Psikofakt

February 14, 2019 | 8:15

Nga Sheila Rexho: A mjafton një ditë dashurie për t’u ndjerë plot a për të dhuruar dashuri plot?

Shkurt, muaji i famshëm i dashurisë, muaji romantik, muaji i ngjyrës së kuqe, muaji i Shën Valentinit.

Sheila Rexho, bloggere, diplomuar për Marrëdhënie Publike, Marketing, Gazetari

Sheila Rexho, bloggere, diplomuar për Marrëdhënie Publike, Marketing, Gazetari

Zyrtarisht Shën Valentin, dita e të dashuruarve, dita simbolike e romancës, e trëndafilave, e çokollatave në formë zemre, e darkave intime dhe mbi të gjitha, dita e kryefjalës “Të dua”, sa shumë dhurata, sa shumë dashuri, në një ditë te vetme?!

Asnjëherë nuk më ka pëlqyer Shën Valentini, jo sepse nuk jam romantike, por sepse për mua një ditë e “stisur” si kjo është thjesht “too much”.

Eci rrugëve të Tiranës dhe shoh vitrinat e dyqaneve të luleve, të dendura me kompozime buqetash, lule të kuqe, lule në kuti me formë zemre, kartolina të kuqe, kartolina në formë zemre, madje edhe qytetin e shoh me dekor zemrash. Oh sa shumë “zemra” në një ditë të vetme, sa shumë ëmbëlsi, që mua më duket gati-gati fallco.

Shën Valentini i famshëm është zhveshur nga simboli romantik, duke u kthyer në një festë masive konsumi, në një ditë komerciale, në një ditë në të cilën marketingu i dhjetëra kategorive biznesi, bën festë, Festë Shitjesh.

amore_1

Nuk do doja kurrë të zgjohesha me një puthje më të gjatë se ditët e tjera, mëngjesin e datës 14 Shkurt e as të më pëshpëritej butësisht në vesh “Të dua”, nuk do doja të gjeja asnjë mesazh dashurie në pasqyrën e tualetit, e as ndonjë pusullë të fshehur në xhepin e palltos, unë i dashuroj Teddy Bears, por JO, për Shën Valentin nuk do doja asnjë të tillë, e as lule, as darkë romantike nën dritë qirinjsh e tingujsh violine, as çokollata (pas të cilave jam e varur), nuk do doja asnjë gram ëmbëlsie ekstra këtë ditë, pasi kjo lloj ëmbëlsie është e velshme për mua.

Unë jam romantike klasike, por 14 Shkurti vetëm romantik nuk më duket. Pardon!

Do shkëmbejnë dhurata e fjalë të bukura, çiftet fasadë, ata atë “ngecurit” në marrëdhënie boshe.

Do dalin të festojnë ashtu, fshehurazi, si për simbol edhe ata të “ndaluarit”, do marrin buqeta lulesh e arusha pa ndjesi, fallco sa për sot, për 14 Shkurt. Po e nesërmja???

Po dje, po para 1 muaji, çfarë bëre në emër të dashurisë? Si e surprizuat njëri-tjetrin? A dhatë ndonjë premtim? A ndihesh gjithmonë kaq romantik/e si sot? Apo sot është “festë”?

Festë vaniteti, festë turme më duket mua, që mjafton një arsye për të dalë e festuar, se në fakt këtu, ende festohet në “turmë”, këtu ka dhe Shën Valentin kolektiv.

Nuk mjafton një ditë, për të marrë dashuri, e as për ta dhënë atë. Nuk mjafton jo një, por mijëra Valentine’s Days për t’u ndier “in love”.

san-valentino-5

Është sfida e përditshmërisë ajo që ka në dorë të na mbajë gjallë pasionin, të mos na lejojë të tundohemi, ama jemi ne, ne që duhet ta ushqejmë atë, gjithmonë, pa lule mbase, pa Arusha të mëdhenj, pa atë buxhetin e fryrë, por duke qenë ATY për tjetrin, duke e respektuar, duke qenë shpatulla e mbështetjes, dora që s’do ta lëshojë asnjëherë, duke ia falur dashurinë ashtu, të pastër e të pakushtëzuar, duke bërë çmendurira në emër të saj, pa data të famshme, thjesht në një moment krejt spontan.

Dashuria nuk ka nevojë për propagandë, është personale, është idilike, është një refren lumturie, që zemra duhet ta këndojë së brendshmi, jo thjesht në Shkurt, 14 Shkurt…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top