Zbulon një ditë që ke gjetur njeriun e duhur, atë që prej kohësh kishe ëndërruar për të qenë pjesë e çdo minute të jetës tënde, dhe merr vendimin të jesh pjesë e një marrëdhënieje. Por, zbulon gjatë rrugëtimit me të, që gjërat jo vetëm nuk ishin ashtu siç ëndërroje dhe mendoje, por janë shumë më ndryshe se kaq. Sapo je zgjuar nga “narkoza” e dashurisë dhe je me këmbë në tokë, shumë pranë realitetit ndryshe.
Dhe kur këta dy njerëz zbulojnë se janë të ndryshëm në një sërë qëndrimesh, vlerash dhe preferencash, fillojnë të shfaqin ndjenja negative. Marrëdhënia në çift karakterizohet nga çfarë do të japësh dhe çfarë do të marrësh. Por, nga një histori e gjatë patriarkale dhe tradicionale nuk është lehtë të shuash një lidhje apo të përjetosh një modernizëm të theksuar në raportin në çift. Kështu ky rrugëtim njeh gjithfarëlloj situatash, duke nisur nga ato negativet, si: mosmarrëveshjet nga xhelozia, seksi dhe pushteti i partnerit, të cilat mund të krijojnë konflikte serioze në marrëdhënie, një nivel të caktuar stresi, ku për pasojë konflikti është i pashmangshëm. Një mendje e hapur apo një kulturë e hapur mund të ofrojë modele të ndryshme bashkëkohore për jetesën në çift.
Emocionet kanë një pushtet të atillë, që zotërojnë gjithçka kur dashuria është e verbër dhe nuk lejon vëmendjen që të dallojë detaje të papranueshme. Dallimet mund të jenë negative për marrëdhëniet në çift. Ndonjëherë ato kuptohen, por njëri nga partnerët ecën me shpresën se tjetri do të ndryshojë. Për shembull, ngjashmëritë e fillimit kthehen në dallime. Kur partnerja vendos që t’i përkushtohet karrierës, por më vonë të jetë një amvisë shembullore, kjo krijon diferenca në qëndrimet e saj, të cilat mund të jenë burim konflikti për burrin, i befasuar nga ndryshime apo interesi i ndryshuar dhe shumë i madh i bashkëshortes për jetën brenda shtëpisë. Dukuri të tilla ndodhin shpesh në lidhjet e bazuara në dashuri pasionante. Dallimet urbane dhe ato rurale janë më të theksuara si model, sepse të jesh pjesë e qytetit do të thotë të jesh pjesë e jetës, duke lënë në hije origjinën rurale dhe familjet e mëdha që dikur karakterizonin traditën shqiptare të jetesës, duke rikujtuar që këto tradita edhe transferohen në vendet urbane dhe bien ndesh me krijimin e sjelljeve të reja të brezave të rinj. Gjithashtu, tendenca për të imituar modelet perëndimore është e keqpërdorur në disa raste. Studiuesit shpjegojnë se disa rrethana u lejojnë njerëzve të krijojnë përshtypje të ndryshme mbi njëritjetrin, standardet e paracaktuara nuk kanë më vlerë dhe tjetri vlerësohet nga një pikëpamje krejt e ndryshme.
Gjithmonë duhet të mos harrojmë tezën e tregut, ku në një mjedis që konkurrohet po ashtu edhe ndryshimi i modelit të çifteve ndryshohet, se çka i ofron ai i ashtuquajturi treg. Mentaliteti apo tranzicioni që po pëson mendësia e sotme, pothuajse nuk po aktivizohet. Jemi në prirje për të mbështetur partnerin, të jemi më të shoqërizuar, të karakterizohemi si familje atomike, mirëpo kultura moderne që ofrohet si në marrëdhënie në çift, familje, mendësia, ka ndikim zhurmues kundrejt kulturave dhe mënyrave të vendeve të tjera. Këtë më së miri e përjetojnë individët që kanë jetuar jashtë dhe tashmë janë kthyer të jetojnë në vendet e tyre të origjinës. Ata arrijnë të bëjnë dallimin mes kulturave të ndryshme. Teknologjia mund të na ndihmojë të kuptojmë metodologjinë e ndryshimit të kulturave të ndryshme, por jo të shpjegojë ndjesinë e të qenit pranishëm aty. Marrëdhëniet sot janë më të hapura (por pasojat janë më brutale). Dy aksiomat kryesore që karakterizojnë shoqërinë tonë janë besimi dhe përkushtimi. Dalëngadalë këto janë shndërruar në teza tregu, duke humbur origjinalitetin e duke bërë të fitojë falsiteti.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.