Asnjëherë nuk kam besuar se një notë të vlerëson plotësisht. Asnjëherë nuk kam besuar plotësisht te drejtësia e sistemit arsimor. Asnjëherë nuk kam besuar se parimi i meritokracisë zbatohet në institucionet shkollore. Por pavarësisht të gjithave, asnjëherë nuk kam hequr dorë nga puna për formimin tim profesional dhe personal.
Nisur nga një reflektim vetjak, për ta përgjithësuar në situatë aktuale, jo më larg sesa dje jam përballur me zhgënjimin e maturantëve. Drejtohem në numrin shumës, sepse e di që janë shumë të tillë.
Ne si qenie sociale, arrijmë të krijojmë konceptin tonë për veten duke ndërvepruar me të tjerët, duke marrë vlerësime për atë që bëjmë. Vlerësimet na ndihmojnë që të kuptojmë se çfarë kemi bërë mirë apo keq, çfarë është e pëlqeshme apo e papëlqyeshme, çfarë është e drejtë apo e gabuar, në mënyrë relative normalisht. Por çfarë ndodh kur nuk vlerësohemi siç duhet? A nuk përballemi me një zhgënjim shumë të madh?
Dhe për këtë zhgënjim dua të flas, për zhgënjimin e maturantëve, për dëshpërimin e tyre dje dhe sot… shpresoj jo më nesër. Përveç problemeve të shumta që po përballen nxënësit, duke nisur me papërshtatshmërinë e teksteve, metodave disfunksionale pedagogjike, marrëdhënieve jo të shëndetshme mësues-nxënës, nxënës-nxënës, si për t’i venë një vulë të hidhur, kalvari i gjatë mbyllet me procesin aspak dinjitoz të dhënies së provimeve. Po, po, gjej guximin dhe e cilësoj aspak dinjitoz. Jo shumë kohë më parë, saktësisht para pesë vjetësh, mua si maturante më kanë kapluar ethet e provimeve, sepse mendoja qe aty do vlerësohesha drejt nëse bëja më të mirën time. E di që si unë, kanë menduar shumë të tjerë.
Por, fatkeqësisht unë u përballa me dështimin tim të parë në këtë aspekt. Dhe nuk ka fare lidhje me notën, por me atë që unë prisja dhe me çfarë u përballa. Për të qenë më konkrete, unë e them me bindje të plotë se ajo çfarë shkaktohet gjatë procesit të dhënies së provimeve, është një çorientim i madh dhe një mesazh i qartë: fati luan rol në jetë, pak rëndësi ka puna dhe këmbëngulja…Po, po, fati! Fati nëse ti arrin të kopjosh, fati nëse njeh dikë, fati në mënyrën sesi korrigjohet provimi, fati nëse të del dega që ti preferon. Mos ka shumë peshë fati në këtë mes?! Fat apo padrejtësi?
Nëse nuk arrij dot me bindje ta ndaj këtë gjë, me shumë siguri di të them që këto ngjarje lënë jo pak pasoja tek të rinjtë. Të demotivosh një brez, do të thotë të humbësh një shoqëri. Dhe t’i privosh arsimimin një kombi , do të thotë të vdesësh shpirtërisht një komb. Sepse t’i heqësh pasionin dikujt, do të thotë ta ngurtësosh, ta kthesh në një qenie mekanike.
Unë nuk dua t’ia vë fajin askujt, por ama faji është i të gjithëve ne. Faj për vorbullën e madhe të problemeve që iu hapim maturantëve dhe për dështimet që ua servirin, pa qenë të tyret.
Sot, nëpërmjet këtyre rreshtave, unë i drejtohem të gjithëve që për momentin ndihen të demotivuar dhe të zhgënjyer:
Mos hiqni asnjëherë dorë për të arritur aty ku ju dëshironi!
Mos lejoni askënd t’ju prekë ëndrrat tuaja!
Mos lejoni që një dështim, sado i padrejtë t’iu verë poshtë!
Mos harroni se të humbësh një betejë, nuk do të thotë të humbësh luftën.
Mos u dorëzoni dhe mos lejoni askënd t’ju prekë integritetin tuaj.
Dhe mbi të gjitha, kujtoni që do keni gjithmonë pranë vetes njerëz që ju besojnë se nuk ju përcakton një notë, por ju përcaktojnë vlerat, këmbëngulja, potencialet dhe dëshirat për të ecur para.
Për maturantët dje, dot dhe nesër! Me besimin se e drejta e askujt më nuk do cenohet!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.