Në fokus

September 18, 2018 | 8:10

Nga Reti Duka: Rëndësia dhe roli i arsimimit parashkollor, për çfarë kanë nevojë të vegjlit dhe çfarë përfitojnë ata nga institucionet arsimore

 

Arsimi dhe politikat arsimore në Austri, një shembull reflektimi

Kopshti… për çfarë kanë nevojë të vegjlit dhe çfarë përfitojnë ata nga institucionet parashkollore arsimore?!

retiNë Austri, aktualisht 26.1% e fëmijëve të moshës nën 3 vjeç dhe 93.7% e 3 – 5-vjeçarëve vizitojnë kopshtin ose çerdhet. Në kohët e mëparshme kopshti i fëmijëve ishte shumë më i thjeshtë se sa në kohët e sotme. Në ato kohë, pedagogët e kopshteve quheshin “Teta”, nënat e fëmijëve i merrnin fëmijët nga kopshti që në mesditë. Ky lloj kopshti nuk ekziston më. Në ditët e sotme qëndrimi i fëmijëve në kopsht nuk është thjesht një vendqëndrimi, për aq kohë sa nënat apo baballarët janë në punë, por një institucion arsimimi, integrimi social i të vegjëlve. Edhe emri ka ndryshuar, nuk quhet me kopsht, por Institucion Pedagogjik. Nëpërmjet reformave të shumta arsimore, politika dhe politikanët kërkojnë më të mirën.

Më të mirën, por si?

PreschoolPolitikat arsimore dhe sociale në Austri ndërmerren në mënyrë autonome nga vetë Bashkitë dhe Prefekturat dhe si pasojë sistemi shkollor dhe parashkollor ndryshon nga Kantoni në Kanton. Të gjithë duan më të mirën, por kush financon?! Bëhet fjalë për kohëzgjatjen e qëndrimit të fëmijëve nëpër kopshte apo çerdhe, për ndarjen e fëmijëve në grupe të vogla, në mënyrë që arsimimi të jetë më kualitativ dhe eficient. Bëhet fjalë për përvetësimin e gjuhës dhe parapërgatitjen shkollore dhe prej disa kohësh diskutohet për “shaminë” në kokë të fëmijëve me përkatësi fetare islame.

schoolKohët e fundit, qeveria austriake miratoi ligjin për moslejimin e vendosjes së shamisë për fëmijët e vegjël, d.m.th të fëmijëve që ndjekin sistemin arsimor parashkollor dhe shkollën fillore. Nga ana tjetër, dihet që shanset dhe suksesi i një arsimimi të mirëfilltë bazohen nga ambienti ku fëmija rritet si dhe nga kualiteti i stafit arsimor gjithëpërfshirës. Pedagogët dhe Pedagoget, psikologët e shkollave si dhe punonjësve socialë. Këta të fundit, shumë të rëndësishëm për integrimin e fëmijëve me vështirësi socio-ekonomike, kulturore përfshirë këtu integrimin e fëmijëve me prejardhje të huaj ose siç quhen rëndom, emigrantëve. Në sistemin parashkollor austriak ka deficite të mëdha përsa i përket stafit pedagogjik dhe ndërdisiplinor, përfshi psikolog-punonjës social. Numri i fëmijëve nëpër kopshte dhe çerdhe sa vjen dhe rritet, kurse personeli pedagogjik është i njëjti. Numri i ditëve dhe orëve të punës tek prindërit po ashtu sa vjen e rritet.

Prindërve të cilët punojnë me kohë të plotë iu duhet që në 85% të kopshteve, si për shembull në Vjenë e t’i marrin fëmijët në orën 17. Nëpër fshatra në orën 15.30, në kantonin e Steiermark-ut gati 50% e kopshteve mbyllen në orën 14.30. Për të gjitha këto arsye, qeveria e re austriake e zgjedhur prej gati një viti, ka ndërmarrë një reformë të re, e cila duket shumë frytdhënëse dhe inovative.

Për të gjitha problemet e parashtruara më sipër janë ndërmarrë masa plotësuese, duke filluar që nga zgjatja e orareve të kopshteve dhe çerdheve, rritjen e numrit të pedagogëve, si dhe në shkolla krijimin dhe zgjerimin e vendqëndrimeve pas shkolle të nxënësve të shkollave fillore dhe tetëvjeçare. Po kështu, së shpejti do të hyjë në zbatim testimi i fëmijëve të talentuar, me dhunti të veçanta që në kopsht dhe mbështetja arsimore, financiare e shtetit për fëmijët e talentuar. Arsyeja: Investimet financiare që në periudhën e pedagogjisë parashkollore, pra çerdhes, kopshtit i japin rezultatet e tyre në të ardhmen.

Sa më i fuqishëm, koherent dhe mbështetës të jetë arsimimi parashkollor, aq më i lehtë është arsimimi i mëtejshëm, dhe rrjedhimisht, zhvillimi i shoqërisë së një vendi.

Numri i kopshteve dhe çerdheve në Austri

Në Austri sipas Statistik Austria në tetor të vitit 2017 janë regjistruar 4.570 kopshte, 2.121 çerdhe, 1.039 shkolla me qëndrim passhkollor si dhe 1.567 institucione të tjera. Edhe numri i fëmijëve që trajtohen në këto institucione është po ashtu i lartë.

