Këto rreshta të dedikohen ty, ty që epitetin ta vë një shoqëri sipërfaqësore, që etiketohesh “tjetra” vetëm sepse je ngatërruar në udhëkryqin e ndjenjave të dikujt tjetër.
Këto rreshta të dedikohen ty, që ke ngecur diku, dëshpërimisht në një nga cepat e kësaj vorbulle trekëndore.
Po të drejtohem ty, me shumë empati, mbase po të më lexosh, mund të ndihesh më mirë, mbase të lehtëson ideja që në këtë botë ka më shumë njerëz si unë, njerëz që s’të paragjykojnë, madje mund të të frymëzojnë të besosh në idealin e dashurisë tënde nëse ajo është e fortë gjithmonë, ashtu siç ti e ndjen tani, bëhu gati të sfidosh botën e ta mbrosh me shpirt ndjenjën tënde.
Unë tani po imagjinoj, sikur ti ndesh rrugën time, më saktë, të atij që unë deri tani pretendoj se është bashkëudhëtari i jetës sime, e më ndalet fryma, sepse trembem, por nëse nis të reflektoj:
…
Ti po bie në dashuri me dikë, me të njëjtin që vite më parë rashë edhe unë, mbase jo njëlloj si ty, se jo të gjitha dashurojmë njëlloj, por unë ndoshta isha e re, e çmendur, adhurova gjëra të tjera, mbase të njëjtat që ti ia adhuron atij sot, ose krejt të kundërtat e atyre, që ty të bëjnë të të rrahë zemra e të ndiesh vallëzimin e ëmbël të atyre fluturave të famshme të stomakut…
Ndoshta ti s’po përjeton një dashuri platonike, e ndërkohë ti po e teston veten, ndoshta frenohesh, frenohesh prej meje? Mbase ke marrë feedback, mbase sinjalet që i dërgoni njëri- tjetrit konfirmojnë se ndiheni njëlloj, keni frikë t’ia thoni njëri-tjetrit?! Po ai, të do shumë?! Ju përfytyroj të ngecur në një ekuacion, por duke qenë se me matematikën i kam punët keq, do kisha preferuar që zgjidhja të ishte e thjeshtë. Ju përfytyroj sikur keni një kimi të frikshme (mendore, emocionale) me njëri-tjetrin, që dominoni në mendjet tuaja respektive, që ndoshta keni filluar edhe ju të keni historikun e kujtimeve tuaja, e besoj keni pak kohë në dispozicion për njëri-tjetrin, por prapë s’e shmangni dot të mos ndiheni kështu.
Ai ndoshta ka frikë për mua, ka frikë nga ndryshimi, ka frikë nga opinioni? Mbase s’është aq “trim” sa e imagjinojmë ne të dyja (qesh).
Po ti pse ke frikë? Nëse të kaloj unë ndërmend, ke frike t’i hysh një stuhie, ashtu e vetme, nën çadrën tënde të kuqe? Në fakt, e vetme s’do jesh edhe nëse supozojmë se ti je lodhur se qeni tjetra dhe do ketë statusin tim, për sa kohë ai të do në jetën e tij… s’je e vetme jo.
Unë s’të gjykoj dot, mbase s’e keni kërkuar njëri-tjetrin, por ja që universi ju prezantoi, kimia ju bëri të përputhshëm, kurioziteti për t’u njohur më mirë e simpatia e pashmangshme ju ngeci në këtë udhëkryq. Ju nuk rezistoni dot, si mundet ndryshe, jeni një sinkron unik ndjesish dhe telepati mendimesh.
Ah, ju imagjinoj të dëshpëruar me sytë nga telefoni, kushedi sa doni të shkruheni? Ti heziton se imagjinon që unë krejt papritur në një moment pakujdesie, mund të te “zbuloj”. Ai ndoshta s’gjen momentin, druhet… S’e di, imagjinoj kaq shumë gjëra, por më beso, prapë s’do të arrija dot të të “urreja”.
E di pse? Sepse të imagjinoj sikur edhe ti vuan. Në heshtjen tënde ti je e pikëlluar. Imagjinoj që edhe për ty është e vështirë. Mbase ti ke dikë tjetër, dhe të rëndon akoma më shumë pesha e kësaj drame (më beso, kam përshtypjen se njerëzit e bëjnë dramë), por mos e mundo veten, unë besoj se gjithçka ndodh për një arsye, se rrugët e dy njerëzve nuk ndeshen kot, rastësisht, ashtu, kot së koti, ndërkohë tani po mendoj, kisha harruar se çdo fillim e ka një fund, ndonëse jam romantike dhe besoj në dashuri. Ja, ndodh që magjia të mbarojë dhe vendin e saj ta zërë boshllëku, lodhja e dy individëve nga rutina e përditshme, mungesa e komunikimit, e atij komunikimit fantastik të fillimit që gradualisht u zbeh, u zbraz dhe krijoi një boshllëk, dhe ky boshllëk krijoi këtë hapësirën që tashmë të përket ty. Kështu që, mos e fajëso veten, Ti je aty, sepse unë prej kohesh kam reshtur së qeni, aty… As vetë nuk e di si dhe pse?!
Imagjinoj time bijë, në një të ardhme, që vjen të më rrëfehet për një dilemë si tënden, dhe imagjinoj si do ta mbështes, që mos ta shoh t’i thyhet zemra duke qenë “tjetra”.
Nuk do guxoja t’i citoja se në Kohën e gabuar, njohu të duhurin, ose të gabuarin në Kohën e duhur. Kush jam unë në fund të fundit të definoj kohën? Vetëm me kohën s’mund të merrem. Koha është realitet, ndonjëherë është produkt fantazie, e shkuar, e tashme, e ardhme. Jam shumë e vogël për t’u marrë me dimensionin e saj të madh e të mistershëm.
Imagjinoj që e vogla ime, do mund të mendojë të sakrifikohet, në emër të unazës së dashurisë së tjetrit, të viteve respektive, të opinionit publik, e kam frikë se kjo dramë e “hiperbolizuar” do e paralizojë nga frika e të luftuarit për dashurinë.
Unë i referohem vetëm dashurisë së vërtetë në fakt, asaj që i ka sfiduar termat infatuation, obession, aventure, çmenduri bla, bla, bla.
Ti tjetra nuk ke faj, nëse dashuron thellë, ti as vetë nuk e di pse u përfshive me këtë të “gabuarin”. Nëse je realisht e dashuruar, ti s’ke përgjigje se pse je në këtë situatë, ti thjesht ke dëgjuar të brendshmen, ke ndjekur instinktin, dhe ndonëse mund të jesh përpjekur t’i arratisesh kësaj ndjesie dhe ta kesh gjetur veten të zhytur në pamundësinë e të harruarit të tij, atëherë më vjen vërtet keq për ty, e s’të urrej dot!
Gjej forcë, shumë forcë brenda vetes për të luftuar, e nëse ai të do kaq shumë sa e do ti.
“Ajo tjetra, në fund mori atë që deshi dhe ata jetuan të lumtur përgjithmonë”…
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.