Mirëqenie

July 5, 2017 | 9:47

Nga Savjola Selmani: Të konceptuarit ndryshe

Lumturia, ajo që vjen nga ne, është më vendimtare sesa ajo që vjen nga gjërat. Dhe pa dyshim, kjo gjë e ka origjinën te njeriu. Ajo gjendet tek ai dhe për më tepër, është thelbësore për mirëqenien e tij. Që këtu lind kënaqësia dhe pakënaqësia e brendshme si rrjedhojë e ndjeshmërisë, mendimit, vullnetit, e ajo që ndodhet në mjedisin e jashtëm, mund të ndikojë vetëm tërthorazi.

Savjola Selmani, Master, dega Frëngjisht, UT

Savjola Selmani, Master, dega Frëngjisht, UT

Kjo është arsyeja për të cilën ngjarje dhe rrethana të njëjta lënë gjurmë dhe përshtypje të ndryshme te njerëz të ndryshëm. Shohim se edhe duke jetuar në të njëjtin mjedis jeta jonë dallohet nga të tjerët. Dhe drejtpërsëdrejti kemi të bëjmë me idetë, ndjenjat dhe dëshirat. Gjërat që shohim në ambientin e jashtëm vetëm sa përcaktojmë brendinë tonë. Bota ku jetojmë, së pari varet nga mënyra vetjake e të kuptuarit të saj, e cila përputhet me karakteristikat subjektive të çdokujt, sipas të cilave ajo mund të duket e bukur, e shkretë, e shëmtuar, me konflikte, lumturi etj.

1Konkretisht, e njëjta ndodhi do të shfaqet interesante përpara syve të një njeriu gjenial, dhe jo e tillë përpara një njeriu mendjengushtë. Mjafton që çdo ditë që zgjohesh ta shohësh botën në një mënyrë të re personale, mjafton të shohësh dhe mendosh se gjithçka përreth teje, është e mrekullueshme, mjafton të zgjohesh çdo mëngjes dhe të provosh se edhe pema përpara shtëpisë nuk është më po ajo! Nuk kanë qenë kurrë të njëjta dy perëndime dielli, që nga krijimi i botës. Gjithçka ndodhet në një fazë ndryshimi përfshirë edhe ne këtu.

Le të hedhim një hap më tej e të vërejmë poezitë e Gëtes apo Bajronit, në origjinën e të cilave ndoshta jemi duke vënë re një ngjarje të vërtetë apo një realitet të prekshëm. Kush është mendjengushtë do të kënaqet nga peripecitë e këndshme të poetëve, duke lënë pas krahëve fantazinë e fuqishme, e cila nga një ngjarje e vogël e çdo dite, shndërrohet në diçka të madhe, të bukur, të mirëtrajtuar në detaje, por edhe mbresëlënëse. Kjo ndodh për arsyen e vetme se, çdo ngjarje ka dy aspekte, objektin dhe subjektin, të cilat lidhen ngushtë me njëra-tjetrën.

Realiteti rezulton i ndryshëm te secili nga ne, por në të vërtetë, aspekti objektiv është po ai dhe ajo që ka ndryshuar, vërejmë se është aspekti subjektiv. Është pikërisht forma, mënyra e të menduarit dhe të konceptuarit tonë që e bëjnë të shihet si e tillë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top