Psikofakt

September 24, 2019 | 13:04

Nga Sheila Rexho: Tërmet brenda vetes! … sekondat që shërbyen për të na shkundur nga pluhuri i një kotësie

Sheila Rexho, bloggere, diplomuar për Marrëdhënie Publike, Marketing, Gazetari

Sheila Rexho, bloggere, diplomuar për Marrëdhënie Publike, Marketing, Gazetari

E shtunë pasdreke, vjeshtë, ora tipike për të lexuar shtrirë e në qetësi. I isha rikthyer një shkrimi tim të 4 viteve më parë si kjo ditë, e teksa lexoja fjalinë “Absurde se si jeta, ndryshon brenda një dite” ndiej një lëkundje, e në fillim mendova ndonjë zhurmë nga rruga. Truri në atë fraksion sekonde nuk më dha mesazhin e frikshëm, por lëkundja vazhdoi më e fortë kësaj here, dhe di të them se u ngrita rrëmbimthi për të rendur tek Seidi, e cila po flinte në dhomën ngjitur.

foto-sheilaMbaj mend, u luta me mendje “Zot, na ndihmo, më mbro vajzën” teksa vrapoja si e çmendur për të dalë. Ishim shumë njerëz, të gjithë në panik, të gjithë duke u lutur e duke shpresuar se kaq ishte. Një grua më përqafoi me sytë me lot. U ndieva mirë nga përqafimi i asaj të panjohure, por që në ato momente e ndieva të afërt, ndanim një të përbashkët të madhe FRIKËN. Sytë më lotonin teksa shihja portrete paniku fëmijësh, të moshuarish, të gjithë me sytë lart nga qielli, nëna të trembura që shtrëngonin në krahë të vegjlit. Zot, ki mëshirë!!!!

Minuta tmerri, mos ishte fundi vallë?!… Fundi i gjithçkaje, i një jete plot vrap, i një jete që ndoshta s’e kisha gëzuar e jetuar mjaftueshëm. Ndonjëherë, pa dashur, bëhemi “skllevër” të një mekanizmi rutinor, të cilin duam ta sfidojmë, kemi ëndrra, dëshira, objektiva dhe luftojmë çdo ditë betejat tona, pa u ndalur ndonjëherë të reflektojmë, se mjafton një sekondë e vetme t’i japë fund këtij ciklit tonë. E s’do ishte nga ata “Happy endings”….

Gjithmonë kam luftuar frikërat e mia, si gjithsecili në jetë, por kjo e shtunë më bëri të reflektoj e ta ridimensionoj të brendshmen e botës time. A kam qenë mjaftueshëm një nënë e mirë, një bijë e përkushtuar, një grua e dashur, një shoqe gjithmonë aty për këdo që ka pasur nevojë për mua? A e kam përmbushur me sukses misionin tim në këtë rrugëtim jetësor? A kam dhënë në dashuri pa kushte, mjaftueshëm që të jem ndjerë e përmbushur? Një lum pyetjesh që më vërshonin në kokë, teksa në rrëmujën e atyre mendimeve buçiste fort “Kaq ishte, shpëtuam, kaq ishte” dhe ndonëse në panik, doja të besoja se vërtet kaq ishte, se ato pak sekonda shërbyen për të na shkundur nga pluhuri i një kotësie që hedhim krahëve në këtë jetë, ndoshta pa vetëdije.

Dua të besoj se ky qe një tërmet për të brendshmen tonë, për të reflektuar, se asgjë s’ka më shumë rëndësi se personat pas të cilëve vrapuam me gjithë fuqinë për t’i pasur afër vetes ato momente, ata, për të cilët, ndonëse larg, u lutëm të ishin mirë, asgjë s’ka më shumë rëndësi se siguria e atyre, të cilët na e mbajtën zemrën peshë, teksa tentonim t’u telefononim, por pa sukses, sepse rrjeti GSM ishte i bllokuar.

Jemi një grimcë asgjëje, para rrezikut, para fenomenit të të ndjerit i vogël dhe i pafuqishëm, ku s’kemi në dorë as të mbrojmë ata që duam më shumë.

Uroj që kjo lëkundje të ketë tronditur themelet e ideologjive tona, të zemrave, të egos, dhe le të ndikojë në aspektin e të konceptuarit të jetës ndryshe, e sigurt se që tani e shohim ndryshe, ndoshta, por le të zgjasë në kohë…

Le të mos harrojmë se jemi thjesht kalimtarë, se ndonëse të pabarabartë në këtë rrugëtimin tonë, përballë frikës dhe fundit jemi të gjithë njësoj. E le të jemi më të mirë, e le të jetojmë të gjithë me moton se: sot ndoshta është dita jonë e fundit, e të japim dashuri pafund, të japim një dorë aty ku mungon, një buzëqeshje për t’i ndryshuar ditën dikujt tjetër, një motivim, një bravo, një përqafim, një faleminderit dhe le të jemi gjithmonë aty për këdo që ka nevojë për Ne, ta zhveshim mantelin e egoizmit dhe të ndihemi më të lirshëm, të ndiejmë se në fund të këtij misionit tonë, ajo ç’ka ka pasur më shumë rëndësi është Humanizmi, dashuria që kemi dhënë dhe marrë, sukseset dhe dështimet që kemi ndarë me ata që na duan vërtet. E le të bëjmë mirë, në çdo ditë, sado pak…

 

“Corinthians 16:14- Let all that you do, be done in love” (Lejo që gjithçka bën, të bëhet me dashuri)

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top