Depresioni tek adoleshentet është një nga problemet emocionale më të zakonshme, jo vetëm në vendin tonë, por në mbare botën. Lajmi i mirë është se, gjithashtu është i trajtueshëm dhe terapistët, psikologët, psikiatrit mund të ndihmojnë shumë për këtë.
80% e njerëzve që kanë vuajtur nga depresioni dhe janë kuruar, tani jetojnë një jetë më të mirë. Ata ndihen mirë me veten dhe nuk e shohin veten si më parë. Trajtimi i depresionit përfshin psikoterapinë individuale ose në grup, terapinë me medikamente te psikiatri ose të kombinuar në terapi me psikologun ose psikoterapeutin.
Nëse truri i adoleshentit është i ekspozuar ndaj dhunës apo traumave psikologjike, dëmton procesin normal të neurozhvillimit. Vetë trauma dëmton formësimin, intensitetin dhe natyrën e perceptimit shqisor, përjetimit emocional të ngjarjeve gjatë fëmijërisë. Mirëpo cilët janë faktorët që çojnë adoleshentët në vetëvrasje?
Teoricienët që studiojnë vetëvrasjen, kanë përkufizuar edhe një listë faktorësh që kanë apo mund të kenë ndikim drejt kryerjes së aktit. Faktorët moshë, statusi social-profesional e familjar, çrregullimi mendor, faktori biologjik, molekular-gjenetik, stili jetesës, abuzimi me substanca e parametra të tjerë vlerësues, janë listime që duhet të kenë parasysh prindërit, mësuesit, mjekët, punonjësit socialë etj.
Kur fillon puberteti, trupi fillon të prodhojë hormone seksuale. Këto hormone: estrogjeni dhe progresteroni te femrat, dhe testosteroni te djemtë, shkaktojnë ndryshime fizike në trup. Por te disa njerëz ato shkaktojnë edhe ndryshime emocionale.
Shenjat kryesore të depresionit janë: “Ndjesi e të qenit i pashpresë, irritim, të qara të vazhdueshme, mbyllje në vetvete, humbje interesi për aktivitete që u përkasin moshës së tyre, pamundësi për të pushuar, ndihen të pavlerë dhe fajtorë pa shkak, mungesë entuziazmi dhe motivimi, pafuqi, vështirësi në përqendrim; mendime për vetëvrasje ose edhe për vdekjen, çrregullime të të ngrënit dhe ushqyerjes, gjumit etj.
Punoni bashkë që të jeni të pranishëm në jetën e tyre. Bëhuni më tepër bashkëpunues, e jo pjesëmarrës. Respektoni intimitetin e fëmijës tuaj. Në atë moshë, fëmija juaj do një kohë dhe një vend të caktuar që të jetë vetë me veten e tij. Flisni për rreziqet që sjell duhani dhe nga përdorimi i alkoolit ose tërheqja sociale.
Por më e rëndësishmja nga të gjitha është që, ata të ndjehen të kuptuar, të pranuar dhe t’u falësh shumë dashuri e qetësi në komunikimin me ta.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.