Rëndësia e çuarjes së fëmijëve në çerdhe dhe kopsht

Për zhvillimin e fëmijës, qëndrimi në çerdhe dhe kopsht është jashtëzakonisht i rëndësishëm, për arsye se në çerdhe/kopsht jo vetëm luhet. Shumë prindër e shohin çerdhen dhe kopshtin si një vend argëtimi për fëmijën si dhe shumë prej tyre gjenden para dilemave të tilla si: a është mirë që nëna të ndahet nga fëmija i moshës 3-vjeç apo nën 3-vjeç duke e çuar në çerdhe? Në Gjermani, megjithëse çerdhja/kopshti nuk është i detyrueshëm, gati 90% e prindërve i çojnë fëmijët e tyre në këto institucione për shumë arsye:

1.Socializimi

Nëse fëmija deri në këtë moshë rritet në një ambient të ngushtë familjar, ai duhet të mësohet me një situatë krejt të re, të ambientohet. Në çerdhe zakonisht, një grup përbëhet prej 15-20 fëmijësh. Në grup mbi të gjitha mësohet konfrontimi me tjetrin, zënkat, si edhe zgjidhjet e konflikteve, qoftë edhe të natyrës fëminore. Krijohet bazamenti social, psikik dhe fizik për periudhat e ardhshme të rritjes. Në këto lloj situatash, shpeshherë ndodh që fëmijët i zgjidhin konfliktet vetë midis tyre, pa pasur nevojën e ndërhyrjes së pedagogëve.

2.Zhvillimi i karakterit

Në familjen e tij çdo fëmijë ka rolin e vet, gjë që fëmijës i krijon stabilitet, afrimitet dhe siguri. Prandaj është e domosdoshme që këtë rol fëmija ta mbarte në grup, ta përvetësojë dhe zhvillojë atë, duke e ndarë me të tjerët, duke marrë dhe dhënë nga njëri-tjetri. Kopshti jep po të njëjtën siguri, afrimitet dhe stabilitet si familja, por në përmasa më të gjera sociale. Qëndrimi i fëmijës prej dy ose tre vjetësh në kopsht krijon vetvetiu këto lloj ndjesish. Nëpërmjet kopshtit, fëmija merr me kalimin e kohës përgjegjësi dhe fiton, forcon vetëbesimin. Lojërat në grup kanë një rëndësi të veçantë, lojërat nëpërmjet vetë fëmijëve si dhe lojërave të udhëhequra, instruktuara nga pedagogët.

3.Mësimi nga njëri-tjetri

Në kopshte ka fëmijë me përkatësi të ndryshme socio-kulturore. Po ashtu çdo fëmijë ka karakteristika të veçanta, dikush është i talentuar, tjetri më pak, dikush është më i lëvizshëm, i gjallë, dikush tjetër është i ndrojtur e kështu me radhë. Këto lloj karakteristikash kthehen në impulse për të mësuar dhe u mësuar me të rejat, me të panjohurat.

4.Në kopsht nëpërmjet stafit pedagogjik dhe programit pedagogjik, fëmijët zhvillojnë dhe pasurojnë gjuhën nëpërmjet lojërave, lëvizjeve, zbavitjeve, koordinohet dhe implementohet automatikisht zhvillimi kognitiv, mendimi, emocionaliteti, empatia. Të gjitha këto nëpërmjet programeve mësimore të ndërthurura me material mësimor, libra me pamje dhe lojëra. Në shumë kopshte, në qendër të programeve mësimore qëndrojnë ekskursionet e ndryshme si për shembull në kopsht zoologjik etj.

download

Kopsht shtetëror apo privat?

Në Austri numri i kopshteve dhe institucioneve parashkollore private është shumë i vogël nga ato shtetërore. Kjo për faktin jo sepse kopshtet shtetërore janë pothuajse falas, por për vetë faktin e edukimit më cilësor, për zhvillimin e fëmijës. Edhe unë jam e mendimit edhe pse kopshtet private punojnë me të njëjtin program pedagogjik, kopshtet shtetërore janë më efikase për krijimin e bazave zhvilluese elementare tek fëmija, pa dallim apo pabarazi sociale. Institucionet private vijojnë edhe më tutje, si për shembull pas mbarimit të shkollës fillore e deri në universitete. E them këtë sepse me sa kam parë dhe dëgjuar në Shqipëri, shumë prindër zgjedhin kopshte apo çerdhe private, duke menduar se është më e mira e më të mira për fëmijët e tyre. Që këtu fillon gabimi. Nëse fëmijët ndahen që në vegjëli, nëpër grupe ku shkojnë vetëm fëmijë nga familje me mirëqenie dhe status të lartë shoqëror, diferencohen nga e përgjithshmja. Po kështu shumë prindër e konsiderojnë shkollën dhe studimet universitare si më të rëndësishmen për zhvillimin dhe ardhmërinë e fëmijëve të tyre, duke anashkaluar pjesën më të rëndësishme të arsimimit: Arsimin parashkollor.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top