Nuk di të gjej një emër për ta përshtatur në shqip termin “momshamer,” por besoj e kuptoni të gjithë se çfarë po nënkuptoj. Kam përshtypjen, se në një moment të caktuar, secila nga ju (mama te reja ose jo), është hasur me këtë fenomenin e shëmtuar të Mom shaming. Unë personalisht me tipin që kam, indiferencën që më karakterizon, empatinë kundrejt çdo nëne që bën detyrën e saj, ashtu siç i pëlqen asaj, e kam shumë të vështirë për ta përtypur këtë fenomen.
Përpara se të isha edhe unë një mama, s’di pse nuk më vinte asnjë mendim “kundërshtues” për cilëndo nënë që kisha përballë, doja vetëm të merrja më të mirën e të gjitha eksperiencave që shihja, por s’di pse kur rrugëtimi im drejt mëmësisë filloi, atëherë m’u desh t’i ndeshja momshamers-at aq shpesh. Kudo, të njohura dhe të panjohura! Ato janë gjithmonë aty për të na kritikuar, komentuar dhe për të tentuar të na prishin humorin, të na vënë në dyshim, nëse ajo që jemi duke bërë është e drejtë ose jo…
“-Ah, je shtatzënë, epo nuk të bën mirë të lëvizësh kaq shumë,-, ndërkohë që, fatmirësisht ndihesha në super energji për të shëtitur në këmbë çdo cep të Tiranës dhe ndërkohë kisha aprovimin e doktorit tim, që ecja ishte shumë OK, për sa kohë ndihesha në formë.
Si ka mundësi që ke kaq pak bark? Boooh! S’paske shtuar fare në peshë? Do e bësh bebin të vogël, shumë të vogël!
Ndërkohë, peshorja të tregonte nja 20 e ca kg më shumë, ndërkohë dhe doktori nga formulat parashikonte një super beb të shëndetshëm, mua më duhej t’i dëgjoja sërish këto komente, të cilat asokohe më ngjasonin me një tërmet 7 ballë për hormonet e mia.
“-Uaaa, po qenke shëndoshur shumë!!!, – ndërkohë pasqyra ta bënte të qartë dhe madje vete unë, e dija që lufta me kg-ët që shtoheshin nga java në javë ishte mission impossible, por ja që ridëgjoja sërish e sërish, e sërish, e ndaj për mirësjellje duhej që thjesht t’u buzëqeshja e t’u përgjigjesha gjithë takt, se shtatzënitë janë gjithmonë individuale.
Po kur shkova 5 javë përpara datës së shumëpritur në Jug për dy ditë relax, sigurisht me aprovimin e doktorit tim, aty ndesha dhjetëra eksperte paranojash, “Uaaa po si s’ke frikë, po uji s’të bën mirë”. Askush s’arrinte të mendonte se uji për ty, në atë gjendje ishte shpëtimi prej atyre ditëve të nxehta torturuese, kur vapa përjetohej e dhjetëfishuar, e sikletshme dhe unë lutesha të fillonte ndonjë rrebesh sa hap e mbyll sytë.
… Pastaj lind bebi dhe kur gjithë qejf mezi pret të dalësh e të shëtisësh me të, vërshojnë lumenjtë e pyetjeve jo dhe aq të pafajshme: “Po pse linde me c-section? Po pse s’përdor korse për barkun? Po e ke nxjerrë gocën shumë herët, kishe pritur 40 ditë!”
As gjyshet e mia s’m’i thanë këto fjalë, të cilat i përkasin atij brezit, ku çdo gjë bëhej sipas gojëdhënave të plakave. Po ja pra, janë këto Mom shamers-at moderne, me ideologjitë e tyre dhe me tendencën të ndërhyjnë në detyrën më delikate e më personale, atë të prindërimit.
Kur i beson verbërisht bluzave të bardha, kur lexon literaturë mjekësore për ta informuar veten dhe për ta njohur më mirë procesin e rritjes së një bebi, ti na qenkërke e “fiksuar”.
