Mirëqenie

January 17, 2020 | 8:16

Nga Rudina Koromani / Më pak ilaçe, më shumë argëtim!

Arti, muzika e kurse për të kënduar e kërcyer, pritet të jenë së shpejti alternativa plotësuese të trajtimeve tradicionale terapeutike në vitin 2023 në Britani. Tashmë ka plane të detajuara të iniciativës “Rekomandimet sociale”, i cili u miratua në nëntor të 2018 e pritet të implementohet në 2023 në të gjithë Britaninë. Projekti është pjesë e strategjive të shtetit britanik për të luftuar “realitetin e mërzitshëm të kohëve moderne”, i cili si pasojë e izolimit, ka sjellë shumë probleme të shëndetit mendor e fizik.

Rudina Koromani, MSc Psikologji Klinike

Rudina Koromani, MSc Psikologji Klinike

Britania jo më larg se një vit më parë caktoi Ministren e Vetmisë, Tracey Crouch për të eksploruar dhe për të gjetur format për ta luftuar këtë realitet të mërzitshëm të jetës moderne. Iniciativa ambicioze do të rekomandojë terapinë e Artit, trajtime të bazuara në hobi për çrregullimet mendore që variojnë që nga demencat, psikozat e deri te probleme të tjera të shëndetit mendor e fizik.

Një vendim i tillë ka ardhur pas konstatimit se deri tani është nxitur “kultura e gëlltitjes së ilaçeve” si Prozaku, apo Zanax, duke mos u fokusuar në misionin themelor të specialistëve të shëndetit mendor, i cili është parandalimi. “Rekomandimet sociale” mendohet se do të ndihmojë në luftën kundër medikalizimit të individëve. Ky propozim parandalues do të realizohet nga një Akademi Kombëtare, e cila do të sigurojë ekipe praktikantësh në të gjithë vendin, të përgatitur për të drejtuar pacientë me probleme të ndryshme drejt angazhimit me sport, hobi, grupe arti etj.

Arti, krijmtaria, aktivitete të ndryshme socialekulturore duhen vlerësuar si esenciale për shëndetin dhe mirëqenien tonë. Aksesimi në çdo aktivitet që mundëson argëtim, socializim, përmirëson shëndetin mendor e fizik të individëve. Artikulli i gazetës Smithsoian, për intergrimin e terapive të Artit përkrah terapive tradicionale të psikoterapive e terapive medikamentoze në Britani e Kanada, si përpjekje për të ndihmuar në mënyrë sa më efikase të gjithë ata që vuajnë sot nga probleme të shëndetit mendor e jo vetëm, më nxiti të reflektoj si profesioniste në këtë fushë. Në eksperiencën time modeste klinike mundohem të bëj më të mirën për të gjithë ata që kërkojnë ndihmë.

Ajo që vë re si shqetësuese janë rastet klinike që në më të shumtën e herëve kërkojnë ndihmë te psikologu pasi kanë marrë mjekime nga psikiatri apo shërbime mjeksore të panevojshme. Raste të tilla për psikologët klinikë paraqiten shumë komplekse e shfaqin vështirësi në trajtimin e shpejtë të tyre. Kjo për faktin pasi nën efektet anësore të medikamenteve, antidepresivëve, antipsikotikëve etj., qartësia e panoramës së simptomave patologjike psikologjike bëhet gjithnjë e më e vagullt. Kuptohet se një fakt i tillë vjen dhe nga një ndërgjegjësim i ulët për rolin e psikologut.

Në vendin tonë, me gjithë sensibilizimin që po bëhet dekadën e fundit lidhur me funksionet dhe ndihmën që mund të japë psikologu lidhur me shqetësime të ndryshme, shumë individë besojnë e i japin më shumë rëndësi shqetësimeve fizike duke iu drejtuar mjekëve dhe psikiatërve për t’i ndihmuar. Ende shumica e individëve që vuajnë simptoma ankthi, paniku, simptoma të cilat kanë shqetësime fizike si rrahje të shpeshta zemre, dhimbje, shtrëngime në stomak, parehati, çrregullime të gjumit etj, vazhdojnë t’i konsiderojnë ato me origjinë biologjike si disfunksion të organizmit të tyre, duke mos kuptuar që këto simptoma në shumicën e rasteve mund të jenë të shkaktuara nga një distress psikologjik.

Shumica e popullatës ende nuk e ka të qartë se trajtimi psikologjik mund të evitojë trajtimet farmakologjike për disa probleme me bazë psikologjike. Me këtë nuk dua të them se trajtimet farmakologjike nuk janë të rëndësishme. Por duke qenë se efektet anësore të tyre kanë rrezikshmëri të lartë, duke shkaktuar në shumë raste efekte të padëshiruara e fatale, këto trajtime që përshkruhen me receta nga psikiatrit, duhen marrë vetëm në rastet e domosdoshme për mirëqenien shëndetësore mendore e fizike të individit. Nëse njerëzit do të sensibilizoheshin të kërkojnë ndihmë për shqetësimet e tyre në kohën e duhur, në shumë raste mund të evitojnë përjetimin e krizave të pakontrolluara apo shtrimin e panevojshëm nëpër spitale.

Në përfundim, duke marrë shkas nga iniciativat e ndërmarra nga Britania e Kanadaja, nxis të gjithë ata që luftojnë çdo ditë me shqetësime të shëndetit mendor: argëtohuni sa më shumë, angazhohuni sa më shumë në aktivitete që ju japin kënaqësi, sa më pak mjekime të panevojshme, më pak Prozac e Zanax, sa më pak izolim.

Studim

Përfitimet e terapisë së artit janë të dokumentuara: Një studim me të mbijetuar pas një insulti cerebral, ishemik dhe hemoragjik, nxitën orkestrantët me orkestrën filarmonike mbretërore britanike për të luajtur me instrumentet e tyre. 90% e pjesëmarrësve pas këtij eksperimenti raportuan përmirësime të gjendjeve të tyre shëndetësore fizike e mendore. Leksionet e kërcimit në Lambeth, kanë treguar përmirësim të përqendrimit dhe aftësive komunikuese tek individët me simptoma psikotike.

Në Gloucestershire, spitalet kanë filluar t’i referojnë pacientët me probleme në mushkëri të marrin leksione për të kënduar. Një fushatë e ngjashme është lançuar dhe në Kanada, ku çdo anëtar i Shoqatës Mjekësore të Montrealit ka mundësinë e 50 recetave sociale që u mundëson pacientëve dhe një numri të limituar miqsh, familjarësh e kujdestarësh për të vizituar pa pagesë Muzeun e Arteve fine në Kebek. Prej dy vitesh, terapisti i artit, Stephen Lagari, punon me 1200 pacientë në vit në Muzeun e Arteve fine të Kebekut.

Ai ndjek filozofinë: Duke krijuar, pacientët kanë mundësi të shprehin veten dhe shqetësimet e tyre në mënyrë jo verbale. Në ndryshim nga projekti kanadez, iniciativa britanike është më e kompletuar, pasi përfshin rekomandime që nga angazhimet e aktiviteteve si gatimi, lojërave bingo, kurseve të kopshtarisë e deri në aktivitete me spektër më të gjerë kulturor të fokusuara në vizita në librari, koncerte etj.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 144

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top