Energjia psikosomatike na jep mundësinë të njohim më mirë funksionimin e sëmundjeve psikosomatike, shkaqet si dhe na krijon hapësira për të parë nga një këndvështrim tjetër shkencor aspekte të ndryshme mbi shëndetin mendor dhe fizik të njeriut.
Mes psikikës dhe trupit të njeriut përpos simptomave, ekziston edhe njëfarë energjie përmes së cilës truri mëson të largojë simptomat dhe të çlirojë trupin. Termi Psikosomatik ndahet në dy fjalë: psikika-shpirti dhe soma–trupi. Këtu bëhet fjalë për një sëmundje shpirtërore që mbërthen pjesë të ndryshme të trupit, sëmundje të spektrit bio-psiko-social, të cilat në shumicën e rasteve kurohen përmes psikoterapive të ndryshme.
Psikika (Psyche) dhe trupi (Soma) nuk janë dy njësi të ndara veçmas. Ato janë dhe funksionojnë si një e tërë. Janë dy sisteme, të cilat ndikojnë mbi njëra-tjetrën ose më saktësisht, janë dy sisteme të cilat bashkëveprojnë brenda individit.
Përse është e rëndësishme që të vëzhgohen aspektet e tjera?
Megjithëse mjekësia psikosomatike klasike tashmë është zhvilluar dhe zgjeruar gjerësisht, duke përcaktuar llojet e sëmundjeve si edhe trajtimin e tyre, ekzistojnë gjithnjë e më shumë njerëz të cilët me gjithë ndihmën terapiste apo medicinale nuk arrijnë dot të përmirësohen. Dhe këtu lind pyetja: përse këta njerëz nuk arrijnë dot të kurohen dhe të shërohen si pjesa tjetër e njerëzve tek të cilët funksionion terapia?
Sipas këndvështrimit tim, përgjigjja është shumë e thjeshtë: sepse në kohën e sotme, shumica e terapistëve harrojnë individualitetin personal të klientëve të tyre, duke gjeneralizuar apo globalizuar përkufizimin e sëmundjeve. Shumica e njerëzve nuk është krijuar nga formati 3-D, nuk është klonuar, nuk janë sotware identike. Ata janë dhe mbeten qenie biologjike dhe sociale, duke pasur psikikën, shpirtin si dhe sistemin trup–energji. Dhe pikërisht njeriu duhet të trajtohet sipas idividualitetit të tij personal. Megjithëse ne, pothuaj i gjithë njerëzimi jetojmë në të njëjtën kulturë, kemi trup të njëjtë si dhe gjatë shkollimit, pothuaj të gjithë mësojmë tabelën e shumëzimit e shumë e shumë ngjashmëri të tjera, nuk jemi të njëjtë. Nëse ne, të paktën si modelim do të analizojmë të kaluarën tonë, mund të themi të njëjtën gjë për të gjithë: që kemi shkuar në shkollë njësoj, jemi ulur në klasë të parë, kemi mësuar të lexojmë njësoj, kemi lënë pas shumë ngjarje apo eksperienca të së kaluarës, ndërsa shumë të tjerë janë ende fillestarë. E pikërisht këtu fillon zanafilla e të kuptuarit të njerëzve në nevojë: Sepse ata nuk janë në gjendje të përpunojnë informacionin apo të mësojnë njësoj si të tjerët. Përvojat e tyre sociale shoqërohen me trauma apo vështirësi psikosomatike. P.sh:
Dy njerëz të ndryshëm kanë të njëjtin shqetësim: Dhimbje koke. Ndërsa tek njëri funksionon marrja e një qetësuese kundër dhimbjes së kokës, tek tjetri jo. Përse? Sepse njëri është në gjendje të aktivizojë trurin, duke qenë i bindur se me marrjen e tabletës i ikën dhimbja e kokës. Kurse tjetri? Sigurisht që ka problem me aktivizimin e trurit të tij. Me këtrë dua të them që tek sëmundjet psikosomatike terapistët duhet të marrin parasysh gjithë përvojën emocionale të pacientit, të gjitha përvojat e së kaluarës, të gjitha problemet dhe shqetësimet sociale, ekonomike, të karrierës etj. Dhe këtu, në rastet jo të suksesshme të terapive, terapisti harron gjënë më kryesore: Integrimin e përvojave të mëparshme.
