Mirëqenie

March 8, 2019 | 18:42

Nga Sheila Rexho: Seidit… “Dua që mos ta gjykosh veten, por të reflektosh, të rritesh e të mësosh nga gabimet e tua”

 

E di që je ende e vogël për të më kuptuar, por unë nuk e di pse e ndiej sikur ti më kupton me sy. Shpeshherë ti kupton gjithçka, por të mungojnë fjalët, aftësia për t’u shprehur ashtu si do doje ti, por me emocionet e tua ti arrin të më flasësh dhe pa to…

foto-sheilaSot është 8 Mars! Nëse do të ishe më e madhe, do të thoja se, sot është dita jote, e vetmja ditë që i kushtohet ekzistencës tënde, një nga ato ditët që ti mund të ngresh zërin tënd, sepse të gjitha e ngrenë, ti mund të llastohesh, sepse të gjitha e bëjnë, ti mund t’i dhurosh vetes ca terapi të këndshme, sepse të gjitha e bëjnë… dhe ti sigurisht do kuptoje dozën time të ironisë, sepse për ty çdo ditë e tillë do të ishte…

Por ti je ende e vogël, dhe do kesh gjithë kohën tënde përpara për t’u dashuruar me veten dhe qenien e mrekullueshme që do të jesh.

Nuk do rresht kurrë së ushqyeri tek ti dashurinë për ëndrrat, për jetën, për mirësinë, për të gjetur të bukurën në çdo detaj të gjërave që ti zbulon çdo ditë.

Dua që ti marrësh fëmijërisë tënde të pafajshme më të mirën e të premtoj se do luftoj fort për ta bërë botën tënde magjike.

Dua që edhe kur të rritesh, të zgjohesh njëlloj si tani, ashtu me kaçurrelat e shpupuritura, me buzëqeshjen e dielltë dhe me vrullin tënd për t’u ngritur rrëmbimthi e sa më shpejt nga shtrati, sepse një ditë e re po të pret.

Dua që sytë e tu të bukur e të mëdhenj të mos rreshtin së habituri, sa herë që ti eksploron gjëra të reja. Dua që të jesh gjithmonë kështu siç je tani, e paqtë, sociale, ajo që ndan lodrat me të gjithë dhe që prekesh kur një fëmijë afër teje trishtohet apo qan. Besoj se tregon shumë për personalitetin, që ti do kesh në të ardhmen dhe në mendjen time të përfytyroj si një zonjushë, e cila ka pafund mirësi brenda vetes, e gatshme për ta ndarë atë me botën.

E vogla ime, që po rritesh kaq shpejt. Kam frikë kur mendoj për dimensionin kohë. Koha fluturon, e përsëri kam frikë se s’do ngopem mjaftueshëm me gjithë kohën që kaloj me ty, me kohën që kemi të dyja.

E urrej ndonjëherë ritmin e ditëve të mia, lodhjen rutinë që më kaplon, ndonjëherë urrej edhe veten, që nuk kam të gjithë energjinë që do doja, për të të ndjekur nga pas ashtu siç do ti. Tingëllon kontradiktore, por ndonjëherë mezi po pres të rritesh, të rritesh që të më kuptosh më shumë, të rritesh që të ndaj edhe unë botën time të brendshme me ty. Të rritesh dhe të shëtisim bashkë pafund, të shkojmë në të gjitha koordinatat që do të dëshirosh ti, të ndash me mua të gjitha ëndrrat dhe pasionet e tua dhe unë të premtoj që do bëj gjithçka që ti t’i jetosh ëndrrat e tua.

Ta dua shumë zërin e ëmbël dhe “Mom” është melodi për mua, më e bukura që mund të dëgjoj ndonjëherë. E qeshura jote është himni i lumturisë time.

Ti dua edhe kapricot, pavarësisht se mund të më konsumojnë pak, sepse dua të të bind dhe të arsyetosh, por thellë brenda vetes dua që një dozë të vogël të tipit kapricoz ta mbartësh edhe kur të rritesh. Kapriciot e vogla, ato me lezet e gati të pafajshme, janë si erëzat për personalitetin e një femre. E unë për ty dua që të jesh më e mira, jo sepse unë do të tregoj standardet, por sepse dua që humanizmin brenda teje ta kesh të pafund, pasi është një element që do të bëjë gjithmonë të veçantë në këtë botën që ne jetojmë.

