Vetes time, ah po, vetes time! Asaj duhet t’i mësoj që, në çdo moment të jetë vetvetja. Duhet t’i mësoj që të duket bukur në sytë e të tjerëve, pa qenë e tillë, do të thotë, “të gënjesh” brendësinë tënde, pra veten tende. Jo çdokush do të të pëlqejë për atë që je.
Prof. Leo Buscaglia tregon lojën në lidhje me frutat. Ai shprehet se: “U gëzova shumë që isha pjeshkë për të gjithë, por kishte nga ata që kërkonin bananen dhe unë vendosa të bëhesha banane. A ia vlejti? Jo, sepse njerëzit tashmë ishin mësuar me mua të isha një pjeshkë”. Ja një mësim për të mos u shfaqur siç duan të tjerët, por për të qenë vetvetja.
Marsel Proust gjithashtu shprehet se: “Kur punojmë për t’u pëlqyer të tjerëve, mund të mos kesh sukses, e ndërsa gjërat që bën për të kënaqur veten kanë gjithmonë mundësinë për të tërhequr vëmendjen. Duhet t’i mësoj vetes time t’i vlerësoj të tjerët, çdo moment me ta është i artë dhe duhet çmuar, sepse çdonjëri prej nesh është i veçantë në llojin e tij. Duhet t’i mësoj që duhet t’i dua të tjerët. Së pari, njeriu i aftë të dashurojë të tjerët, duhet të jetë i aftë të dashurojë veten. E këtu s’kam ndërmend ndonjë formë mashtruese egoizmi, por e kam fjalën për njeriun që kujdeset për thelbin e personalitetit të tij, për atë që thotë se çdo gjë filtrohet nëpërmjet meje dhe për rrjedhojë, sa më i mirë të jem, aq më e madhe është ajo që kam për të dhënë”.
Unë, qenia ime duhet të respektohet, por më parë duhet t’i respektoj unë të tjerët. Unë duhet të jem mirënjohëse dhe falënderuese për çdo ditë që vjen, për çdo gjë që sjell, për njerëzit që më rrethojnë, për prindërit e mi, për çdo pengesë që më bën të mësoj dhe më rrit më shumë. Unë duhet të rritem duke përdorur artin e të dëgjuarit dhe të folurit. Duhet t’i mësoj të kërkoj falje kur gaboj dhe të reflektoj mbi të. Unë duhet të rregulloj veten, të vishem me dinjitet, me qëllim që të jap shembullin më të mirë të saj. Unë mundem, unë duhet, unë meritoj të duhem. Unë e dua atë, veten time, çdo ditë më të mirë. Unë jam shëmbëlltyra të cilën Zoti u përpoq të krijonte me aq dashuri dhe përsosmëri.
Filozofi i njohur amerikan N.Hill tregon se, ne jemi të njëjtë dhe e vetmja gjë që na dallon është fuqia e mendjes dhe përdorimi i saj. Prandaj le të përdorim mençurinë për të vepruar dhe të përsosim sjelljen për të qenë zotërinj të këtij universi. Sepse, efektivisht, të investosh te vetvetja është e barazvlefshme me investimin përfundimisht për të ndryshuar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.