Kërkesat gjithnjë e më tepër në rritje të tregut të punës dhe ndryshimet thelbësore në procesin e trajnimit të ekspertëve, janë ndër pritshmëritë kryesore të një sistemi social funksional. Hapat e para për krijimin e një ure lidhëse mes praktikës Amerikane të Kërkimit Shkencor dhe asaj Shqiptare kanë nisur që në fillimet e vitit 2013, ku vendi ynë u bë pjesëmarrës në projektin e kërkimit për vlerësimin e pikëvështrimeve të psikologëve klinikë ndaj praktikave të trajtimit.
Në Tiranë janë zhvilluar në kohë trajnimet dhe certifikimet e para nëpërmjet metodës E-LEARNING për studentë dhe profesionistë, që në atë kohë punonin në terrene të lidhura me Psikologjinë Juridike dhe Kujdesin Penintenciar. Këto kualifikime të para, natyrisht kërkuan një forcim të marrëdhënieve akademike dhe praktike. Përgjatë viteve 2014- 2017 janë kryer një sërë hulumtimesh dhe botimesh akademike kombëtare dhe ndërkombëtare me qëllim, rritjen e interesit dhe fokusit kundrejt ekspertizës dhe rolit të ekspertëve në Psikologjinë Juridike.
Ndryshimet e kohëve të fundit në Kodin e Punës dhe njohjen e profesionit të Psikologut Juridik edhe në mjediset penintenciare, krijuan hapësira mbështetëse për të zgjeruar dhe thelluar hulumtimin e fushës. Në këtë kuadër, si Universiteti i Tiranës dhe ai “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan kanë propozuar hapjen e programit të ciklit të dytë të studimeve të integruara me profil të Psikologjisë Juridike dhe Forensike, në të njëjtën linjë të studimit me universitetet simotra perëndimore dhe veçanërisht të SHBA. Për të forcuar dhe koordinuar më mirë në terren pjesën e informimit të palëve të interesuar dhe nxitjen e drejtpërdrejtë të bashkëpunimit.
Me mbështetjen e veçantë të Drejtueses së Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Elbasanit dhe të Departamentit të Psikologjisë të Universitetit të Tiranës më 16 dhe 17 Maj 2018, u mbajt një cikël leksionesh të hapura me pjesëmarrjen e veçantë të prof. Robert M.Gordon PhD A.B.P.P në audiencë akademikësh, kërkuesish shkencorë dhe natyrisht studentësh. Diskutimet dhe bashkëndarja e përvojave të studentëve me profesorët ngritën në një nivel edhe më motivues kërkesën për thellim të bashkëpunimeve të frytshme! Prof.Gordon theksoi se “puna e një psikologu të mirë, është të jetë si një mësues i mirë, dhe psikologu forens, është një profesionist i mirë që kryen vlerësimet e tij psikologjike duke u bazuar në testet shkencore”. Pikërisht këtu do të qëndrojë edhe çelësi i bashkëpunimit mes institucioneve tona universitare dhe atyre ndërkombëtare si SHBA.
Prof.Gordon është diplomat me certifikim të dyfishtë në Psikologjisë Klinike dhe Psikoanalizë në Shtetet e Bashkuara. Ai është anëtar i bordit drejtues i Shoqatës Psikologjike Amerikane (APA). Ai është gjithashtu ish- President i Shoqatës Psikologjike të Pensilvanisë. Gjithashtu është zgjedhur anëtar Nderi i Shoqatës Psikologjike Amerikane. Prof.Gordon është ekspert i njohur ndërkombëtarisht në fushën e Psikoanalizës, Psikoterapisë dhe Psikologjisë Juridike-Forensike. Ai ka shkruar shumë artikuj dhe libra në fushën e Etikës, MMPI-2, Psikoterapisë, Marrëdhënieve Familjare, Psikologjisë Juridike, Vlerësimit të Personalitetit, Diagnostikën, Manualin Psikodinamik Diagnostik (PDM, dhe bashkëautor i Tabelës Psikodinagnostike (PDC) në të cilën edhe Shqipëria ka dhënë një kontribut të sajin për vlefshmëri.
I vlerësuar nga Research Gate si një nga studiuesit me performancën dhe autoritetin më të lartë, ai ka bashkëpunuar si autor i disa artikujve dhe librave shkencorë me profesorë dhe kërkues të Shqipërisë si dr. Ibrahimi, prof.Durmishi, dr.Dervishi etj. Përvoja e tij shumë vjeçare në fushën e Psikologjisë Juridike dhe Forensike i dha një nxitje dhe hov të madh përpjekjes serioze nga universitetet tona për të krijuar profilin e parë të Ekspertëve të Psikologjisë Juridike-Forensike me ekspertizë dhe supervizim ndërkombëtar.
Risia e këtyre programeve të studimit qëndron pikërisht në faktin që do të krijojnë profile të ekspertëve të lartë në Institucionet Penintenciare, Institucionet e Riedukimit, Institucionet e Rehabilitimit dhe mbrojtjes Sociale, Ekipet mbështetëse për strukturat e reja të Drejtësisë si dhe Ekspertëve a Psikologëve Juridikë që do të punojnë në sektorin privat.
Botuar në Revistën Psikologjia, Nr. 135
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.