Pyetjes nëse ndihemi të stresuar, shumica e personave u përgjigjet pozitivisht nëse u kërkohet arsyeja. Atribuimet janë pothuajse gjithmonë të lidhura me: shumë gjëra për të bërë apo për të menduar. Nëse u kërkohet të jenë më specifikë, një ndër motivacionet është pothuajse gjithmonë “puna”. Përse? A është me të vërtetë puna një nga arsyet kryesore që ndikon në mënyrë të dëmshme në organizëm? Cila është arsyeja? Disa reflektime të thjeshta mund të na vijnë në ndihmë për ta kuptuar dhe analizuar më mirë këtë çështje.
Puna është e nevojshme, por është edhe një nga aspektet e jetës ku kemi më pak mundësi për të ushtruar “arbitrin e lirë”. Është e nevojshme, pasi nga ajo varet mundësia e një mbarëvajtje ekonomike. Kjo është të paktën ajo që ne mendojmë në mënyrë të pavetëdijshme, duke konsideruar si të rëndësishme dhe të nevojshme për jetën tonë gjërat që me të vërtetë nuk janë ose kanë një vlerë më të vogël se ajo që ne i atribuojmë.
Puna na imponon orare dhe afate: do të thotë se ka orare që duhen respektuar si për hyrje në punë dhe daljen nga puna. Nuk mund ta menaxhojmë lirisht kohën tonë në bazë të detyrimeve familjare, individuale dhe të pasioneve. Kësaj çështjeje është përpjekur “t’u përgjigjet” futja e orarit fleksibël për hyrjen dhe daljen nga puna. Ky është pa dyshim një avantazh jo pak domethënës. Studimet sektoriale të përbëra nga kampion-grupe të vogla dhe pyetësorët e vlerësimit të aktivitetit të punës kanë sugjeruar një aspekt të rëndësishëm: orari fleksibël është pothuajse gjithmonë i menaxhuar rreptësisht nga eprorët. Punëtorët sugjerojnë se, në shumicën e rasteve, fleksibiliteti mund të përmirësohet më tej, nëse çdo sektor i ndërmarrjes do të kishte një orar të personalizuar. Kjo do të thotë se fleksibiliteti nuk është vetëm në orarin e hyrjes dhe daljes që imponohet nga ndërmarrja, por çdo sektor mund të marrë parasysh një orar të personalizuar në bazë të nevojave vetjake, ku orari mund të pësojë ndryshim në periudhat kur ka ngarkesë më të madhe në punë. Edhe puna me kohë të pjesshme mund të jetë më akoma fleksibël në këtë drejtim, për shembull, duke mos imponuar turnet (paradite ose pasdite), por duke përqendruar një numër më të madh të punonjësve gjatë orëve kur ka më shumë nevojë.
Psikologjia e sheh pozitivisht çdo gjë që rrit mundësinë e të pasurit më shumë kontroll mbi administrimin e kohës, por duke vënë në dukje faktin se disa njerëzve nuk u pëlqejnë shumë fleksibilitet. Kjo lidhet dhe me karakterin e tyre, pasi preferojnë të kenë orare me të rrepta për shkak se ndryshimi i frikëson dhe u duket me stresues, edhe pse kjo do të thotë të sakrifikosh cilësinë e kohës lidhur me punën. Studimet mbi fleksibilitetin e kohës në punë, lidhur me mirëqenien e personit, kanë sjellë disa risi jo vetëm në nivel eksperimental. I aq shumëkërkuari pushim në zyrë është bërë i ligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Ky ndryshim ligjor buron nga fakti se gjumi pas drekës ndihmon në produktivitetin e punës dhe në përmirësimin e performancës!
Sipas një studimi të kryer nga studiuesit e Pensilvanisë, pushimi 15-20 minuta, pas drekës, në zyrë, është i shëndetshëm, zvogëlon stresin dhe i bën mirë zemrës. Të bërit një sy gjumë në punë do të ulte, përveç kësaj, “hendekun” e humbjes së miliarda dollarëve në produktivitetin vjetor që i atribuohet mungesës së pushimit. Një studim i kohëve të fundit tregon se në SHBA, 30% të punonjësve u lejohet të flenë në zyrë dhe, madje, disa punëdhënës ofrojnë një hapësirë dedikuar pushimit: “nap room”. Po ta përkthejmë fjalë për fjalë do të thotë “dhoma për të marrë një sy gjumë”. Ekziston edhe një formë tjetër me kohë të pjesshme, quajtur ndryshe e bashkëndarë, ku dita e punës ndahet mes dy personave me detyra të njëjta. Në shumë vende kjo formë është e praktikuar. Është e vështirë që të gjithë ambientet e punës të funksionojnë në këtë mënyrë kaq fleksibël, por po të bëhet një analizë e kujdesshme e “kontekstit të punës” mund të na ndihmojë që të mendojmë për forma të tjera fleksibiliteti. Thjesht fakti i lëvizjes së vëmendjes nga efikasiteti në punë te mirëqenia e punonjësit, mund të na bëjë të mendojmë se mund të penalizohet produktiviteti, por studime të ndryshme kanë treguar të kundërtën: personat më pak të stresuar janë më produktivë.
