Protagonistët e kujt jemi ne të rinjtë e sotëm? Protagonistët e botës apo protagonistët e dijes?! Jo miq, jemi protagonistët e vetes dhe të realitetit që përballemi çdo ditë.
Përballja e problemeve në masë të të rinjve më bëjnë konfuze. Them kështu pasi nevoja e të rinjve është dija, dinjiteti dhe bashkëpunimi, nuk është droga, masakrat apo korrupsioni që na kanë kapluar ditën e të tashmen. Pritshmëritë tona sot janë kultura dhe arsimimi, e jo frika nga e ardhmja.
Të rinjtë kanë mundësi, por nuk kanë motivim e drejtësi, e kjo i shtyn ata të veprojnë pa vetëdije e të arrijnë në ekstreme. E kështu i humbet vlera shoqërisë, pasi nuk vlerësohen më virtytet, pasi të rinjtë kanë ëndrra, por nuk kanë qëllime. Të bëjnë të mendosh se besohet politika dhe jo vetvetja, besojnë tek paraja dhe jo tek aftësitë. Teksa politika merret përditë me ne, duke u servirur si një detyrim për të ecur përpara nuk duhet të harrojmë se është arsimimi ai që na bën një shoqëri të kulturuar dhe ambicioze. Me keqardhje pranoj se jemi shoqëri e pabarazisë, e varfërisë, e padrejtësisë, e të gjitha këto na tregojnë për alarmin që tashmë është i ndezur në rininë shqiptare, për alarmin që po na kanoset e ardhmja jonë.
Përballja me krime nga më të rëndat, qofshin ato morale apo fizike, po e ndal rininë të ecë përpara, po i ndal gjeneratat e reja të hedhin idetë e tyre të provojnë apo të rrezikojnë në shoqëri, për mos të folur më pas për frikën që përcillet tek të rinjtë nga gjithë këto trazira e rrëmuja, frikë e cila nuk i lejon ata të arrijnë ato që duan, që shumë herë nuk e shprehin atë që mendojnë, por e mbajnë për vete, pasi e dinë se do paragjykohen dhe do bëhen një njollë e shoqërisë përreth, e kështu ata preferojnë të heshtin dhe të stepen, sepse kanë frikë dhe nga humbja e nga ajo çka i pret.
Por a ka ende shpresë?
“Ditët e rinisë janë ditët e shkëlqimit” thotë Bajroni e kështu duhet të bindemi të gjithë ne se rinia është shpresa e së ardhmes. Të mësohemi të vendosim vetë për fatin tonë, të mos varemi as nga politika e as nga do fytyra publike që mendojnë se gjithçka është në dorën e tyre. Duhet të luftojmë për objektivat tona, duhet të luftojmë për të gjitha pabarazitë e bëra dhe t’i tregojmë të gjithëve që askush nuk mundet të shtypi të ardhmen tonë, rininë tonë!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.