Në fokus

February 6, 2019 | 8:08

Nga Reti Duka / Nëna të lumtura, fëmijë të lumtur!

Nënat e lumtura janë të punësuara dhe kanë fëmijë të lumtur, nënat e irrituara qëndrojnë në kuzhinë dhe kanë fëmijë të irrituar, apo e kundërta? Shumë pikëpyetje për polemikë, që në të vërtetë pyetjet esenciale për nënat i lë në harresë. Çfarë e bën një nënë të mirë? Përgjigjet janë të shumta, me një emërues të përbashkët: Çdo nënë e pyet veten: “ku po gaboj”, “ah sikur të isha” “sikur ta kisha ditur më parë”, “a jam e rreptë apo tolerante”, “a kam pak kohë për fëmijët e mi”?!

retiItinerari i një nëne të punësuar është: punë, pazare, pastrim, gatim, dërgimi i fëmijës në shkollë, marrje nga shkolla, mësimet, aktivitetet jashtëshkollore dhe,… lista është e gjatë. Gruaja e kohëve të sotme, dhe këtë nuk mund ta mohojë kush, është pothuajse gjatë gjithë kohës në stres. Rrjedhimisht, kur nëna është në stres edhe fëmijët e ndjejnë peshën stresuese. Ky depërtim ka pasoja negative në zhvillimin psikosocial të fëmijëve. Ata nuk janë në gjendje të zhvillohen pozitivisht emocionalisht për faktin e thjeshtë se, zhvillimi dhe edukimi i tyre duhet të zhvillohet në ambient të qetë. Pra nëna, duhet të jeni të qeta, të durueshme, të ndani faktorin kohë në mënyrë të atillë që të keni kohë në radhë të parë për veten tuaj. Bëni joga dhe mos u stresoni!

Nënat e mira japin më të mirën e mundshme për fëmijët e tyre.

Kujdes! Jo të filloni t’u mësoni fëmijëve që në moshë të mitur, 2-3 vjeç gjithë shkronjat e alfabetit, numërimin deri në 100, apo gjuhë të huaja. Të gjitha këto vijojnë gradualisht nga mosha 5-6 vjeçare. Ky lloj angazhimi prej nënave ambicioze shkakton pasoja tek fëmijët. Fëmijët, sidomos më të vegjlit, kanë shumë nevojë për një nënë të qetë dhe njohjen mirë të gjuhës amtare deri në moshën 3-vjeçare.

Por çfarë ndodh nëse nëna është shtëpiake dhe përsëri është e stresuar, sepse dëshiron të jetë e punësuar? A mund të quhet edhe kjo një nënë e keqe?

Ajo çfarë i bashkon pothuajse të gjitha nënat është fakti që, gati-gati të gjitha i vret ndërgjegjja nëse fëmijët nuk kanë arritur shkallën maksimale të pritshmërive të tyre. Të punësuarat i bren ndërgjegjja duke menduar se fajin e ka karriera, ndërsa shtëpiaket, se fajin e ka përkujdesja e tepruar gjatë gjithë kohës. Në të dyja rastet fëmijët janë nën trysni dhe e ndjejnë peshën e saj.

Cilat nëna paragjykohen më shumë nga shoqëria?

Ato në karrierë kurrsesi, sepse natyrshëm rrjedh justifikimi: “Punon gjithë ditën, nuk i del koha”! Kurse për nënat shtëpiake po kaq spontan rrjedh paragjykimi: “Ajo rri gjithë ditën në shtëpi dhe prapë se prapë ka fëmijë problematikë”! Po kështu vijojnë paragjykimet. Kush vendos me vetëdije të mos shkojë në punë, por të merret vetëm me rritjen dhe edukimin e fëmijëve përkufizohet si dembele, e paaftë për t’i ushtruar të dyja, punën dhe fëmijët. Kurse gruaja në karrierë përkufizohet si nënë egoiste, që çon fëmijën pa u bërë 1-vjeç në çerdhe. Por, kemi edhe një kategori tjetër, ajo e nënave që punojnë me orar të reduktuar, pavarësisht rrogës së ulët. Pra, pak a shumë këto janë modelet e nënave të kohëve të sotme.

Për çfarë kanë nevojë të gjitha nënat në përgjithësi?

Në radhë të parë, jo për etiketime të natyrës si nënë e keqe. Nuk ka nëna të këqija, por sisteme, struktura shtetërore dhe shoqërore të këqija. Kur nënat e papuna nuk kanë mbështetje ekonomiko-shoqërore, atëherë ato janë të stresuara dhe natyrshëm kanë fëmijë të stresuar. Po kështu edhe nënat në karrierë, kanë nevojë për mbështetje morale dhe sociale. Sipas përkufizimit sociologjik, nënat kanë nevojë për mirënjohje. Nëse do të shtrohej pyetja: çfarë do të ndodhte nëse nuk do të ekzistonin nënat, i gjithë sistemi do ishte në kolaps. Prandaj, të dashura nëna në karrierë, nuk duhet të stresoheni shumë për punën, por të luftoni për mbështetje më të madhe nga punëdhënësit tuaj, për lehtësime gjatë orarit zyrtar në mënyrë që të jeni të qeta për edukimin e fëmijëve tuaj.

Nënat shtëpiake, të cilat janë të stresuara sepse do të dëshironin të ishin të punësuara, edhe ju duhet të luftoni për të realizuar dëshirën për të punuar. Vetëm kur të ndjeheni të plotësuara, do të jeni të qeta për edukimin e fëmijëve tuaj. Në asnjë vend demokratik nuk ekziston një model perfekt që ka mbështetur dhe mbështet në mënyrë kategorike të drejtat e gruas. Gratë tradicionalisht dhe historikisht kanë luftuar dhe ende luftojnë për të drejtat e tyre. Si përfundim, çfarë e bën një nënë të mirë? Nuk është as statusi në karrierë, as shtëpiake, por: Nëna të lumtura, fëmijë të lumtur dhe e kundërta, nëna të stresuara, fëmijë të stresuar!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 134

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top