Një aspekt i rëndësishëm lidhet me komunikimin brenda kontekstit të punës, i vlerësuar shpesh, sidomos në kompanitë e mëdha, si i mangët, i varfër, duke shkaktuar dhe rritjen e stresit. Puna shpesh është e organizuar sipas një hierarkie rolesh dhe personat kanë vështirësi në përmbushjen dhe respektimin e roleve që u kanë përcaktuar. Disa do të donin që të organizoheshin me më shumë pavarësi, pa pasur nevojë për t’u kërkuar leje dhe miratim atyre që kanë një rol hierarkik më të lartë. Ky aspekt lidhet me dëshirën për t’u ndier përgjegjës për punën vetjake dhe që t’u njihet profesionalizmi.
Megjithatë, burokracia kërkon që procedurat të respektohen për efekte ligjore, sigurie, efikasiteti. Sfida e vërtetë nuk është injorimi i rregullave, por përmirësimi i ndërmarrjes. Nga ana tjetër, ka njerëz që nuk duan të bëjnë më tepër nga ç’u kërkohet, mundohen të kenë pak përgjegjësi dhe iniciativë “unë bëj atë që më kërkohet dhe asgjë më shumë”, duke kërkuar shpesh mendim. Sfida e vërtetë lidhet ngushtë me komunikimin: t’u shpjegohet të gjithëve përse-ja e kësaj strukture në ndërmarrje, qartësimi i objektivave dhe komunikimi i ndryshimeve. Leva e motivimit varet nga të qenit i përfshirë dhe pjesë e grupit, ndihmon në kuptueshmërinë e rëndësisë së rolit të secilit. Ndryshimet mund të stimulohen si nga lart dhe nga poshtë (bottom-up e top-up). Njerëzit duhet të ndihen të aftë për të dhënë mendimin e tyre, pavarësisht nga roli që kanë. Favorizimi i këtyre proceseve varet nga drejtuesit, por mundësia për të dhënë mendimin e tyre, stimulimi i një ndryshimi është pjesërisht përgjegjësi e të gjithëve. Janë më shumë “blloqet psikologjike” se sa ato realet që na pengojnë. Në shumicën e rasteve aftësia vëzhguese dhe të pasurit iniciativë është diçka për t’u vlerësuar dhe lavdëruar.
Nuk duhet të dorëzohemi pa provuar deri në fund. Disa çështje të fundit që janë më individuale, për të cilat është i vlefshëm reflektimi, lidhen me pyetjen nga e cila jemi nisur: përse stresohemi në punë? Kemi shumë punë për të bërë? Nuk ndihemi mirë me kolegët? Na kërkohen detyra që nuk jemi në gjendje t’i përmbushim? Në shumë raste, përgjigjja qëndron në rritjen e komunikimit, mos të pasurit frikë për të shprehur mendimin tonë, duke thënë atë që është.
Le të mendojmë rastin kur na kërkohen detyra, të cilave nuk jemi në gjendje t’u bëjmë ballë. Nëse nuk kemi frikë t’i themi “nuk di ta bëj” eprorit, ai mund të na vijë në ndihmë me anën e një trajnimi të jashtëm ose të brendshëm. Është e nevojshme të ndalemi dhe të reflektojmë për faktorët pozitivë dhe negativë të një nisme që do të na ndihmojë dhe në dhënien e një përgjigjeje. Nëse frytet e kësaj analize janë ekskluzivisht negative, shpesh jemi të detyruar të durojmë. Nuk është e lehtë të ndryshojmë rreptësinë e disa konteksteve dhe, në qoftë se e kemi të pamundur për të ndryshuar punë, atëherë duhet të kërkojmë stimuj të jashtëm, jeta jonë nuk është vetëm “puna”, pasi mund të kultivojmë pasionet tona dhe të jemi të vlerësuar për atë që bëjmë dhe jashtë kontekstit të punës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.