Pas një periudhe të gjatë e të vështirë në rrugë, ajo sot jeton në një apartament luksoz. Rasti i saj u rikthye në vëmendjen publike falë një kronike në një televizion amerikan, e cila ngjalli ndjeshmëri të madhe dhe solli jehonë më të fuqishme sesa më parë. Ata që e kishin njohur dhe ndjekur prej vitesh fatin e saj, nuk kishin arritur të bënin ndryshim, por kësaj here zëri i publikut u bë më i fortë.
Së bashku me Elvirën, një shqiptare zemërbardhë, dhe Elton Ilirjanin, sipërmarrës shqiptar me banim në New York, Parashqevi Simaku u sistemua në apartamentin e tij, një akt bujarie dhe mikpritjeje nga një njeri që dikur e kishte admiruar thellësisht ikonën e muzikës shqiptare.
Elvira, një shqiptare tjetër që jeton në New York, ishte ajo që e rigjeti këngëtaren e famshme të viteve ’80, e cila prej kohësh jetonte si e pastrehë në rrugët e qytetit të madh. Parashja ndodhej pranë Times Square, afër një guri të madh, me tri valixhe të mëdha dhe disa libra që i shfletonte çdo ditë.
Ishte një figurë ikonike e muzikës shqiptare dhe askush nuk dinte me siguri se ç’kishte ndodhur me të. Qarkullonin vetëm disa zëra të vagullt që thoshin: “Jeton në rrugë.”
Në fakt, ai vend ishte kthyer në strehën e saj gjatë pandemisë, një mënyrë për të mbushur vetminë, në një qytet që nuk hesht dhe nuk errësohet kurrë. Ishte si të thuash “streha” që i sillte një lloj paqeje.
Parashqevia erdhi në një tjetër rrëfim ekskluziv, këtë herë për gazetarin Blendi Fevziu, dhe “Opinion”, që udhëtoi deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë intervistë.
Tejet e kuruar e plot energji, Parashqevi Simaku tregon për historinë e saj që nga hapat e parë në muzikë e deri te largimi jashtë vendit.
Mikpritëse, e qeshur dhe mjaft e lumtur, Parashqevi Simaku, këngëtarja aq shumë e dashur dhe njëkohësisht e munguar e popullit shqiptar, ndan detaje nga jeta e saj, që për shumë kohë kanë mbetur të fshehura ose të mjegullta.
Nga mënyra se si tregon e rrëfen ngjarjet, kuptohet që ka një kujtesë të fortë, ku mban mend personazhe të caktuar me emra e mbiemra, data dhe orë.
Megjithatë, për jetesën e saj në qiell të hapur, ku një gur u bë ulësja, krevati dhe jastëku i saj, këngëtarja tregohet shumë e rezervuar.
Është biznesmeni shqiptar Elton Ilirjani ai që, në një mënyrë më të drejtpërdrejtë, tregon më shumë për Parashqevi Simakun. Ilirjani ishte një ndër shqiptarët që ka qëndruar afër ikonës së muzikës shqiptare që në fillimet kur imazhi i saj u shfaq sërish. Ai qëndron pranë saj emocionalisht, por edhe financiarisht.
Simaku tregon se fillimisht udhëtoi drejt Italisë, me një pasaportë të blerë.
“Nëna ime më tha, do shkoj të shoh vëllain tim në Itali, që ishte një nga këto refugjatët. Qante gjithmonë, aman tha se ti je shumë e njohur. Me mikeshën time shkova në ambasadë. Ai ambasadori italian më kishte parë gjithmonë në këto mbrëmjet që bënte partia për Krishtlindje dhe më mbante mend. I thashë të lutem…Po ti je Parashqevia, tha! Mos ki merak tha, se do e marr Dash Dervishin në telefon. Do bësh gati guest room, se isha edhe e varfër.
S’kisha asnjë lekë! Dhuratë e kisha, më sollën atë makinën diplomatike. Vjen një burrë e grua nga New York-u, dhe ata donin që të argëtoheshin, të hapnin muzikë në Neë York. Ishin nga Dibra e Maqedonisë, burrë e grua. Erdhën dhe më blenë një pasaportë. Ishte pasapotë e blerë, kalabreze. Victoria Marini! Unë flisja italisht, dukesha si italiane”, rrëfen Simaku.
Në 9 mars 1992, mbërriti në New York të Shteteve të Bashkuara.
“U shokova kur erdha. Gjëja e parë thoja është pse është qielli kaq i lartë, në Shqipëri ato retë i kemi si kapele. Më dukej sikur kisha shkuar në një botë tjetër. Shqiptarët këtu më donin shumë.”
Simaku thekson se në atë kohë fitonte shumë me muzikën.
“Për ne ishte përrallë!”, tha Parashqevi Simaku.
Vitet e para në Shtetet e Bashkuara, Parashqevi Simaku i kujton si tejet të bukura.
“Një mrekulli! Sikur ishte në parajsë”, thotë këngëtarja për vitet e saj të para në SHBA.
Sakaq ajo tregon se martesa me Robert Nofle e bëri të mos kishte më aq shumë interes për të “depërtuar” në Hollywood.
“S’kam lënë asnjë ditë pa provuar, u martova me Robertin shumë shpejt. Më iku ai interesi… Fillova të shkruaja këngë me Robertin. Në 1997-ën erdha në Shqipëri, këndova në festival.”
Nga koha e pandemisë deri në fund të vitit të shkuar Simaku ka jetuar në rrugët e New York, në SHBA.
Në rrëfimin e saj për “Opinion”, ajo tregon se kjo gjë ishte plotësisht zgjedhja e saj.
“Jetoja më së shumti në Times Square. Ndonjëherë lëvizja lart e poshtë, kur ishte vapë vija tek lumi, natën pastaj shkoja prapë atje. Dola në rrugë këto katër vjet sepse s’kishte njeri të gjallë në New York, ishte bosh”, tregon Simaku.
Interesant është fakti se gjatë kësaj kohe të vështirë, ka lexuar të gjithë librat fetarë.
“Çdo të premte në darkë duhet të shkoje të këndoje këngë për engjëjt, gjëja më e mrekullueshme që kam përjetuar ishte se burri me gruan nuk prekeshin, traditë e ortodoksëve hebrenj. Jetonin jetë të shenjtë. Sidomos gruaja nuk duhet të këndojë kurrë! Kisha për të ngrënë, për të pirë, s’më duheshin lekët. Çdo njeri hidhte para aty! Edhe sot e kësaj dite, mund të të tregoj qendrat për të studiuar, ngrënë, për punë. Falas! Vëllait i thashë nuk do u bëj dot telefon se do vazhdoj këto studimet”, tha Simaku.
“S’kam marrë kurrë asnjë aspirinë”, tregoi ajo, duke shtuar se shumë njerëz e kanë ndihmuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.