Në fokus

March 28, 2017 | 11:16

Nga Sulltana Aliaj / Frojdi ka të drejtë, anatomia është fat!

Thuhet se më lehtë shkatërrohet një atom, sesa një paragjykim. Duket se për shoqërinë tonë kjo shprehje e Anjshtajnit është shumë domethënëse dhe kuptimplotë. Paragjykimet, diskriminimet edhe steriotipet e krijuar për gratë dhe vajzat në shoqërinë tonë janë shumë të egra. Ndarja burrë-grua është kaq e dukshme dhe trajtimi ndaj tyre është tmerrësisht i pabarabartë. Mesa duket, Frojdi do tw jetë nisur nga shoqëria jonë kur ka pohuar se anatomia është fat!

sulltana

Sulltana Aliaj, Psikologe klinike

Është shkelje e të drejtave të njeriut kur foshnjave u mohohet ushqimi, kur i mbysin në ujë, kur ua zënë frymën ose kur ua thyejnë shtyllën kurrizore sepse kanë lindur vajza.

Është shkelje e të drejtave të njeriut kur gratë dhe vajzat shiten për t’u bërë skllave të prostitucionit.

Është shkelje e të drejtave të njeriut kur gratë lagen me benzinë dhe digjen të gjalla, sepse pajat e tyre të martesës gjykohen si të vogla.

Është shkelje e të drejtave të njeriut kur gra të caktuara përdhunohen në komunitetet e tyre dhe kur mijëra prej tyre bëhen objekt përdhunimi si taktikë apo çmim lufte.

Është shkelje e të drejtave të njeriut kur shkaku kryesor i vdekjeve në botë të grave nga mosha 14-44 vjeç është dhuna, të cilës i janë nënshtruar në shtëpitë e tyre.

Është shkelje e të drejtave të njeriut kur vajzat e reja trajtohen mizorisht nga praktika e dhimbshme e poshtëruese e gjykimit gjinor. 

Është shkelje e të drejtave të njeriut kur grave u mohohet e drejta për të planifikuar lindjet, për të qenë më pas të detyruara të dështojnë ose t’i nënshtrohen sterilizimit kundër vullnetit të tyre.

Të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut, një herë e përgjithmonë.

femra_shqiptare

Foto ilustruese

Për t’i qëndruar kohës, vlerave të një shoqërie të ngritur në të gjithë vendin, e jo vetëm në qytetet e zhvilluara, këndvështrimi psikosocial referon për parime ende të shtrënguara ndaj figurës femërore. Ende në zonat jashtë urbane e deri ato të thella, ekziston mendësia se, vajzat janë të padëshiruara në shoqërinë tonë. Mjafton të përmendet se kur një çift pret fëmijë, të gjithë u thonë: “Shpresoj të bëheni me djalë”. Që në këtë “urim” gjinia femërore diskriminohet që pa ardhur në jetë. “Vrasja e heshtur” ndodh në masë në vendin tonë. Shumë prindër pasi marrin vesh se fetusi i nënës është vajzë, kërkojnë ta abortojnë atë. E nga ana tjetër, familje të tjera bëjnë shumë fëmijë pasi kërkojnë patjetër një djalë, i cili do të jetë mbajtësi i mbiemrit dhe jo vetëm kaq. Në shoqërinë tonë, pothuajse gjithçka i kalohet djalit dhe vajzat nuk kanë asnjë të drejtë mbi pasurinë e prindërve të tyre dhe nuk përfitojnë asgjë.

Gjuha është një nga treguesit e kulturës së një vendi. Besoj se të gjithë kemi dëgjuar më parë, për një traditë që ruhet edhe sot nëpër fshatra sidomos. Vajzat pasi martohen nuk thirren me emrin e tyre, por me atë të bashkëshortit, duke i bashkëngjitur prapashtesën “ica”. Për shembull, nëse burri quhet Taqo, atëherë gruaja e tij njihet si Taqovica. Kjo shpreh mendësinë maskiliste të vendit tonë, duke pohuar me çdo formë të mundshme se gruaja është pronë e burrit.

femra

Vazhdimisht dëgjojmë për rastet e dhunës ndaj grave, për pamundësinë e tyre për t’u divorcuar, pavarësisht se jetojnë në kushte të vështira. E kjo sepse nuk kanë ku të shkojnë tjetër, pasi vajzat shqiptare nuk kanë pavarësinë ekonomike dhe mbi të gjitha nuk kanë forcë të ngrihen kundër fatit të tyre, pasi nuk i mbështet askush, e mbi të gjitha nuk kanë mbështetjen e prindërve. E pabesueshme sesi prindërit mund të jenë pro dhunës ndaj fëmijës së tyre, duke i dhënë të drejtë burrit për çdo veprim që ai bën. E në fakt, kjo s’ka si të ndodhë ndryshe, ku në shumë zona, veçanërisht në zonat veriore, bashkë me pajën e nuses, asaj i vendoset edhe një fishek, i cili simbolizon të drejtën e burrit   për t’i marrë edhe jetën gruas.

