Në fokus

July 29, 2019 | 8:20

Nga Sara Zavalani: Fytyra e errët e depresionit!

Depresioni nuk është i njëjtë me trishtimin, mërzinë ose pikëllimin. Shpesh mund të përjetojmë trishtim ose pikëllim si pasojë e ngjarjeve të ndryshme të jetës tonë. Vdekja e një personi të dashur, humbja e një pune ose përfundimi i një marrëdhënieje mund të ngjallin ndjenja jo pozitive si: trishtim, mërzi ose pikëllim, dhe shpesh këta persona e etiketojnë veten si “të depresuar”, por të qenit i trishtuar nuk është i njëjtë si të kesh depresion.

Sara Zavalani, psikologe

Sara Zavalani, psikologe

Pikëllimi është një proçes i natyrshëm dhe unik, si pasojë e disa ngjarjeve të trishta, ku ndan disa karakteristika të njëjta me depresionin. Pra, depresioni mund të çojë në disa simptoma si:

-Ndienja të mërzisë dhe trishtimit;

-Humbja e interesave nga aktivitete të mëparshme që sillnin kënaqësi te personi,

-Probleme me gjumin dhe çrregullime të oreksit.

Gjithashtu, personi mund të përjetojë ndjenja të pazotësisë dhe shpesh akuzon veten për situata dhe ngjarje në jeten e tij. Ky është depresioni që të gjithë njohim, dhe jo pak herë kemi dëgjuar për të, por ekziston dhe një lloj depresioni, i cili nuk është i dukshëm dhe shpesh mund të jetë më i rrezikshëm. Një person që është prekur nga depresioni i fshehur, priret që të shtypë emocionet negative dhe të “fshehë” dhimbjen që përjeton. Pra, ai pra ai duket si një njeri i zakonshëm, pa asnjë problem të rëndësishëm.

2

Pyetja që na mundon: Si duket një person që është i “mbërthyer” nga depresioni?

Duket një fytyrë e qeshur, dhe nuk arrin të kuptosh çfarë fshihet pas buzëqeshjes së bukur, por edhe pse personi nuk ndihet i tillë, përsëri qesh. Individi që përjeton depresionin e fshehur, ndjek një jetë normale, çohet çdo ditë në mëngjes, vishet e zbukurohet, shkon në punë, del me miq, kujdeset për familjen e tij, por në të vërtetë, ai lufton me diçka që as vet nuk mund t’i japë shpjegim.

Shumicën e rasteve ndihen sikur një dorë i shtrëngon fort, dhe përpiqet t’i mbysë dalëngadalë. Një zë i brendshëm ulëret për ndihmë: “të lutem më ndihmoni”, por fytyra qëndron e qeshur.

Fytyra e depresionit herë duket optimiste, herë e lumtur, duke u përpjekur të fshehë çdo gjë pas një makijazhi të këndshëm, por çfarë kërkon në të vërtetë? Të largohet, të qajë, për të mos u rikthyer më…

Persona të tillë shpesh duken të bukur dhe tërheqës, por edhe pse mund të jenë të përfshirë në atmosferën pozitive, ata vuajnë në heshtje. Vetëm ata e dinë makthin dhe luftën që bëjnë me demonët. Imagjinoni si mund të jetë të jetosh çdo ditë në vuajtje dhe trishtim, duke munduar t’i japësh vetes një arsye për të vazhduar. Jeta e tyre ngjan si një luftë me veten, me mendimet, ku përpiqen të fshehin çdo gjë për të mos mërzitur të dashurit e tyre. Edhe pse nata është më e trishtë, përsëri ringrihen në mëngjes të buzëqeshur, në mënyrë që të tjerët të ndihen mirë, ndërsa ata vuajnë e vuajnë dhe nuk dalin dot prej “burgut të mendimeve” ku janë; një burg i pashpresë që dita e lirisë nuk dihet kur do t’u vijë.

Shpesh, persona të tillë tentojnë t’i japin fund jetës së tyre. Dikush mund të mendojë se “nuk duket që ka depresion”, por depresioni nuk duket, sepse ai nuk është një mimikë që mund të pikturohet në fytyrë.

Është e vërtetë, ashtu siç psikiatri amerikan Irvin D. Yalom pohon: “Edhe pse vdekja të shkatërron plotësisht, mendimi që të vdesësh mund të shpëtojë jetën”. Ndoshta e vetmja rrugë për të larguar depresionin, është t’i japësh fund gjithçkaje duke mbyllur sytë, duke lënë pas çdo gjë që të ka nevojë, por para se të arrihet në pikën finale, kërko ndihmë, sepse shpëtimi ekziston për ata që kanë shpresë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top