8 orë të plota, por me raste edhe më shumë kalohen në punë. Është e vështirë të bësh ndarjen profesionale nga ajo personale me ata që të rrethojnë në kaq orë të shpenzuara së bashku. Jo pak herë, të qëllon të hysh në një mbledhje të rëndësishme, pak mbasi ke konsumuar një kafe me shefin/en.
Qëndrimi i tij/saj i ftohtë të shtang. Në fakt, është sjellja më profesionale. E vërtetë, që mbi të gjitha jemi njerëz, por në ambientin e punës jemi punëdhënës-punëmarrës. Nuk ka çështje më të rëndësishme sesa mbarëvajtja e kompanisë (përjashto ekstremet shëndetësore apo jetike).
Profesionalizmi fillon që në përshëndetjen me grupin. Krijon barrierat e nevojshme, vendos rregullat e duhura. Arritja e objektivit me grupin është pika kyçe e punës. Bashkëpunimi është çelësi i suksesit. Të komunikosh me profesionalizëm me grupin nuk do të thotë të jesh hipokrit. Kur dikush ka të drejtë dhe di ta bëjë diçka, meriton hapësirën e tij të veprimit sado antipatik t’u duket kolegëve. Në shpirtin e grupit duhet të jetë primar fati i kompanisë.
Siç mund t’i jepet të drejtë “atij që s’duron dot”, ashtu edhe mund të kundërshtohet shefi/ja. Secili duhet të gjejë hapësirë të shprehë mendimin e tij, të ndihet i pranuar nga grupi dhe eprori. Por, mos ta ngatërrojmë këtë shprehje mendimi me pranimin dhe kundërshtimin.
Ta pranosh një mendim është diçka tjetër. Ta respektosh është diçka tjetër. Ta kundërshtosh është diçka krejt tjetër. Para kemi tri faza: pranimi, kundërshtimi dhe/ose respektimi. Ndërthurja e këtyre fazave na çon në debat konstruktiv dhe në arritjen e objektivit në punën në grup.
Kryesorja: “Mendoni pozitivisht dhe me mendje të hapur. Relativja e bën më të bukur botën!”
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.121
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.