Mirëqenie

November 1, 2019 | 10:52

Nga Rudina Koromani: Kur qajnë burrat

Shumë rrallë na qëllon të shohim të qajë një burrë. Ndoshta nga fakti se pritshmëritë tona janë që t’i shohim të fortë, të përmbajtur e me kontroll të emocioneve të tyre.

Rudina Koromani, MSc Psikologji Klinike

Rudina Koromani, MSc Psikologji Klinike

Çrregullimet emocionale, shpërthimet e të qarave me dhe pa arsye jemi mësuar t’i shohim më së shumti tek gratë. Në këtë reflektim klinik nuk do të thellohem shumë në arsyet se pse ndodh e qara si proçes bio-psikologjik. Synimi i këtij shkrimi është këndvështrimi eksperiencial profesional ndaj këtij fenomeni, dhe impakti psikologjik i tij, duke u bazuar në disa faktorë që krijojnë diferenca evidente.

Kur shohim gra që qajnë, sigurisht që prekemi emocionalisht, mundohemi sa më shumë të jetë e mundur empatik ndaj tyre, e mundohemi t’i qetësojmë përmes formave mbështetëse emocionale. Por është tërësisht ndryshe kur shohim të qajnë burrat. Intuita profesionale ndalet, bllokohet. Emocionet, ndjesitë, shkojnë përtej prekjes që ndjejmë ndaj dikujt që shohim të trishtuar, e mendimet kërkojnë me patjetër të gjëjnë arsye madhore për të justifikuar ata lot që rrallë herë shohim, (një familjar që është larguar nga kjo jetë, një ndarje, një tradhti.

2Arsyet kur shohim burrat të qajnë, në shumicën e rasteve janë madhore (me përjashtim të lotëve të tifozëve që qajnë vetëm kur humbet skuadra e tyre e zemrës apo kur skuadra e tyre bën gol). Në këtë reflketim po flas për lotët epike të atyre burrave që gjatë ditës i sheh të fortë, të përmbajtur, që kanë gjithshka në kontroll, që mbështesin familjet e tyre, për ata që duhet t’i zgjidhin gjithmonë problemet e tyre në punë, në familjet e tyre. Dhe kur them duhet t’i zgjidhin, duhet t’i zgjidhin me patjetër e jo të qajnë, pasi ky është vetëm një luks i grave, ndërkohë që ata duhet të jenë të fortë. Krahasuar me gratë, burrat kanë më së shumti “detyrimin”moral e shoqëror t’u japin zgjidhje vështirësive ekonomike, sherreve e problemeve që gjenerojnë fëmijët e tyre, problemeve të sigurisë familjare e plot të tjera, sepse ata janë “burra”.

Pse kur shohim një burrë që qan prekemi më shumë se kur shohim të qajë një grua?

Heshtja bëhet teknika më efektive e momentit sepse nuk di ç’të thuash. Një nga arsyet që i jep shpjegim kësaj diference janë steriotipet shoqërore dhe pritshmëritë tona kulturore, të cilat stigmatizojnë burrat që shprehin emocionet e tyre.

Lotët e burrave shihen si turp në disa kultura si e jona, ku që në moshë të vogël mësohen të jenë të fortë, të mos qajnë. Kjo stigmë duhet larguar e zbutur pak nga pak pasi çon në bllokime emocionale. Emocionet e pashprehura shpesh dalin jashtë në forma psikopatologjike përmes sjelljeve agresive të pakontrolluara e deri në format ekstreme siç janë vetëvrasjet.

1

Mosshprehja e emocioneve që përjetojnë nga turpi i shprehjes së tyre, është një nga faktorët që shpjegon numrin e lartë të vetëvrasjeve të meshkujve. T’u kthehemi studimeve shkencore se si e shpjegojnë këtë fenomen. Sipas tyre, gratë qajnë më shumë se burrat.

Disa studime shprehen se kjo dominancë vjen pasi gratë nuk i durojnë dot shumë kritikat ( Hunt), por edhe për shkaqe biologjike, sociale dhe mjedisore. Studiuesi hollandez Ad Vingerhoets ( 2015) gjeti në studimin e tij 20-vjeçar se gratë qajnë 30-64 herë në vit krahasuar me meshkujt 6-17 herë në vit. Studimet shprehen se nivelet e ulëta të hormonit të prolaktinës tek meshkujt (hormon që gjendet në lotët emocionalë) mund të shpjegojnë faktet se pse burrat qajnë më pak se gratë. Lotët njerëzorë vijnë për një sërë arsyesh: mërzia, inati, faji, gëzimi, shfryrje emocionale, keqardhja, mirënjohja. Arsyet janë gjithmonë shumë komplekse kur fenomeni i të qarit ndodh spontanisht.

150 vite më parë Charles Darvin mendonte se lotët nuk kishin një qëllim. Sot studiuesit mendojnë tërësisht ndryshe, pasi në të vërtetë askush nuk qan kot. Lotët shprehin një proces emocional i cili jo vetëm ka një qëllim, por ka rëndësi në proceset e mirëqënies psikologjike mendore e fizike.

Neurostudjuesi William Frey shprehet se e qara është proces natyral i trupit, duke e parë si një proces çlirimi të toksinave. Termat “lotët emocionalë” e “joemocionalë” janë pikërisht të këtij studiuesi, i cili mendon se lotët emocionalë përmbajnë më shumë proteina krahasuar me lotët joemocionalë.

Sipas londinezit Nick Knight, ka një shpjegim shumë të thjeshtë për lotët emocionalë, duke i parë si përgjigje emocionale ndaj ngjarjeve. Këto përgjigje emocionale gjenerohen nga sitemi ynë limbik, i cili është i ndërlidhur me sistemin tonë nervor.

3

Disa studime të tjera sugjerojnë se e qara mund t’i ndihmojë individët që të jenë në kontakt me emocionet e tyre, duke nënkuptuar se mungesa e lotëve mund ta degradojë një person në vështirësi për të aksesuar emocionet e veta e rrjedhimisht në mosnjohjen e tyre.

Pavarësisht arsyeve se pse qajmë dhe kush më shumë, mos e gjyko kurrë një burrë për lotët e tij. Një burri i duhet të kalojë shumë barriera steriotipesh e stigmatizimesh që të arrijë deri në këtë proces kaq natyral, të domosdoshëm e çlirues psikologjik. Burrat e urrejnë të qajnë, por kur kjo ndodh atëherë mos gjykoni, por vetëm shiheni pa i rënë në sy, pasi të jeni të sigurtë se nuk keni për ta parë shpesh këtë gjendje të tij. E qara e një burri është kaq e rrallë sa është pikërisht dhe arsyeja se pse e shohim aq epike, pikërisht se e shohim rrallë.

Botuar në revistë Psikologjia, numri 149

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top