Konkretisht, terapistët duhet ta kenë të qartë se një njeri i cili gjatë jetës së tij në këtë planet të gjitha sfidat i ka kapërcyer me sukses, do të thotë që ky njeri është i pajisur me një bazë funksionale energjie, se sa një fillestar, i cili në përvojat e tij ka arritur shumë pak ose aspak sukses, për faktin se ky person posedon vetëm pak ose aspak sensorë energjitikë apo instrumente të tjerë prodhues.
Problemi i zhvillimit te njerëzim është i varur nga specifikat individuale. Sa është në gjendje një person të ketë një zhvillim normal apo të kufizuar. Shumë prej këtyre të fundit pasi kanë përfunduar shumë terapi të pasukseshme, kërkojnë zgjidhje mistike, duke iu drejtuar esoterikës apo guruve të ndryshëm. Që sigurisht, nuk ka asnjë lidhje shkencore dhe që është thjesht humbje kohe.
Nëse tek këta pacientë do të përdoreshin metoda integruese të jetës së mëparshme, aspekte të ndryshme të gabuara të jetës dhe përmes kësaj integrimin personal në një të tërë, atëherë do krijohen kushtet për një ndryshim radikal të mendimeve dhe rrjedhimisht, veprimeve të gabuara, dhe do të rinovojnë natyrshëm sistemin energjitik.
Zëvendësimi i përvojave të gabuara si rezultat i mendimeve të gabuara, zakoneve të gabuara të të jetuarit, do të zëvendësohet me dukuri dhe strategji të drejta dhe pozitive dhe në këtë mënyrë, përmirëson sistemin pozitiv energjitik të trurit, shpirtit dhe të trupit.
Komunikimi i brendshëm
I gjithë sistemi njerëzor, mbi të gjitha është një instrument komunikimi që përmes kanaleve të ndryshme, si të menduarit apo të folurit me veten, fiksohet në nënndërgjegjje. Për shkak edhe të jetës së sotme, sa moderne aq edhe stresuese, mënyrës së të menduarit dhe të vepruarit. Shumica e simptomave apo vështirësive të jetës nuk janë negative, por një komunikim i brendshëm i gabuar. Sepse problemin e kanë mësuar që përmes marrjes së medikamenteve, kimikateve apo preparateve energjike ose edhe përmes ndryshimit të stilit të jetës, me fokus reduktimin apo eliminimin e simptomave.
Çdo njeri ka një tendencë të reagojë me mënyrë të ndryshme ndaj një situate apo shqetësimi. Këtu nuk bëhet fjalë së si të përballohet kjo situatë. P.sh shumë njerëz thonë se nuk inatosen kurrë. Por inati është thjesht një reaksion se si ne e kapërcejmë apo e përpunojmë atë, në çfarë mënyre komunikohet me veten dhe si tregohet së jashtmi.
Sepse, nëse njeriu nuk reagon, nuk komunikon mbi inatin brenda tij atëherë pikërisht ky inat apo shqetësim, me kalimin e kohës shndërrohet në sëmundje somatike përmes trupit. Në një mënyrë apo tjetër, ky inat duhet të nxirret jashtë.
Dhe çfarë bëjnë në këto raste shumica e terapistëve? Ata përqendrohen në ndryshimin e stileve të jetës shumë më tepër se sa t’u shpjegojnë pacientëve të mësojnë të marrin në konsideratë sinjalet e trupit.
Trupi flet përmes dhimbjes së brendshme. Nëse këto sinjale merren seriozisht, atëherë secili prej nesh duhet të merret seriozisht me ndryshimin e komunikimit të brendshëm, të pasqyruar së jashtmi. Për vetë faktin se shumë prej nesh nuk e kuptojnë simptomën e shkaktuar.
Secili i drejtohet mjekut, duke menduar se me ilaçe do të shërohet. Dhe këtu qëndron gabimi. Sëmundjet psikosomatike nuk shkaktohen nga shkaqe biologjike apo fizike, por thjesht psikosomatike, që në mënyrën më të mirë kurohen, duke krijuar një komunikim të brendshëm mes trupit dhe psikikës. Është shumë e rëndësishme që njeriu të mësohet të njohë trupin e vet, sepse trupi flet përmes dhimbjes!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.