Dua që mos të dyshosh kurrë tek vetja e vogla ime. Nga të tjerët shpesh do dëgjosh krahasime, që tani ke filluar ndoshta, do të flasin për etiketa, për steriotipe, por eja gjithmonë tek unë, sepse do jem fansja jote më e madhe, ajo që s’do rresht kurrë së mësuari se sa shumë duhet ta duash veten në këtë botë. Dua që mos ta gjykosh veten, por të reflektosh, të rritesh e të mësosh nga gabimet e tua. Mos ki frikë, s’do paragjykohesh kurrë nga unë! Do kesh kraharorin tim, për të mbështetur kokën tënde të vogël, por me mendime të mëdha dhe teksa do ndjesh të rrahurat e zemrës sime, do kuptosh që aty është vendi yt, më i sigurti dhe më i ngrohti në planet. Dua që ta adhurosh klas-in, finesa dhe eleganca të jenë bashkëshoqërueset e tua te pandara, uroj të kesh varësi nga e bukura, nga arti dhe çdo element, i cili do të përmbushë botën tënde të brendshme.

Dua që të jesh “Miss Indipendent”, fiks si kënga e Neyo-s, të cilën ta vë shpesh dhe që ti pa e ditur çfarë simbolizon, e kërcen dhe e shijon aq shumë. Dua të jesh e aftë, që çdo sfidë të jetës ta mirëpresësh me kurajë dhe asgjë mos të të mposhte. Të besosh pafund në dashuri, eh, e di qq mbase do të lëndohesh, por dua të besosh se dashuria ekziston dhe se ti do meritosh gjithmonë të japësh dhe të marrësh dashuri pa kushte, dashuri nga ato të mëdhatë, që të rrëmbejnë shpirtin, nga ato që për hir të tyre mund të bësh edhe çmendurira. Por më beso, për dashuri çdo gjë ia vlen!

Unë e di që do jesh romantike, ke planetin e Hënës, je një gaforre e vogël, just like me. Por në këtë botë kaq “monotone”, më beso, romanticizmi do të ta ngjyrosë jetën, do të ta zbukuroje atë.

E dua të lexosh pafund, të dashurohesh me personazhet, me historitë e tyre, ta ndjesh thellë një libër dhe pasi ta përfundosh atë, të të duket sikur i ishe shkëputur realitetit ose sikur sapo ke humbur një mik shumë të mirë.

Dua që të zhvillosh talentet e tua, mezi po pres të më surprizosh, të premtoj që do bëj tifo për ty, në cilëndo fushë që ty do të pëlqejë. Do më kesh me vete, si një shoqe, si një bashkudhëtare, si një krah për t’u mbështetur gjithmonë. E unë do jem gjithmonë krenare për ty e vogla ime.

Dua që askush në këtë botë të mos të të bëjë të dyshosh tek vlerat, parimet dhe idealizmat që do të karakterizojnë, dua që të kesh forcë brenda vetes për t’i treguar vendin kujtdo që mund të pengojë rrugët e tua në këtë jetë. Dua të rritesh duke qenë vetvetja, hipokrizinë mos ta pëlqesh kurrë dhe të ngulitësh në kokë, që në jetë vendimet e marra me zemër janë ato më të mirat, e se kompromiset janë afatshkurtra…

Nuk dua të mendosh që gjithë bota rrotullohet drejt teje, por dua ta dish me siguri, se e gjithë bota ime je TI.

E vogla ime ti, të pret një e ardhme e bukur, me pafundësi personalitetesh që do të ndeshesh, situata, dilema, zgjedhje e vendime, që do të rrisin Ty e do të bëjnë një zonjushë të mençur.

Shkoj shumë larg me imagjinatën time për ty Seid, për mua je motivi i shenjtë i kësaj jete. Je ngjyra e preferuar, dielli që shkëlqen dhe thesari më i çmuar që kam. 17 Korriku është festa ime, dita jote, data më e shënuar e kalendarit të jetës sime. Jam e nderuar dhe pafundësisht e bekuar, që jam zgjedhur të jem unë Mommy jot. Je buqeta e ëndrrave të fëmijërisë sime, portreti i kukullës më të bukur që kërkoja në botën e fantazisë fëminore, e që në vitrinat e atyre viteve s’e gjeta dot.

Gjithmonë, ne të dyja…

Të dua,

Mami.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top