Të martuarit me mblesëri, ku zgjedhin prindërit se me kë vajza do të martohet, i nënvlerëson ato, duke i privuar nga e drejta për të bërë zgjedhje, qoftë kjo edhe për njeriun me të cilin duhet të kalojnë jetën. Virgjëria, si një nga kërkesat kryesore që një burrë dëshiron për gruan e tij të ardhshme, shpreh edhe njëherë prapambetjen tonë të thellë shoqërore. Është turp që në ditët e sotme akoma tregohen çarçafët e gjakosur, duke shprehur edhe njëherë superioritetn e mashkullit dhe të drejtat e tij ekskluzive mbi femrën.

Para disa kohësh, po lexoja librin e titulluar “Princesha”, ku flitet për nënshtrimin e grave në Arabi dhe kishte shumë ngjashmëri me trajtimin e grave në shoqërinë tonë. Më ka bërë shumë përshtypje paragrafi i mëposhtëm, i cili shpreh dhimbje për mënyrën sesi trajtohen gratë, sesi ato konsiderohen, pavarësisht gjithë vlerave dhe humaniteti që kanë:

Lindjet e meshkujve janë të dokumentuara në regjistrat familjarë apo në ato të fiseve, por nuk gjen kurrkund asnjë të tillë për vajzat. Emocioni i zakonshëm që shprehet në rastet kur lind një femër është keqardhja ose turpi. Sipas meshkujve, dhe kjo mësohet në moshë fare të vogël, vajzat janë pa vlerë dhe ato ekzistojnë vetëm që t’u shërbejnë burrave dhe të kënaqin orekset e tyre seksuale”.

femra_shqiptare1

Nuk e di edhe për sa kohë në shoqërinë tonë, burri do të konsiderohet shtylla e familjes, do të jetë mbizotërues në të gjitha aspektet e jetës, do ketë gjithë të drejtat e mundshme, ndërkohë që vajzat do të konsiderohen si qenie dytësore dhe që nuk gëzojnë as të drejtat minimale. Përparimet që ka bërë shoqëria jonë janë shumë të vogla në krahasim me këtë problem madhor. Këtë e tregojnë edhe fjalitë e  thjeshta të përdorura në tekstet shkollore. Fjalitë e thjeshta, të tilla si “Beni dhe Tani po luajnë me top” dhe “Mira po pastron shtëpinë ose po gatuan” janë tregues i paragjykimeve, ku burrat janë të lirë për aktivitete të ndryshme, kurse gratë duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të kujdesen për mbarëvajtjen e saj. Mjafton të largojmë vëmendjen nga qendra e qyteteve të mëdha dhe nëpër zonat përreth do shohim se gratë jetojnë si në mesjetë, ku skenat e filmit “Përrallë nga e kaluara” janë kaq reale.

grateRoli i grave në vendimmarrje, në politikë apo në sfera të tjera të rëndësishme është i minimizuar, pasi steriotipet janë ende shumë të fuqishme dhe rolet drejtuese janë të zëna nga burrat. Ka shumë pak gra me ekonomi të pavarur, ka shumë pak gra të cilat janë të pavarura dhe të pandikuara nga askush për të zgjedhur drejtimin e jetës së tyre. Ka akoma shumë pak gra që denoncojnë rastet e dhunës, ka akoma shumë pak gra të cilat mbështeten nga familja e tyre. E mbi të gjitha, ka akoma e më pak gra të cilat kërkojnë të përmirësojnë jetën e tyre, sepse ky mentalitet është kaq i fuqishëm dhe kaq i zgjatur në kohë, sa duket gjë krejt normale kur vajzat qëndrojnë në shtëpi, merren vetëm me përkujdesjen e fëmijëve, me punët dhe me shërbimin ndaj të tjerëve apo edhe kur bashkëshorti e burrat e tjerë i fyejnë dhe i dhunojnë. Pikërisht, dita kur do arrijmë të shpëtojmë nga paragjykimet ndaj grave, do jetë ajo ditë kur vetë vajzat do të besojnë në fuqinë e tyre, do të kuptojnë sesa të afta janë dhe se mund të bëjnë shumë më shumë  se kaq. Do jetë dita kur gratë shqiptare të brendësojnë të drejtat, të fillojnë të jetojnë për veten dhe të marrin rolin e duhur në shoqëri, të respektohen si bija, bashkëshorte, nëna, por mbi të gjitha, të vlerësohen për faktin e mrekullueshëm se janë gra.

Në fund dua të them që, po, ne gratë mund t’ia dalim. Ne nuk kemi nevojë të presim të ngujuara në kështjella për djemtë, siç na kanë  mësuar përrallat. Ne nuk kemi pse presim asgjë nga askush. Ne meritojmë respekt dhe duhet t’ia japim vetes fillimisht.

Dashuroni dhe respektoni veten, dashuroni dhe respektoni tjetrin. Gjeni forcë te vetja. Forcë nuk është të zhvishesh, as të bërtasësh, as të poshtërosh seksin tjetër. Forcë është të ndiesh krenare për veten dhe të jesh e aftë t’ia dalësh mbanë. Krenare që jam vajzë! Respekt për djemtë!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top