“Jetën mund ta përmbledh si një ‘topth’ të cilin e mbajmë në duar çdo ditë, por që shumë nga ne hezitojmë ta përdorim, ta kthejmë në kuadrin tonë, të funksionoj ashtu siç e meritojmë ne dhe jeta jonë!” Por, mjafton të besosh. Mjafton të guxosh. Bëje të sotmen ‘shekullin’ e jetës tënde. Rrëmbe nga jeta sa më shumë që do dhe mundesh..!
Pothuajse..çdo ditë përballemi me gjërat të cilat plotësojnë apo lënë zbrazëti në jetën tonë, por mjafton në fund të ditës të kthehemi nga hëna dhe të shpresojmë për një ditë të re më të lehtë, më të mirë, më të bukur për ne.
Ne, a luftojmë për të arritur atë që vërtetë e meritojmë?! Në shumicën e rasteve jo!
Çfarë na mungon? Mungon guximi, jo fati. Fati qëndron gjithmonë në anën e atyre që guxojnë dhe veprojnë. Në fund të fundit edhe nëse humbet, humbet duke u përpjekur jo duke qëndruar në vend. Të besosh është fat, është motiv, është guxim për të ëndërruar, është guxim për të vepruar.
Tri arsyet të cilat na pengojnë drejt qëllimeve tona:
Frika ndaj rezultatit. Të humbasësh nuk është fundi. Fundi është kur heq dorë!
Mosbesimi ndaj arritjeve, kur i thua vetës nuk di, nuk mundem. Po, po mundesh përderisa jeton, mundesh akoma të realizosh ëndrrën tënde.
Naiviteti ndaj vetes dhe të tjerëve, të mos e pranosh realitetin në të cilin ndodhesh. Të viktimizosh vetën në situata kur duhej të ishe në krye, apo në fund të detyrës.
Tri faktorët që na çojnë tek qëllimet tona :
Evito frikën e dështimit. Pranoje me vetëdije atë që kalon, dhe merre si mësim për çdo gabim.
Qëndro optimist ndaj objektivave. Në numra apo pika vendos objektivat e tua, është mënyra më e lehtë për të qenë të vëmendshëm dhe të sigurt ndaj qëllimeve prijëse.
Fokusohu në ditën tënde. Realizo atë që është më e mira për ty. Natën fli i qetë për t’u zgjuar po njësoj.
Sa të vështirë e vlerësojmë jetën shpesh herë. Edhe atëherë kur e vështirësojmë vetë. Si qenie jemi të komplikuara dhe delikate, por të paktën të pranojmë atë që është e jona dhe të përgëzojmë atë që është e tjetrit. Jeta ndahet në të mirë dhe të keq. Cila rrugë është më e lehtë për një karakter të fortë. Nuk na takon të fajësojmë askënd për atë që arrin apo atë që nuk arrin në jetë. Është jeta e tyre, ti ke jetën tënde përdore si të duash, vetëm mos u anko!
Ajo që kemi në duar është pikërisht jeta jonë. Ajo për të cilën ne shpesh herë flemë gjumë, e shpesh herë zgjohemi për të menduar me orë të tëra. Ajo që humbasim është koha, sepse nuk e dimë sa e kemi kohën e caktuar për të vepruar. Dhe prapë bisedojmë për kohën e humbur, dhe prapë duke humbur kohë..
Vrapo, mos ec, hapat e ngadalshëm nuk presin këmbët tuaja, koha mirëpret qëllimet, jo këpucët tuaja!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.