Mirëqenie

October 25, 2019 | 21:09

Nga Sheila Rexho: Cheers! Për sot!

Më pëlqen të bëj Gëzuar për çdo gjë në jetë. Ndonjëherë mund të mos trokas gotën me dikë, por mjaftohem me një Cheers (Gëzuar) dhe mendimin e mirë për të cilin po bëj Gëzuar! Njerëzve që dua, kur ndodh që s’i kam pranë, u dërgoj një foto me mbishkrimin Cheers, shpesh edhe për gjëra të vogla, por dashamirëse.

Sheila Rexho, bloggere, diplomuar për Marrëdhënie Publike, Marketing, Gazetari

Sheila Rexho, bloggere, diplomuar për Marrëdhënie Publike, Marketing, Gazetari

Sot kam dëshirë t’i gëzohem kësaj dite, duke pirë një gotë, e duke thënë Cheers për të gjithë NE, për të gjithë ne që po shijojmë këtë të Premte. Ne që kemi bërë plane për t’ju larguar rutinës këtë fundjavë, ne që ndoshta edhe po vegjetojmë. Për të gjithë ne që sot po dëgjojmë muzikën me volumin në maksimum, teksa jemi në makinë, ne që sot ndiejmë adrenalinë, qeshim dhe qajmë nga emocionet, ne që dashurojmë dhe humbim, ne që japim një dorë dhe braktisim, ne që ecim në rrugë lineare, ne që kemi ngecur keqazi labirinteve, pra  një Cheers për ne të GJALLËT.

Gëzuar për forcën brenda nesh, për optimizmin dhe shpresën se Nesër do jetë më mirë!

Gëzuar! Për çdo mëngjes të ri, për çdo zile alarmi që na zgjon çdo ditë, për çdo dilemë se ç’do të veshim sot, për ritmin e shpejtë se si e nisim ditën, për kafen e parë, të cilën mezi presim ta shijojmë, e për të gjithë energjinë e orëve që na presin në vijim.

Ja Gëzuar për të gjithë produktivitetin, suksesin e merituar (që edhe pse ndoshta s’na e kanë vënë në pah, ne brenda vetes e dimë se ia kemi dalë).

Gëzuar për Sot! Për gjithçka kemi e gjithçka jemi! Për çdo mendim të bukur që projekton mendja, për çdo refren kënge që na shoqëron gjatë gjithë ditës, për çdo buzëqeshje që dhurojmë. Gëzuar për triumfin e gjithë betejave që kemi fituar deri dje, s’do ishim këta që jemi, po të mos ishte për atë të djeshme. Gëzuar për çdo sakrificë të shpërblyer, bravo për të gjithë durimin, vullnetin… E sheh se nëse përpiqemi fort, arrijmë t’i realizojmë ato që duam.

Gëzuar për dashurinë! Për të ëmblat romanca, për çdo TË DUA të thënë me zë të lartë apo me vepra të mëdha, por edhe për ato të pëshpëriturat, thënë me gjëra të vogla. Cheers për atë ndjesi që marrim, e cila na mbush shpirtin, por edhe për atë dashuri që ndjejmë fort në zemër, të cilën për një arsye apo tjetër nuk e shfaqim, gjithsesi do të thotë shumë, NE NDJEJMË.

Ja pra Gëzuar, për çdo këngë që na kujton dikë special, për çdo melodi që na ngjall dhjetëra emocione apo na vë në mendime.

Gëzuar për njerëzit që duam! Për ata që shpirti i njeh prej jetëve të shkuara.

Cheers për ata që na frymëzojnë, për ata që do bënim çmendurirat më të çmendura, për ata që na duan e na pranojnë ashtu si jemi! Cheers për ato duar që na janë zgjatur, që s’na kanë lënë vetëm e për të gjitha ato përqafimet e ngrohta që na janë dhënë.

Cheers për çdo buzëqeshje ngjitëse, për të gjithë ata që na bëjnë të ndihemi me fat se i kemi njohur e për të cilët urojmë mos t’i humbim kurrë.

Cheers për ata që na ndihmuan të rritemi, të njohim veten, na dhanë leksione të vyera e dhanë kontributin e tyre në formimin e personaliteteve tona.

Gëzuar për Sot!

Gëzuar për të gjithë NE!!!!

Jemi gjallë, po jetojmë një të sotme, ndoshta jo të njëjtën siç do kishim dashur, por po jetojmë… E unë uroj lumturi për të gjithë ne. Paçka se nocionin e lumturisë gjithsecili nga Ne e ka personal. Le të jemi të lumtur, me gjërat që bëjmë, qoftë edhe për ato pak çaste jetë që na janë destinuar të serviren me lumturi.

Gëzuar për Sot! Për të sotmen e ëndrrave… atë që e dimë me siguri se po e jetojmë.

Live today because yesterday is gone and tomorrow may never come…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top