirtin e tyre. Gjithashtu meshkujt asociojnë më shumë se femrat. Sa më gjatë të mbajnë mungesën e kontaktit, aq më pak mendojnë apo e përjetojnë atë. Mekanizimi i ndrydhjes së ngjarjeve të këqija është shumë më i zhvilluar te meshkujt, se sa tek femrat.

Por arsyet e mungesës së kontaktit nuk janë gjithmonë “faji” i babait të fëmijës. Po sipas këtij studimi shkencor, në një pjesë cilësore të studimit, dominoi se shkaku për ndërprerjen e kontaktit është te nëna biologjike. Në shumicën e rasteve janë nënat ato që nuk dëshirojnë që fëmija i lindur jashtë martese të ketë kontakt me babain biologjik.

Nëna është në këto raste, si të thuash, një kujdestare. Sidomos në raste shumë të këqija, ku është përdorur dhuna fizike. Lëvizja e shoqatës së të drejtave të baballarëve në Austri, i paragjykon nënat si faktor bllokimi dhe si persona të këqij. Sigurisht që ekzistojnë edhe raste kur nënat pa asnjë arsye të këtyre natyrave nuk e dëshirojnë këtë kontakt. Por ky numër rastesh është jashtëzakonisht i vogël. Mungesa e kontaktit nga ana e babait biologjik me fëmijët, qoftë jashtë martese ose pasojë e ndarjes martesore, lë pasoja psikologjike tek ata.

4

Në shumë raste, ata edhe pse kanë ndërtuar një jetë të re, kanë lindur fëmijë të tjerë, ndjehen të pasigurtë në edukimin e fëmijëve, mungojnë dhe janë të tërhequr në edukimin e fëmijëve. Nëna është ajo që ka jo vetëm përgjegjësinë, por në këto raste, sipas tyre edhe “aftësinë” edukuese. Pasoja këto që nuk eliminohen edhe nga ata baballarë të cilët kanë kontakt me fëmijët e tyre një herë në javë apo edhe më rrallë. Sidomos kur fëmija hyn në moshën e pubertetit. Në shumë raste të tilla, ata ndërpresin kontaktin me fëmijën, pikërisht sepse ndjehen të padobishëm dhe nuk kanë fuqinë psikologjike të përballojnë problematikat që fëmija i tyre i kalon në pubertet apo në adoleshencë.
Por si ndjehen fëmijët në këto lloj situatash?
Nëse nëna nuk luan rol rregullues për mbajtjen në vazhdimësi të kontaktit me babain e fëmijës, nëse e pengon atë, atëherë edhe babai biologjik dorëzohet shumë shpejt. Në këtë rast, pasojat e zhvillimit psikologjik, por jo vetëm te fëmija, lënë gjurmët e tyre gjatë gjithë jetës. Pa marrë parasysh se në çfarë situatash konfliktuale apo egoiste ndodhen të dy prindërit biologjikë, ata duhet të jenë jo vetëm të pranishëm në jetën e fëmijës, por edhe në harmoni me njëri-tjetrin. Për këto arsye janë ngritur institucionet për ndihmë ndaj familjes, aq më tepër qendrat këshillimore ku jepet ndihma profesionale.

Përveç institucioneve ndihmuese, një rol të madh për një rritje normale dhe të shëndetshme të fëmijëve luajnë edhe të afërmit e familjes nga të dyja anët prindërore. Janë pikërisht këta fëmijë ata që më së shumti kanë nevojë për praninë e sa më shumë personave në jetën e tyre. Ndryshe nuk funksionon. Ky lloj edukimi duhet të ushtrohet edhe nga familjet normale. Sepse askush nuk mund të thotë që edhe në familjet më të mira, me nivel të lartë edukues, intelektual apo mirëqenie ekonomike prindërit jetojnë gjatë të gjithë jetës së tyre në harmoni me njëri-tjetrin. Kjo për vetë përditshmërinë e jetës, është një iluzion.

3

Prandaj, është shumë e rëndësishme që sa më shumë persona, të afërm, gjyshër, edukatorë apo mësues, psikologë dhe terapistë si elemente të institucionalizuara socio-shoqërore të merren me edukimin, aq më pak fëmijë me dëmtime psikologjike dhe detyrimisht shoqëri të sëmurë do të kemi.

Mungesa e kontaktit e aq më tepër, konfliktet në familje janë një faktor shkatërrues në përgjithësi. Ata që mendojnë se me ndërprerjen e kontaktit nisin ose jetojnë një jetë të qetë e të lumtur, gabohen. Në një intervistë të dhënë nga shkrimtari dhe psikiatri për fëmijë, Paulus Hochgatterer për fenomenin e ndërprerjes së kontaktit, ai thotë: “Një mbyllje kapitulli përmes ndërprerjes së kontaktit është gjithmonë një konstrukt totalitar. Ky konstrukt totalitar sugjeron në mënyrë të gabuar mundësinë për të jetuar pa u përballuar me të kaluarën, pa e përpunuar atë”!
Ideja që më shtyu të shkruaja këtë shkrim, ëshët vetë fakti, fatkeqësisht shumë i përhapur në shoqërinë tonë shqiptare ku në shumë e shumë raste shohim, dëgjojmë konflikte të rëndomta apo shumë të rënda në familjet shqiptare. Që po në shumicën e rasteve, përfundojnë me ndërprerje kontakti të nënës me fëmijët, babain me vëllain, motrës me vëllain, e shumë raste si këto. Situata konfliktuale duhet patjetër të përpunohen me ndihmën profesionale të psikologëve, punonjësve socialë, qendrave këshilluese etj.

Një shoqëri konfliktuale prodhon, fabrikon edhe për brezat e ardhshëm konfliktet. Tek e fundit, duhet të kemi parasysh një shprehje që mua më pëlqen dhe më shoqëron gjatë gjithë jetës: “Mendje e shëndoshë, trup i shëndoshë”!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top