Në fokus

June 21, 2017 | 10:57

Nga Valentina Telhaj: Fëmija mes stuhisë së divorcit

Në momentet kur një çift bashkëshortësh vendosin t’i japin fund lidhjes në çift, për pasojë vjen dhe shkëputja nga të jetuarit nën një çati. Prej këtu nis dhe “beteja” për ndarjen edhe të kujdestarisë së fëmijës. Pa kuptuar, fëmija e gjen veten në vorbullën e konfliktit. Duke mos qenë të ndërgjegjshëm për dëmin që i shkaktohet, prindërit përdorin mënyra jo të përshtatshme për ta bindur fëmijën të qëndrojë me njërin prej tyre. Gjë e cila anon në atë që është quajtur Sindroma e Distancimit Prindëror (Parental Alienation syndrome) (PAS).

MSc.Valentina Telhaj Psikologe Këshillimi / Terapiste EMDR niveli I

MSc.Valentina Telhaj Psikologe Këshillimi / Terapiste EMDR niveli I

Ky përkufizim u përdor për herë të parë nga psikiatri i njohur amerikan, Richard Gardener në vitin 1985. Kjo teori u bazua në vëzhgimet klinike me pacientët e tij, i cili e përcakton si një çrregullim që shfaqet te fëmijët si pasojë e konfliktit të kujdestarisë, në të cilin, njëri prind, zakonisht nëna, e nxit fëmijën drejt mosrespektit dhe urrejtjes ndaj prindit tjetër. Megjithëse kjo teori nuk u bazua në një studim të mirëfilltë, studiues të tjerë bënin kërkime të fokusuara më pak tek ajo që u cilësua si sindromë, dhe më tepër tek ajo që u quajt fëmija i manipuluar ose abuzim psikologjik. Kjo është një nga format më të përhapura të abuzimit psikologjik te fëmijët, e cila është pasojë ekskluzive e ndarjes dhe divorcit.

Kur njëri nga partnerët përjashton tjetrin nga jeta e fëmijës, ky i fundit bëhet në këtë rast subjekt i indoktrinimit sistematik. Njëri nga prindërit denigron prindin tjetër duke e refuzuar, duke përdorur strategji të ndryshme për të penguar dhe shkatërruar lidhjet e fëmijës me prindin tjetër. Ndër strategjitë më të përdorura nga prindi manipulues janë si më poshtë:

Domestic conflict

Refuzimi për të lejuar telefonatat e fëmijës me prindin tjetër;

Organizimi i aktiviteteve të ndryshme gjatë periudhës që prindi tjetër duhet të ushtrojë të drejtën e takimit/vizitës;

Prezantimin e partnerit të ri si “nënën/babain e ri;

Fshehjen e pakove ose letrat e adresuara fëmijës;

Zhvlerësim dhe fyerje të prindit tjetër në prani të fëmijëve;

Refuzim për të informuar prindin tjetër për aktivitetet në të cilën fëmijët janë të përfshirë si: aktivitete shkollore, recitime teatrale, aktivitete sportive…etj.

Të folurit në mënyrë të pakëndshme për partnerin/en e ri të prindit tjetër;

Moslejimin e së drejtës së vizitave;

“Harresa” për të njoftuar prindin tjetër për takime të rëndësishme me (dentistin, mjekun, psikologun);

Përfshirja e personave të afërt si (nëna, kunatat) për shpëlarjen e trurit të fëmijëve;

Marrja e vendimeve të rëndësishme në lidhje me fëmijën, pa u konsultuar me prindin tjetër më parë;

Ndërrimi ose tentativa e ndërrimit të emrit ose mbiemrit

Mos lejimin e aksesit në rezultatet shkollore dhe ato mjekësore të fëmijës;

Refuzimin për të qenë fleksibël me afatet e vizitave në të mirë të fëmijës, dhe kur prindi tjetër refuzon shpesh akuzohet si moskokëçarës dhe egoist.

Nisja me pushime pa fëmijët duke i lënë me një person tjetër edhe pse prindi tjetër është i lirë dhe i disponueshëm të kujdeset;

Ju thuhet se veshjet ose gjërat që ka blerë prindi tjetër janë të shëmtuara ose i ndalojnë rreptësisht të pranojnë dhurata nga ai/ajo;

Kërcënimi për ndëshkim nëse i telefonojnë, shkruajnë ose përpiqen t’i kontaktojnë në çfarëdolloj forme;

Fajësimin e prindit tjetër për sjelljet e gabuara të fëmijës;

I kërkojnë fëmijës që të zgjedh ndërmjet njërit nga të dy, gjë e cila i shkakton fëmijës mërzitje. Zakonisht, fëmijët nuk kanë dëshirë të refuzojnë njërin prind, por në vend të kësaj ata përpiqen ta shmangin çështjen;

Por përveç prindërve që veprojnë në mënyrë të qëllimshme si manipulues, ka edhe nga ata që e dëmtojnë fëmijën në mënyrë të paqëllimshme ose mënyrë naive. Këta janë prindër, të cilët janë pasivë për marrëdhëniet e fëmijës me prindin tjetër. Zakonisht fëmijët dëshirojnë të kalojnë më tepër kohë me prindin që mungon, por për shkak të manipulimit ata e refuzojnë. Nuk thonë gjëra pozitive për ta dhe nuk kanë kujtime të bukura.

Megjithatë, abuzimi psikologjik nuk është përcaktuar si i paqëllimshëm edhe në rastet kur ndodh në mënyrë jo të duhur.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top