Pa le kur të thonë, “eh, si na kanë rritur ne? Po ti? Si je ndierë?”
Këto pra janë ato, që të kritikojnë pse e ke veshur trashë, kur ndërkohë ti i ruhesh ndonjë ftohjeje të mundshme, ti thjesht ke frikë për krijesën e vogël. Këto janë ato, që të gjykojnë ashpër se përse ti po rrit një fëmijë bilingual, që të kritikojnë për atë buçkon tënd të vogël dhe madje të parashikojnë, se e ardhmja e saj do jetë me siklete të mbipeshës, ndërkohe buçko-ja ishte e tillë qëkur lindi dhe kur ushqehej vetëm me gji…
Ato kanë sytë që të shohin shtrembër, se pse fëmija yt mban një çuç te goja, ato me zërin karakteristik të një fjalie tendecioze janë gati për ty, t’i japin një shuplakë të mirë gjithë dijes tënde për prindërimin.
Pastaj bebin ke dëshirë si çdo nënë e re, t’i bësh foto të bukura, të ndash gëzimin me botën, të thonë, “pse s’ia mbulon fytyrën, pse e reklamon”. Reklamë??? S’dua të besoj që ekzistojnë këto konceptet. Vajza ime s’është as e para as e fundit që shfaqet në social media, për sa kohë audiencën e monitoroj vetë unë dhe sigurisht jam në dijeni të rreziqeve nga maniakët e rrjeteve sociale që qarkullojnë, por ky trendi i “Pse-ve” të kota për mua është i lodhshëm.
Le të vazhdojmë me lodhjen fizike dhe mendore kur ndesh sytë e të gjithëve, vetëm se s’po arrin të pushosh së qari fëmijën, që prej një kapriçoje, pamundësie për t’u shprehur ose prej një arsyeje vetjake për të qarë, ti je një “nënë e paaftë” e paaftë sepse duhet të bërtasësh??? E pra, unë s’dua as të bërtas, e as të qortoj fëmijën tim në prezencë të dhjetëra syve tendencioze e komentatorë jo dhe aq dashamirës, as t’i dëmtoj personalitetin fëmijës tim para këtyre spektatorëve, e nëse kjo më bën të jem “e paaftë” it’s my job.
Sa shumë që na gjykojnë, paragjykojnë pa pikën e empatisë. E bëjnë këtë edhe ato që s’janë nëna!
Vajza dhe gra, të cilat nuk e kanë idenë më të vogël se si dhe çfarë është mëmësia. Secila nga ne ka taktikën e saj, ndjekim instinktet tona, besojmë në intuitën personale, duke e ditur më mirë se kushdo tjetër ç’është më e mira për të vegjlit tanë.
Do pranoja, do mirëprisja gjithmonë këshilla prindërore, jam E ETUR të mësoj, të lexoj pafund për këtë disiplinë të re “Të qenit MOM”!
Seidi më ka rritur mua, i ka vënë në provë të gjitha cilësitë e mia njerëzore, e mëmësia është një sfidë vetjake me të cilën secila nga ne përballet çdo ditë, ashtu sipas mënyrës së saj. Ne kemi lindur si nëna, prej atyre engjëjve tanë, që u kemi dhënë jetën.
Sa e thjeshtë është në teori të flasësh në vend të tjetrit, pa qenë “në këpucën” e tij.
E unë besoj që në këtë Shqipërinë tonë të vogël, secila nga ju është përballur me momshamers-at moderne, e secila nga ju në një moment, ndoshta të lodhura edhe ju nga teprica e vërejtjeve, ndoshta nga sikleti, ndoshta prej taktit, ndoshta prej kortezisë, është përgjigjur thjesht me një buzëqeshje.
Të dashura nëna, shijoni eksperiencën më të bukur që kjo jetë ju dhuroi, ashtu siç dini dhe doni ju!
Secila nga ju është një nëne perfekte, unike, më e dashura dhe më e mira në botë! ….#STOPMOMSHAMING
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.